Nata e Bardhë në GKA dhe ekspozita "Pa titull" e artistit Zeni Ballazhi
29 Nëntor - 10 Dhjetor, 2017

Galeria Kombëtare e Arteve ka kënaqësinë të hapë dyert e saj në Natën e Bardhë! 29 Nëntori, dedikuar muzeve të hapura, vjen në GKA me inagurimin e një ekspozite të re. Në koleksionin “Pa titull” që artisti kosovar Zeni Ballazhi propozon për publikun shqiptar dhe të huaj, përpiqet që nëpërmjet artit të rindërtoj shpirtërisht unitetin e njeriut, t'i rijap atij energji dhe tension, për të transformuar raportin e tij personal me botën. “Koncepti i artit përqaset me nevojën për të futur të gjithë elementet e gjallë në raport me botën dhe komunikimin ndërmjet tyre, pa privilegjuar asnjë...” shprehet Ballazhi.

Në vizionin e tij mbi artin bashkëkohor artisti është koshient se ndikimi i realitetit që e rrethon, tek artistit është mjaft i rëndësishëm dhe se ai vlerëson artin tek emocioni që ai i trasmeton publikut si edhe tek profesionalizmi që artisti shfaq përmes disa mediumeve si: video-instalacion, pikturë, disenjo, fotografi, skenografi filmi dhe teatri, kostumografi, land art.

Në mbrëmjen e “Natës së Bardhë”, deri në orët e para të mëngjesit publiku do të ketë mundësi të vizitojë të gjitha sallat e Galerisë Kombëtare të Arteve, siç është linja muzeale me krijimtarinë e artistëve të traditës si: Kol Indromeno, Simon Rrota, Ndoc Martini, Spiro Xega, Zef Kolombi, Vangjush Mio, si dhe tablotë me vepra të artit të propagandës komuniste që u realizuan në Shqipëri nga viti 1944-1990. Në dy salla të veçanta të Galerisë, gjatë Natës së Bardhë, do të vazhdojnë të jenë të hapura dy ekspozitat e përkohëshme: Kotësia e Dallime të Vogla” nga GRAYSON PERRY dhe ekspozita e artistes së njohur gjermane ROSAMARIE TROCKEL.

Jeni të mirëpritur të shijoni artin në Natën e Bardhë të Galerisë Kombëtare të Arteve!