Bota e fëmijeve në GKA
23 Qershor - 30 Korrik, 2017


Ditën e premte datë 23.06.2017 Galeria Kombëtare e Arteve ka kënaqësinë të prezantojë për publikun e saj ekspozitën “Bota e fëmijëve në GKA”.
Kjo ekspozitë i kushtohet një publiku të veçantë, jo vetëm të rriturve artdashës por në veçanti krijuesve të vegjël.
Në këtë ekspozitë do të prezantohet krijimtaria e përzgjedhur e katër artistëve si Abdurrahim Buza, Agim Faja, Guri Bulollari dhe Ledia Kostandini, autorë të jashtëzakonshëm, plot fantazi, veprat e të cilëve dinë të flasin në gjuhën e të rriturve e të vegjëlve.
Nën kurimin e Esmeralda Dalipi dhe Bujana Demiraj, kjo ekspozitë vjen përpara publikut si një “ditar” me ilustrime të realizuara ndër vite, në teknika të ndryshme, nga autorë të specifikave të ndryshme.
Është vendosja e Abdurrahim Buzës, piktorit më të rëndësishëm realist të shekullit XX-të, përballë Guri Bulollarit, një piktor autodidakt të pa ndikuar nga arsimimi akademik, që e bën këtë ekspozitë unike të llojit të saj.
Është prezantimi I krijimtarisë së Agim Fajës, ilustrues dhe krijues i teksteve letrare për më shumë se 50 vjet në Shqipëri, me mbi 100 libra të ilustruar për fëmijë dhe të rritur, përkrah Ledia Konstandinit, artiste e gjeneratës së re, e cila ilustron përmes mediumit të ri dixhital manual, që e bën këtë ekspozitë një burim kurioziteti për çdo moshë.

Konferenca për mediat do të mbahet ditën e premte dt. 23 qershor ora 10.00.
Ekspozita hapet të premte 23 qershor ora 11.30 të paradites.