Rosemarie Trockel - Vizatime, Objekte dhe Video të Përzgjedhura
24 Tetor - 3 Dhjetor 2017
Kurator: Gudrun Inboden në bashkëpunim me znj. Rosemarie Trockel

Siesta, 2000, Copyright: VG Bild-Kunst


Galeria Kombëtare e Arteve dhe Ambasada Gjermane kanë kënaqësinë e veçantë të hapin në datën 24 Tetor 2017, ora 18.00, ekspozitën “Rosemarie Trockel – Vizatime, Objekte dhe Video të Përzgjedhura”, të artistes së famshme gjermane Rosemarie Trockel (lindur në vitin 1952 në Schwerte, Gjermani). Ekspozita, e cila organizohet nga Galeria Kombëtare e Arteve në bashkëpunim me Institutin për Marrëdhëniet me Jashtë (ifa) dhe Ambasadën Gjermane në Tiranë, hapet si një nga aktivitetet e rëndësishme të Tetorit Gjerman për vitin 2017. Kjo është hera e parë që kjo artiste ekspozon veprat e saj në Shqipëri.

Rosemarie Trockel vlerësohet si një nga artistet më të famshme bashkëkohore sot në shkallë globale, e cila e shpreh vështrimin e saj krejtësisht vetjak për botën me anë të objekteve, skulpturave dhe instalacioneve. Kjo ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Arteve i mundëson publikut shqiptar për herë të parë një udhëtim eksplorues në veprat e kësaj artisteje shumëdimensionale: duke nisur nga vizatimet, fotografitë, tablotë e famshme me thurje e deri tek “Malmaschine” dhe video-instalacionet.

Skena artistike, e dominuar për kohë të gjatë nga meshkujt, e ka nxitur Rosemarie Trockel-in qysh herët për kundërvënie ndaj saj. Ajo vazhdimisht formulon pozicione kundërshtie dhe pasqyron pikëpamjen e saj si një përfaqësuese e botës së theksuar artistike femërore, dhe nuk kursehet as me kritika parimore ndaj sistemit ekzistues të artit. Por, pavarësisht qëndrimit të saj kritik, veprat e Rosemarie Trockel-it shfaqen për vizitorin si projektime të vrullshme mendimesh plot fantazi dhe si skica artistike qartësisht bindëse.

Në punët e Rosemarie Trockel, në mënyrë rituale dhe të pandërprerë, mediat tradicionale dhe ato të reja shkrihen në lidhje të befasisshme për shikuesin. Kjo është veçanërisht e dukshme në vizatimet me tush, karbon, laps, kolazhet apo dhe vizatimet kompjuterike, të cilat zënë një vend të rëndësishëm në veprën e saj. Çdo fazë e re e punës së Rosemarie Trockel shoqërohet me vizatime, të cilat janë dhe skica që vënë në dukje vëzhgimet dhe idetë e saj në proces krijimi, por, siç është veçanërisht e dukshme në veprat aktuale të formatit të madh, ato gjithashtu formojnë edhe një trup të pavarur pune dhe krijimtarie. Si rrjedhim, kjo ekspozitë vë një theks të veçantë në veprat në këtë medium, por edhe në videot e saj.

Në datën 24 Tetor, ora 11.00, do të zhvillohet konferenca për shtyp në Galerinë Kombëtare të Arteve me pjesëmarrjen e përfaqësueses së Institutit për Marrëdhëniet me Jashtë (ifa) dhe Ambasadores Gjermane.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 3 Dhjetor 2017