Ekspozitat e Shkuara

Arben Golemi - Tjetërsime
2 - 23 Qershor, 2017


Nga data 2–23 Qershor 2017, Galeria Kombëtare e Arteve paraqet për publikun e saj ekspozitën “Tjetërsim”, të piktorti Arben Golemi.
Në hapje të sezonit turistik, kjo ekspozitë vetjake sjell në Galerinë Kombëtare të Arteve punë të autorit në harkun kohor 2005-2017. Kuratori I ekspozitës z. Ylli Drishti ka përzgjedhur për këtë ekspozitë rreth 67 punime në teknikë mikse, duke i dhënë publikut një panoramë të rrugës krijuese të Golemit gjatë këtyre viteve.
Sipas konceptit kuratorial ekspozita përmban katër cikle kryesore; Berati, New York, Baroque dhe Pylli. Këto cikle piktorike përbëhen nga tablo unikale të cilat nuk përsërisin njëra tjetrën, përkundrazi na sjellin një larmi kompozicionale dhe një fuqi koloristike të papritur.
Kjo është ekspozita e katërt vetjake e autorit në Galerinë Kombëtare, por veçanërisht kjo përzgjedhje, evokon pjekurinë artistike të autorit, përmes një koloriti dekorativ shpërthyes dhe një “kodi unik artistik”.

Arben Golemi është një nga piktorët e rëndësishëm të artit modern shqiptar. Me krijimtarinë e tij Golemi ndikoi në rrethet artistike të vendlindjes, duke krijuar imazhin e një piktori modern, kërkues të formave dhe shprehjeve të reja artistike. Piktura e tij theu mentalitetin artistik ekzistues të artit realist mbizotërues, ndërsa Golemi u bë një nga protagonistët kryesorë të asaj që mund të quhet “piktura moderne shqiptare e fundit të shekullit XX”. Pas viteve 1990 krijimtaria e tij u prezantua në shumë veprimtari ndërkombëtare, ekspozita personale e kolektive.
“Tjetërsim” do të ekspozohet në sallën kryesore të ekspozitave në Galerinë Kombëtare.

Konferenca për mediat do mbahet më 2 qershor 2017 ora 11.00.

Përurimi i ekspozitës do të jetë në orën 19.00 të pasdites.


Mediterranea 18 - Young artists biennale
4 - 28 Maj, 2017


Mediterranea 18 Bienalja e Artistëve të Rinj është edicioni i 18-të i Bienales së Artistëve të Rinj nga Europa dhe Mesdheu.
Një ngjarje e organizuar nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë dhe Durrës dhe e promovuar nga BJCEM.

230 artistë, regjisorë, shkrimtarë, arkitektë, performues, muzikantë dhe artistë pamor nga mosha 18 deri në 34 vjeç, janë përzgjedhur në fushat e arteve pamore, arteve të aplikuara, filmit, muzikës, performancës dhe letërsisë kreative.

Artistët u ftuan të paraqesin projektet e tyre duke u përqendruar në temën "SHTËPIA", e ideuar nga Drejtori Artistik, Driant Zeneli, i cili e shprehu atë në katër elemente: Historia + Konflikti + Ëndrra + Dështimi = Shtëpi.
Kuratorët e Mediterranea 18 janë: Jonida Turani - kuratore e Arteve të Aplikuara; Maja Ćirić - kuratore e Arteve Pamore; Ema Andrea - kuratore e Performancës; Maria Rosa Sossai - kuratore e Letërsisë kreative; Alban Nimani & Rubin Beqo/Tulla Center - kuratorë të Muzikës dhe Eroll Bilibani/DokuFest - kurator i Filmit.
Për gjashtë ditë Tirana dhe Durrësi do të pushtohen në mënyrë paqësore nga fuqia krijuese e artistëve më interesantë euro-mesdhetarë të moshës nën 35 vjeç. 6 ditë ekspozita, koncerte, shfaqje, lexime, filma, workshope dhe shumë më tepër.

Hapja në 4 maj në orën 18:00 tek Parku Rinia Të gjitha ambientet kryesore të ekspozitës (Muzeu Historik Kombëtar, Galeria Kombëtare e Arteve, ish-Ambasada Jugosllave, Qendra Rinore, Shtëpia e gjetheve) do të jenë të hapura që nga ora 18.30. Ekspozitat do të jenë të hapura për publikun deri më 28 maj 2017.

Na ndiqni në Tiranë dhe Durrës!


Julius Eb - Gjenerata A
26 Prill - 25 Maj, 2017


Galeria Kombëtare E Arteve ka kënaqësinë të prezantojë ekspozitën e fotografit gjerman Julius Eb.

Projekti fotografik “Gjenerata A” reflekton perceptimin e Julius Eb për identitetin dhe vlerat, bukurinë por edhe anën e vështirë të transformimit. Eb tregon trajektoren e ndryshimeve dhe tranzicionin e shoqërisë shqiptare brenda një periudhe kohore gati 30 vjeçare duke u fokusuar thuajse ekskluzivisht tek ai brez, titulluar nga vetë Eb si “Gjenerata A”, që thuajse nuk njohu aspak diktaturën komuniste në Shqipëri, pas rënies së saj në 1990. Piramida nga jashtë– dikur një monument tribut për Enver Hoxhën dhe regjimin e tij socialist është rrënuar dhe kthyer në një “shesh lojrash” të shkatërruar për Rrëshkitësit e Piramidës.

Monumentet e reja prezantojnë shoqërinë e re dhe janë po aq të dallueshme: makina luksi, veshje të modës së fundit, blloqe pafund betoni me pallate të reja që tregojnë historinë e tranzicionit që nuk mbaron kurrë.

Eb merr ne shqyrtim fatin e individit në ditët tona moderne në një përballje me të shkuarën e tij. Çfarë e përcakton Gjeneratën A? Cilat janë vlerat e kësaj shoqërie të re? Si funksionojnë gratë në këtë tranzicion të shoqërisë? Një gjeneratë, për të cilën kujtimet e diktaturës do të jenë gjithnjë e më të pakta në diskutimet me prindërit, gjyshërit dhe librat e historisë.

Si një udhëtar në kërkim, Julius Eb është gjithmonë në lëvizje, duke u shndërruar në një arkeolog dixhital të së tashmes.
Fotografia kontemporane ofron një sfidë kontrastuese me artin e Realizmit Socialist.
Fotografia e Eb është e gjitha e manipuluar dhe nëpërmjet këtij transformimi dixhital sfondet fotografike kalojnë në pllaka piktorike njëngjyrëshe ku habitati njerzor lë shenja të mezidukshme dhe përmbajtja e punës shkëputet thuajse e gjitha nga forma e saj.
Iris Luarasi, Artan Shabani

Ekspozita hapet ditën e mërkurë 26 Prill, ora 19.00

Konferenca për shtyp zhvillohet më 26 Prill, ora 11.00


Zinni Veshi - Për tej të figurshmes
14 Prill - 17 Maj, 2017

Njeriu duke mbaruar Darken, 2016, Polymer emulsion në kanavacë, 132 x 132 cm


Ditën e premte 14 prill 2017, ora 18.00, Galeria Kombëtare e Arteve ka kënaqësinë t’ju ftojë në ceremoninë e inaugurimit të ekspozitës "PËR TEJ TË FIGURSHMES" të artistit Zinni Veshi, kuruar nga Krenar Zejno.

“Për tej të Figurshmes” nuk ka nevojë e as mundësi për koncept që projekton e prodhon ekspozitë, do të jetë tabloja vetë edhe projeksioni që ekspozon vetiu koncepte. Qenia në të, do ta gjurmojë po vetë rrugëtimin e zgjedhur, duke qenë njëherit udhërrëfyesja e saktë e destinacionit, për këdo që, përveç pikturës si e tillë, do ta kishte edhe një të tillë kuriozitet. Por, vërtet, nga vijnë e ku shkojnë këto qenie që tërheqin natën me vete, e bashkë me të dremitjen, kushedi dhe ëndrrat, iluzionet, zakonet, monotoninë, tok me sokëllimat?! Nga ana e bashkëkohësisë artistike, kuptohet, do shkojnë për aty ku janë nisur: tej të figurshmes, kah poetika e shfigurimit piktorik. Te bashkëkohorja e vërtetë e vajit në kanavacë. Pra, në kanavacën vërtet bashkëkohore. Zinni Veshi, është piktori i figurës njerëzore, Qenies. Çdo tablo këtu është një ekspoze portreti në grup, ashtu si dhe një ekspozitë portretesh, por duke e shtyrë portretin dhe trupin kah zhbërja piktorike. Drejt fytyrës së pafytyrë. Është si një agregat treni të nëndheshëm, me profile të kudondodhur, nëpër stacione të pa fiksuara. New York, qyteti ku jeton autori dhe mpikset tabloja e tij është si një stacion koincidence, porse tipik për t’i dhënë ngarkesën urbane subjektit. Ndërkohë që adresa stilistike është tepër e saktë, e shënjuar rigorozisht për të na udhërrëfyer drejt një thelbësie integrale, koherente, pa rënë në eklektizëm dhe duke i qendruar vetvetes. Forca centrifuge, ngjeshur nën tension e energji, do ta bënte çdo pjesëz fragment të tablosë të rikrijonte të tërën. E për këtë lypset edhe mjeshtëria e përmbushjes së atij dallimi nga shtresa te shtresa, që i jep ritmin dramës dhe dramacitetin kësaj ritmike, si dhe mundësinë për ta shquar e ndjerë edhe shikuesi.

Konferenca për shtyp do të zhvillohet ditën e premte, 14 prill 2017, ora 11.00.


Zef Shoshi - Vepra 1956 - 2014
30 Mars - 30 Prill, 2017

Zef Shoshi, Malësorja e vogël, 1975, Vaj në kanavacë, 50 x 41 cm, (fragment). Koleksioni i GKA. Nr. Inv. 2451


Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë dhe Galeria Kombëtare e Kosovës, Prishtinë, kanë kënaqësinë të prezantojnë për publikun ekspozitën vetjake të piktorit shqiptar Zef Shoshi.

Kjo ekspozitë sjell një përmbledhje prej 38 punimesh në gjini si; kompozimi, portreti, peizazhi vizatimi e pasteli, të cilat datojnë nga viti 1956 deri në 2014.

Këto vepra vijnë si pjesë e koleksionit të Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë dhe koleksionit privat të artistit.

Zef Shoshi është një nga artistët më në zë të arteve pamore të shekullit të XX në Shqipëri, pjesë e grupit të piktorëve kryesorë të Realizmit Socialist në Shqipëri.

Ai është një artist shumëdimensional, i cili gjatë krijimtarisë së tij 55 vjeçare ka krijuar tablo kompozicionale, portrete, peizazhe, vizatime e grafika, si edhe postera, ilustrime për fëmijë, apo kopertina librash.

Zef Shoshi ka studiuar në Institutin “Ilya Repin” në Shën Petërsburg, Rusi duke u bërë menjëherë pjesë e brezit të ri të artistëve që kontribuan në zhvillimin e pikturës së Realizmit Socialist gjatë viteve 1960-1990 në Shqipëri.

Ai është i njohur për tablotë e tij kompozicionale me tema të ndryshme historike, tema nga klasa punëtore dhe bujqësia, tema në mbështetje të propagandës shtetërore komuniste, si dhe një seri tablosh kushtuar figurës së Enver Hoxhës.

Drejtues i Projektit: Artan Shabani
As/Projektit: Bujana Demiraj
Kurator: Esmeralda Dalipi, Ylli Drishti

Konferenca për shtyp do të zhvillohet datë 29 mars 2017, ora 11:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës, Prishtinë.

Ekspozita do të çelet datë 30 mars 2017, ora 19:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës, Prishtinë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga data 30 mars - 30 prill 2017.


Kryeveprat e artit Italian të viteve 1900
16 Janar - 02 Prill, 2017

Ekspozita, nën kujdesin e Arianna Angelelli; Maria Catalano dhe Federica Pirani me më shumë se njëqind vepra të mrekullueshme, me prejardhje nga Galeria e Arteve Moderne në Romë, ka për qëllim të prezantojë kulturën artistike në Romë dhe në Itali në gjysmën e parë të shekullit të XX, gjuhët që e kanë përcjellë, artistët dhe lëvizjet e referimit duke kaluar nga Simbolizmi, Secesioni, Futurizmi, Klasicizmi i Ri, Shkolla Romane, Abstraktizmi.

Figurat e mrekullueshme femërore, portretet e personazheve të famshëm, pamjet e Qytetit të përjetshëm dhe të fshatit roman, natyrat e vdekura, janë subjektet kryesore të trajtuara nga artistët protagonistë të ekspozitës, ndër të cilët dalin në pah emrat: Giacomo Balla, Carlo Carrà, Giorgio de Chirico, Fortunato Depero, Renato Guttuso, Giacomo Manzù, Tato, Giulio Turcato, vetëm për të përmendur disa nga më shumë se 60 artistët e paraqitur.

Ekspozita është promovuar nga Zyra e Kryeministrit të Shqipërisë, Ambasada Italiane në Tiranë, Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, Ministria e Kulturës së Shqipërisë, Bashkia e Tiranës, Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë, në bashkëpunim me Sovrintendenza Capitolina (Drejtoria e mbikëqyrjes Capitolina), Bashkia e Romës, Departamenti i Rritjes Kulturore, Galeria e Artit Modern të Romës dhe është realizuar e organizuar nga Arthemisia Group.

ORARI
Çdo ditë nga ora 10 deri në orën 19
(Biletaria mbyll një orë përpara)

BILETA
E plotë 700 Lek
Me zbritje 500 Lek
Grupe të rriturish 500 Lek
Shkollat 100 Lek
(rezervat e nevojshme të aktiviteteve didaktike)

INFORMACIONE DHE REZERVIME
T. 042 226033




Çmimi i 22​-të Ndërkombëtar Onufri
Stranger than Kindness – Mitrush Kuteli
15 dhjetor, 2016 - 1 Shkurt, 2017

Galeria Kombëtare e Arteve e mbështetur nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë ka kënaqësinë të prezantojë për publikun edicionin e XXII të Çmimit Ndërkombëtar Onufri, me titull “Stranger than Kindness – Mitrush Kuteli”, kuruar nga artisti shqiptar Fani Zguro. Ekspozita do të instalohet në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve dhe pjesë e saj do të jenë gjithashtu edhe dy projektet speciale “Kinema” dhe “Taxi” (kjo e fundit e merr zanafillën nga projekti zanor i Anri Salës “No Formula One, No Cry – Taxi”). E frymëzuar nga hiti i Nick Cave and the Bad Seeds “Stranger than Kindness”, ky edicion i kushtohet shkrimtarit shqiptar Mitrush Kuteli (1907-1967).

Artistët:
Hamra Abbas, Klodiana Alia, Luca Bolognesi, Guri Bulovari, Erik Bünger, Kajsa Dahlberg, Nico Dockx, Jakup Ferri, Ulrika Ferm, Regina José Galindo, Rä di Martino, Dora Garcia, Manuela Garcia, Yllka Gjollesha, Khaled Hafez, Pablo Helguera, Dejan Kaludjerovic, Ilir Lluka, Edson Luli, Christopher Milne, Haroon Mirza, Museo Aero Solar, Bruno Muzzolini, Ferhat Özgür, Klodian Pasku, Steve Piccolo, Leonard Qylafi, Pipilotti Rist, Damien Roach, Karl Ingar Røys, Anri Sala, Tomas Saraceno, Mariette Schiltz and Bert Theis, Arjan Shehaj, Bert Theis, Josephine Turalba, Esmé Valk, Daniëlle Van Ark, Desmond Xhixha, Helidon Xhixha, Shingo Yoshida, Ergin Zaloshnja

Fani Zguro ka lindur më 1977 në Tiranë. Jeton dhe punon në Berlin.

Konferenca me mediat do të jetë dt.15 dhjetor 2016, ora 13.00

Ekspozita do të hapet dt. 15 dhjetor 2016, ora 18.00 dhe do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 1 Shkurt 2017.


Nata e bardhe në muze & "Primigenius" Eltjon Valle
29 Nëntor, 2016

Më datë 29 nëntor 2016 Ministria e Kulturës dhe Galeria Kombëtare e Arteve sjellin për publikun e gjerë “Nata e Bardhë në Muze”. Gjatë “Nata e Bardhë në Muze” publiku do të ketë mundësi të vizitojë koleksionin e pikturave, vizatimeve dhe skulpturave të ekspozuara në sallat e Galerisë Kombëtare, duke komunikuar kështu me veprat e autorëve shqiptarë të para luftës dhe të periudhës së realizmit socialist.

Kjo natë në Galerinë Kombëtare të Arteve, I bashkohet traditës së 120 qyteteve europiane, në një mbrëmje që starton me orën 18.00 të 29 Nëntorit për të vazhduar deri në orët e para pas mesnatës.

Enkas për këtë mbëmje artisti i ftuar Eltjon Valle do të përurojë veprën e tij me titull “Primigenius”, një skulpturë që do të vendoset e zbulohet pranë hyrjes qëndrore të kësaj galerie.

Artisti bashkëkohor Eltjon Valle përmes kësaj vepre sjell shqetësimin e tij për ekologjinë, ambjentin e tokën. Vepra e përbërë nga dy struktura është një fuzion i tokës - si vazhdim i ciklit që artisti krijon me tokën dhe natyrën.

Sipas kuratores Angela Madesani, në “Primigenius”, toka bëhet subjekt i një derdhjeje në alumin, një përpjekje që sjell në dritë aspektin organik, jetësor të saj: një operacion kompleks, ku skulpturat pasi të ekspozohen, duke rënë në kontakt me ambientin e jashtëm do të kenë reagime të ndryshme, jo plotësisht të parashikueshme. Materia do të vazhdojë të jetojë, të ngrohet, të ftohet dhe të ndryshojë erën e saj.

Konferenca për shtyp me artistin Eltjon Valle do të mbahet ditën e martë, dt.29 Nëntor ora 13:00, në Galerinë Kombëtare të Arteve.


Komuniteti Itali
Revista, Libra, Projekte, Institucione
19 Tetor - 29 Nëntor, 2016

Instituti Italian i Kulturës, në bashkëpunim me Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë dhe Triennalen e Milano-s, prezanton ekspozitën Komuniteti Itali: revista, libra, projekte, institucione kuruar nga Raffaella Poletti dhe Paola Nicolin.

Komuniteti Itali është një ekspozitë e arkitekturës italiane e shekullit të Njëzetë, kuruar nga Alberto Ferlenga dhe Marco Biraghi, e cila u mbajt në Triennalen e Milanos nga nëntori 2015 deri në mars 2016. Ekspozitë, e ndarë në seksione, ka tentuar të nxjerrë në pah kompleksitetin e veçantë dhe pasurinë e kulturës arkitektonike italiane dhe aftësinë e saj për t’u frymëzuar dhe për të marrë forcë nga një marrëdhënie e ngushtë me qytetin dhe peisazhin.

Ekspozita ka marrë në konsideratë, marrëdhënien midis arkitekturës dhe arteve të tjera të tilla si piktura, skulptura dhe fotografia, roli i institucioneve kulturore si Triennale e Milanos, Biennale e Venecias dhe Maxxi në Romë, pesha e Universiteteve, prania e gjerë e arkivave, marrëdhëniet me Dezajnin dhe me Ndërtimin, fati i veçantë i botimeve të Arkitekturës si dhe prania e një numri të madh arkitektësh dhe inxhinierësh me vlera, që nuk kanë pasuar të tillë në vendet e tjera evropiane.

Ekspozita hapet ditën e martë, 18 tetor 2016, ora 18.00.​


Bashkim Ahmeti Izano
Ekspozitë personale
28 Tetor - 25 Nëntor, 2016

Nga data 28 tetor - 25 nëntor 2016, Galeria Kombëtare e Arteve paraqet për publikun ekspozitën vetjake të piktorit Bashkim Ahmeti Izano. Kjo ekspozitë vetjake në Galerinë Kombëtare të Arteve sjell punë të viteve të fundit të pa ekspozuara më parë.

Drejtuesi i Projektit z. Artan Shabani dhe Kuratori z. Ylli Drishti kanë përzgjedhur për këtë ekspozitë mbi 90 punime në vaj, duke i dhënë publikut një panoramë të rrugës së tij krijuese këto 9 vitet e fundit. Sipas konceptit kuratorial ekspozita përmban dy cikle kryesore. Cikli I parë kryesisht me temë nga shqipëria përmbledh kompozime, nudo, peizazhe nga Gjirokastra e bregdeti Jon, si edhe peizazhe nga New Yorku, ndërsa cikli I dytë kushtuar shkrimtarit Ismail Kadare, vjen me punë të cilat datojnë nga 10-15 vite më parë e deri me sot.

Ky koleksion veprash në Galerinë Kombëtare vjen më i konsoliduar për krijimtarinë e artistit, ku përmes pjekurisë artistike ai realizon punimet e tij me një mjeshtri perfekte dhe një kolorit dekorativ shpërthyes.

Bashkim Ahmeti Izano ka lindur në Gjirokastër. Pas Liceut Artistik “Jordan Misja” ai kreu Akademinë e Arteve në Tiranë. Ai ishte skenograf i teatrit në qytetin e Gjirokastrës dhe u angazhua gjithashtu si skenograf në Teatrin e Operas dhe Baletit dhe Teatrin Kombëtar në Tiranë. Ai gjithashtu drejtoi grupin e artistëve të interiereve në disa muzeume kombëtare, ku edhe realizoi tablo historike në gjininë e afreskut. Gjatë kësaj kohe ai hapi disa ekspozita personale dhe mori pjesë në Ekspozita e Konkurse Kombëtare dhe Bienale të ndryshme. Nga viti 1988 -1995 ai ishte profesor i pikturës në Akademinë e Arteve në Tiranë. Në 1995 ai emigroi në SHBA, ku punon e jeton si artist i lirë në New Providence NJ. Ai ka ekspozuar në New York, Pensilvania si edhe në vendlindjen e tij Gjirokastër dhe Tiranë.

Konferenca për mediat do mbahet datë 28 tetor 2016 ora 11.00 paradite.

Hapja e ekspozitës do të jetë në orën 18.00 të pasdites.


​Roland Tasho
Flas shqip
12 - 20 Nëntor 2016

Sot, datë 12 nëntor 2016, ora 17:00, në Galerinë Kombëtare të Arteve, do të zhvillohet ceremonia e inaugurimit të ekspozitës “Flas Shqip”, të fotografit Roland Tasho. Në këtë ekspozitë vijnë personalitete të Diasporës shqiptare të fokusuar ndër vite në objektivin e Roland Tashos. Një udhëtim I gjatë I artistit, për të sjellë përmes këtij dokumenti vizual, imazhin e këtyre personaliteteve dhe jo vetëm, nga vendet ku ata punojnë dhe jetojnë.

Kjo ekspozitë organizohet në kuadër të Samitit të Diasporës dhe do të qëndrojë e hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve, Muzeun Historik Kombëtar dhe Qendrën për Hapje dhe Dialog pranë Kryeministrisë.

Ceremonia e hapjes do të zhvillohet në praninë e Ministrit të Punëve të Jashtme z.Ditmir Bushati dhe Ministres së Kulturës zj.Mirela Kumbaro.​


Ditar i nje hapesire
Prill - Tetor 2016

“Ditar i një hapësire” më shumë se sa një ekspozitë është udhëtim në kohë në hapësirën e quajtur Shqipëri. E çelur në Galerinë Kombëtare të Arteve, ekspozita e organizuar nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit është një këndvështrim mbi planifikimin në tokën shqiptare duke nisur nga viti 500 p.e.s deri në vizionin për 15 vitet e ardhshme.

Një hapësirë...

Përtej një dhome të bukur, është në dëshirat e gjithësecilit edhe një oborr, një rrugë, lagje e qytet, ku reflektohet e njëjta frymë, vëmendje e pasion. Dëshirojmë së bashku një territor që të na përkasë jo vetëm në bashkëpronësi. Kërkesat dhe pasionet tona mbivendosen në të njëjtën hapësirë. Si t'i koordinojmë ato?

“Planifikimi është platforma e koherencës së përbashkët”.

Territori na përket të gjithëve, dhe nga ana tjetër jo vetëm NE. E ardhmja e tij është çështje që duhet të na interesojë dhe duhet të përfshihemi në diskutimet rreth saj. Për të vendosur mbi të ardhmen duhet të shohim nga kemi rrjedhur dhe ku kemi mbërritur, duhet të njohim mirë të shkuarën e përbashkët dhe të kuptojmë të tashmen ku jetojmë.

Një vend...

Prej mbi dy vjet tashmë, mendojmë, diskutojmë dhe punojmë për të ndërtuar vizionin e Shqipërisë së 2030-ës. Produktin e punës së përbashkët menduam ta sjellim edhe në një ekspozitë nëpërmjet një forme të ndryshme komunikimi, për këdo që dëshiron të kuptojë e të mësojë më tepër për planet e 15 viteve të ardhshme. Menduam t’i japim zë në ekspozitë jo vetëm punës së përbashkët, por edhe mendimit të çdo qytetari.

Ekspozita zë fill si një prezantim disa mujor i vizionit Shqipëria 2030: Plani i Përgjithshëm Kombëtar, Plani i Integruar Ndërsektorial për Bregdetin dhe Zonën Ekonomike Tiranë-Durrës. Por nuk mbeti aty. U zhvillua shumë më tepër dhe mori formën e një vendi ku rrëfehet për Shqipërinë, formimin e vendbanimeve të saj, thesaret që ajo mbart dhe për të cilat duhet të bëhemi të vetëdijshëm; ku rrëfehet për dëmet që i kemi shkaktuar territorit, por edhe për potencialet e tokës sonë.

Një udhëtim në kohë e në hapësirë, si një ditar ku është shkruar historia e territorit, ku flitet për të tashmen e projektohet vizioni i së ardhmes.

E ideuam ekspozitën si një hapësirë diskutimi, edukimi, informimi e ndërgjegjësimi. Shpresojmë të vizitohet, por mbi të gjitha të përjetohet dhe të bëhet pikë referimi për profesionistët apo grupe interesi.

AKPT (Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit)


Abaz Hado
Abagraphy
7 Tetor - 24 Tetor, 2016

Nga data 7 tetor – 24 tetor 2016, Galeria Kombëtare e Arteve sjell për publikun e saj ekspozitën vetjake të artistit Abaz Hado, me titull “ABAGRAPHY”. Kjo ekspozitë e piktorit grafik Hado, vjen me një karakter kronologjik, organizuar sipas cikleve dhe periudhave krijuese të artistit. Kuratorja turke znj. Beste Gursu ka përzgjedhur 140 punime grafike për t’i dhënë publikut një panoramë të plotë të rrugës së tij krijuese. Punimet grafike të Hados janë kryesisht monokrome të realizuara në linoleum, një teknikë të cilën ai vazhdon ta përdorë edhe aktualisht. Në punimet e tij grafike ​ndjehet fuqishëm ekspresiviteti dhe lëvizja. Ai trajton tema sociale dhe aktuale, ku në qendër të tablove qëndron figura dhe jeta e njeriut shqiptar. Ai preferon të realizojë kompozime shumëfigurëshe të cilat i organizon sipas një “kodi” të caktuar. Kështu në disa nga punimet e tij grafike vëmëndjen kryesore ai ja kushton figurave të planit parë, ku edhe sfondi mbetet pjesë e fuqishme e kompozimit, ndërsa në punime të tjera Hado preferon të evidentojë vetëm figurat kryesore.

Hado është një artist shumëdimensional: Piktor, grafist, studjues dhe menazher arti. Ai lindi në Shijak në 1957. Ai kreu studimet në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë për Pikturë Monumentale dhe u specializua si kritik arti. Punimet e artistit Hado ndodhen në GKA, Tiranë dhe në mjaft koleksione private në Itali, Japoni, Austri, SHBA, Norvegji, Gjermani, Greqi, Angli.

Konferenca për shtyp do të mbahet ditën e premte dt. 7.10.2016, ora 10:00

Hapja e ekspozitës do të jetë ditën e premte dt. 7.10.2016 ora 19:00​


Oltsen Gripshi
​Antropo-Fenomenologji


5 tetor - 20 tetor, 2016​

Nga data 5 tetor – 20 tetor 2016, Galeria Kombëtare e Arteve sjell për publikun e saj ekspozitën vetjake të artistit Oltsen Gripshi, me titull “Antropo- Fenomenologji”.

Nën kurimin e z.Andi Tepelena, kjo ekspozitë vjen si një kërkim konstant I artistit, pasqyruar në mënyrën se si e sheh dhe interpreton ai kulturën dhe identitetin e qënies njerëzore, nën ndriçimin e gjuhës së artit bashkëkohor.

Veprat e kësaj ekspozite sjellin një larmi teknikash në realizmin fizik dhe substancial të tyre, në një ndërthurje midis pikturës së vajit, instalacionit dhe video-artit.

Në pikturën e tij me qasje semiotike, artisti hedh një vështrim mbi dritëhijet e njeriut bashkëkohor, duke depërtuar thellë në djeshmëritë e tij, sikurse janë emocionet, ëndrrat, ankthet, erosi, ndrojtja, plakja, apo virgjiniteti, si fenomen në shoqërinë shqiptare etj…. - Një radiografi e mirëfilltë e qënies njerëzore, në një marrëdhënie ballore me realitetin dhe fenomenologjinë e tij.

Gjithashtu sipas kuratorit Tepelena, tema e pritjes, e pranishme ne veprën e Gripshit, krijon një gjendje të pezullt midis kufirit gjeografik dhe atij mendor, përcjell simbolikisht brishtësinë e ekuilibrit midis kujtesës dhe harresës, konceptit dhe imagjinatës.

Falë mjeteve simbolike, ekspozitën e Gripshit e përplotëson eksplorimi I çështjeve që mbartin një kritikë institucionale gërryese, duke risjellë në qendër të vëmendjes shqetësimin e artistit bashkëkohor mbi mjedisin, demagogjinë e politikës, zhvillimet shoqërore dhe kulturore në Shqiperi.

Oltsen Gripshi ka lindur në vitin 1984 në Peqin, Shqipëri. Në vitin 2006 ai diplomohet pranë Akademinsë së Arteve të Bukura G.B Cignaroli në Verona të Italisë. Ai edukohet më tej në fushën profesionale dhe akademike.Në 2009, përfundon Master Profesional (Post Lauream), pranë Universitetit Shtetëror të Padova-s, në 2010 përfundon shkollën e specializimit të nivelit të dytë (Laura Doctus) pranë AAB G.B Cignaroli në Verona. Nga viti 2013 ai djek shkollën doktorale pranë IAKSA në Qendrën e Studimeve Albanologjike, Tiranë. Ai është fitues I një numri çmimesh ndërkombëtare.


Skënderbeu në artin pamor shqiptar
20 Maj - 20 Tetor 2016

Spiro Xega, Skënderbeu, 1931, Vaj në kanavacë, 77.5 x 107 cm (detaj)

 

Më datë 20 Maj 2016, ora 11.30, Galeria Kombëtare e Arteve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, çelin ekspozitën “Skënderbeu në artet pamore shqiptare”. Ekspozita do të inagurohet në qytetin e Krujës, në sallën e Pinakotekës të Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Ekspozita e kruruar nga Ylli Drishti, është vazhdim i projektit që filloi në Paris (Francë) në janar 2016, i cili erdhi si një bashkëpunim mes GKA dhe “Maison de l’Albanie”, kushtuar Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Në Krujë, ekspozita me 30 vepra arti dhe dokumenta historike do të prezantojë punë të rëndësishme nga fondi i GKA, nga studiot e artistëve dhe vepra të koleksionistëve. Përmes saj do të shfaqet një panoramë më e zgjeruar e figurës së Skënderbeut, në artet pamore shqiptare dhe dokumentat historik. Në të janë paraqitur vepra nga më të hershmet e unikalet, të realizuara nga piktorë patriotë shqiptarë si Anastas Ballamaçi e Theohar Gjini, e më vonë Spiro Xega.

Përmes rendit kronologjik, publiku do të njihet me një koleksion po aq të veçantë veprash origjinale. Nëpërmjet qëndrimeve stilistike personale ku pasqyrohen konceptime dhe ndikime të kohës kur ato u krijuan, mjeshtra të pikturës shqiptare si Andrea Kushi, Zef Kolombi, Simon Rrota, Kel Kodheli, Ibrahim Kodra, Guri Madhi, Vilson Kilica, Zef Shoshi, Nexhmedin Zajmi, Muhamet Deliu, Pandi Mele, Ibrahim Çezma, Arben Golemi, Dhimitër Theodhori, Anastas Kostandini, Genti Proko dhe Sokol Gidaj, kanë dhënë secili interpretimin e tyre për këtë figurë komplekse historike.

Veprat jane në teknikën e vajit, akuarelit, grafikës, vizatimit, si dhe dy postera të vitit 1968.
Ekspozita do te shoqerohet edhe me katalogun përkatës.

Hapja e saj do të paraprihet nga një konferencë për shtyp në mjediset e Muzeut “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë, më 20 Maj, ora 11.00.


Tülin Onat
​Qark


14 Shtator - 2 Tetor 2016​

Më datë 14 Shtator 2016, ora 19.00, Galeria Kombëtare e Arteve dhe Instituti Junus Emre në Tiranë kanë kënaqësinë të prezantojnë për publikun ekspozitën “QARK” të artistes turke Tulin Önat, me kurimin e Beste Gürsu. Kjo është hera e parë që kjo artiste hap një ekspozitë vetjake në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Ekspozita, e cila do të qëndrojë e hapur deri me datën 2 Tetor 2016, organizohet nën kujdesin e ambasadës turke në Tiranë, mbështetjen e İKASD (Shoqata e Dialogjeve Ndërkulturore të Artit Stamboll) dhe Linjës Ajrore Turke (THY) Turkish Airlines.

Artistja Onat (lindur më 1946 në Stamboll), diplomuar për pikturë në 1971 nga Akademia Shtetërore e Arteve të Bukura për Pikturë, në Stamboll, ka hapur 37 ekspozita vetjake, ka marrë pjesë në më shumë se 200 ekspozita kolektive brenda e jashtë Turqisë dhe është vlerësuar me mjaft çmime ndërkombëtare. Veprat e saj gjenden të eskpozuara në një sërë muzeumesh e koleksionesh private.

Kuratorja Beste Gürsu thekson se format abstrakte, thellësia dhe efekti i ngjyrave, i përforcuar me punimet tre përmasore të veprave të Onat, ku muri nuk luan thjeshtë rolin e mbajtësit, por pozicionohet si pjesë e tyre, zgjojnë te shikuesi emocion dhe dëshirën për t’i prekur.

Të Mërkurën me datë 14 Shtator 2016, ora 11.00 në Galerinë Kombëtare të Arteve do të zhvillohet konferenca për shtyp mbi këtë ekspozitë ku vetë autorja dhe kuratorja do ta prezantojnë këtë ekspozitë më gjërësisht.

Pas hapjes, ekspozita mund të vizitohet çdo ditë nga ora 09:00 – 14:00 dhe 17.00 – 20.00 në Galerinë Kombëtare të Arteve.​


Aleksander Filipi
Ekspozite Vetjake
15 Shtator - 1 Tetor, 2016

Galeria Kombëtare e Arteve Tiranë, ka kënaqësinë të organizojë ekspozitën vetjake të piktorit Aleksandër Filipi. Piktori Aleksandër Filipi bën pjesë në grupin e piktorëve modernë bashkëkohore shqiptarë.

Duke filluar nga viti 1977 me diplomimin e tij në Institutin e Lartë të Arteve nëTiranë, Filipi ka qenë gjithmonë I prirur në realizimin e tablove kompozicionale, duke realizuar tema historike, legjenda shqiptare dhe motive nga jeta e përditëshme.

Artisti Filipi ishte bashkëautor me artistët V. Kilica, A. Kostandini, A. Nebiu dhe J.Dobroniku në realizimin e mozaikut në Tirane me titull “Shqipëria”, për fasadën e Muzeumit Historik Kombëtar, Tiranë me sip. 440 m2 (1978-1981).

Gjithmonë i figurshëm e me mjete komunikuese, Filipi në vazhdimësi mbetet një piktor i rëndësishem bashkëkohor i tablosë kompozicionale në Shqipëri, ku vendin kryesor e zë figura njerëzore.

Veprat artistit Filipi janë ekspozuar në ekspozita e konkurse brenda dhe jashtë Shqipërisë, e janë gjithashtu pjesë e koleksioneve private në Shqipëri, Kosovë, Gjermani, Greqi, Itali, Francë, Venezuelë, Spanjë dhe SHBA. Vepra me titull ”Deklarimi i Aktit të Pavarësisë”, ndodhet në selinë e Kuvendit të Shqipërisë.

Ekspozita do të paraqesë një koleksion prej 21 tablosh në teknikën e vajit, të cilat kanë si motiv kryesor peizazhin urban të Tiranës, si dhe disa kompozime nga jeta e kryeqytetit shqiptar.

Punimet janë realizuar gjatë viteve 2011-2016.

Kjo është ekspoita e dytë vetjake që artisti çel në Galerinë Kombëtare të Arteve pas 24 vitesh.

Ekspozita hapet ditën e enjte 15 shtator në orën 19.00.

Konferenca për mediat është më datë 15 shtator ora 11.00.​


Artistë shqiptarë të shekullit të 20-të
10 Qershor - 10 Shtator, 2016
Galeria "Art Saranda", Sarandë

Kol Idromeno, Portret vajze, Vaj në kompensatë, 22 x 26 cm (detaj)

Galeria Kombëtare e Arteve dhe Galeria e Artit të qytetit të Sarandës ju fton më datë 10 Qershor, ora 19.30, në çeljen e ekspozitës “Artistë shqiptarë të shekullit 20”.

Ekspozita e kuruar nga Ylli Drishti e realizar nga bashkëpunimi i GKA dhe Galerisë Art-Saranda, është pjesë e kalendarit të aktiviteteve të sezonit veror. Ajo ka karakterin e një historie modeste arti të pikturës shqiptare, ku është përzgjedhur dhe paraqitet krijimtaria e një grupi prej 35 piktorësh dhe një koleksion rreth 50 punimesh të gjinive të ndryshme nga fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë.

Kontributi i artistëve të traditës si Kol Idromeno, Simon Rrota, Vangjel Zengo, Vangjush Mio, Andrea Kushi, Odise Paskali, Zef Kolombi, Spiro Xega, Ndoc Martini, Sadik Kaceli, në artin shqiptar konsolidoi drejtimin realist në artet pamore shqiptare në gjysmën e parë të shekullit 20. Të edukuar në Akademitë e vendeve perëndimore, ky grup artistësh u shkëput gradualisht nga temat fetare dhe realizuan kompozime, portrete e peizazhet e para realiste laike. Subjektet e tyre ishin kryesisht portrete të familjarëve, peizazhe të qyteteve e zonave rurale ku jetonin. Në kompozimet e tyre të para mbizotëronin temat historike, temat sociale dhe imazhe jeta e njerëzve të thjeshtë.

Mes 35 autorëve të njohur ekspozita sjell vepra nga artistë si A.Buza, F.Stamo, S. Papadhimitri, Z. Shoshi, V. Kilica, G. Madhi, S. Shijaku, V. Talo, A.Cangonji, H. Capari, H.Nallbani, F.Ashiku, Safo Marko, B. Ahmeti, Sh.Arapi etj.

Akademitë e ndryshme të Artit në Europë: në Venecia, Milano, Firence, Romë, Paris, Athinë, Bukuresht, Pjetërburg, Zagreb, dhe Tiranë, ku janë shkolluar autorët e këtyre veprave, talenti dhe pasioni i tyre për pikturën ,përcaktuan personalitetin me veçantitë e tyre stilistike.

Romantizmi me larmi koloristike, i bën të veçanta veprat e frymëzuara nga motivet e jetës, sidomos portretet, brenditë e ndryshme dhe peizazhi karakterestik i trevave. Ekspozita me titull:”Artistë shqiptarë të shekullit 20’ është pasqyra më interesante e zhvillimeve që ndodhën në artin pamor shqiptar, por edhe në shoqërinë shqiptare në këtë periudhë, prandaj do të tërheqë vëmendjen e publikut shqiptar dhe të huaj gjatë sezonit turistik në Sarandë.

Më datë 10 Qershor, ora 11.00, në Galerinë Art-Saranda do të zhvillohet konferenca për shtyp. ​

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 10 Shtator 2016.


Alkan Nallbani
​Eksploratorët


19 Gusht - 8 Shtator 2016​

Si pjesë e sezonit 2016, në Galerinë Kombëtare të Arteve, "Alkan Nallbani: Eksploratoret" do të hapet më 19 Gusht, ora 19:00, duke prezantuar 90 piktura, vizatime dhe gravura. Këto punë së bashku zbulojne ekperienca të universit njerëzor, te mbrujtura nga përvojat e Nallbanit në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, si pjesë e asaj plejade te artisteve te rinj shqiptare qe lane atdheun ne fillimet e viteve 90 .

Mbushur me optimizëm, arti i Nallbani leviz nga fillimet me ndikime ekspresioniste, duke pasuar ne nje kerkim më shumë personal te viteve te fundit, ne te cilin ai perzgjedh momente të thjeshta të jetës së përditshme, per ti perdorur si një mjet pergjithesues mbi temat universale të ekzistences tone .

Alkan Nallbani ka lindur në 1971, Berat, Shqipëri. Ai u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë dhe vazhdoi studimet e në Akademinë e Arteve të Bukura në Firence, Itali e me pas në Kolegjin Corcoran e Artit dhe Dizajnit, USA . Ai ka marrë pjesë në ekspozita të shumta në vende të ndryshme të Evropës dhe Shtetet e Bashkuara . Ai jeton dhe punon në New York dhe Firence. Puna e tij ka qenë i përfshirë në Bienalen Amerikane të Arteve Grafike në vitin 2010 dhe në Bienalen e Pragës në vitin 2009.

"Alkan Nallbani: Explorers" është kuruar nga Artan Shabani, Drejtor i Galerise Kombëtare, te Arteve Tirane dhe Esmeralda Dalipi, Kuratore.

Konferenca për shtyp: Të enjte, ​19 gusht 2016, ora 11:00


Ideale dhe Vepra Arti
​Një përzgjedhje veprash nga koleksioni i Muzeut Ludwig në Budapest


24 Qershor – 14 Gusht 2016

Më datë 24 Qershor 2016, ora 19.00, Galeria Kombëtare e Arteve dhe Muzeu Ludwig – Muzeu i Artit Bashkëkohor, Budapest kanë kënaqësinë të prezantojnë për publikun ekspozitën “IDEALE DHE VEPRA ARTI / Një përzgjedhje veprash nga koleksioni i Muzeut Ludwig, Budapest”. Ekspozita vjen si rezultat i një bashkëpunimi të vazhdueshëm prej mëse 2 vjetësh mes Galerisë Kombëtare të Arteve dhe Muzeut Ludwig – Muzeu i Artit Bashkëkohor, Hungari.

Përzgjedhja, që përfshin disa nga artistët më të njohur bashkëkohorë hungarezë të tillë si László Fehér, László Lakner, Dóra Maurer, Sándor Pinczehelyi e të tjerë, pasqyron të kaluarën e afërt dhe artin bashkëkohor të Hungarisë përmes veprash kryesisht në fotografi dhe multimedia, e që shpesh përfshijnë figurën e artistit.

Sipas kuratores së ekspozitës Krisztina Szipőcs, pika kryesore e ekspozitës është të zbulojë “idetë dhe mendimet pas çdo vepre, të tilla si ideologjitë, qëllimet dhe idealet – mes tyre komunizmi, shoqëria e konsumit, nacionalizmi, idealet mbi të bukurën, mendimi fetar, liria – të cilat kanë ndryshuar shumë këto 40 vjetët e fundit. Veprat e ekspozuara janë dokumente të një epoke, gjurmë të idealeve dhe vlerave që përshkojnë jetën e përditshme dhe artin.”

Të premten me datë 24 Qershor 2016, ora 11.00 në Galerinë Kombëtare të Arteve do të zhvillohet konferenca për shtyp mbi këtë ekspozitë me kuratoren Krisztina Szipőcs, historiane arti, kuratore dhe zv.drejtore e Ludwig Museum.


Migel de Servantes ose dëshira për të jetuar - Ekspozitë fotografike nga Navia
30 qershor - 28 korrik 2016

Barcelonë. Plazh në natën e San Huan-it. © Navia


Galeria Kombëtare e Arteve do të hapë më 30 qershor 2016, ora 19:00, ekspozitën “Migel de Servantes ose dëshira për të jetuar”, organizuar nga Instituti Servantes, Aksioni Kulturor Spanjoll (AC/E) dhe Agjensia Spanjolle e Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim (AECID), për të përkujtuar këtë vit 400 vjetorin e vdekjes së shkrimtarit.

Projekti, i konceptuar dhe realizuar nga Navia, paraqet përmes 50 fotografive, një udhëtim pamor nëpër vendet dhe shtigjet ku kaloi Migel de Servantes përgjatë jetës së tij, një jetë e trishtuar dhe e pasigurtë që na shfaqet me një dozë misteri në veprat e tij.

Në këtë ekspozitë, që mund të shihet deri në datën 28 korrik 2016, Navia niset nga akti i fotografimit, në një formë subjektive dhe evokuese të vendeve kryesore që lidhen me itinerarin jetësor të Migel de Servantesit, me gjurmët e një jete, në mënyrë që rezultati përfundimtar të mos jetë një përmbledhje imazhesh nga vende të ndryshme, por një seri fotografike që përbën vështrimin personal të një udhëtari që dëshiron të bëjë të vetën përmes imazhit, atë territor servantin sa letrar aq edhe të vërtetë.

Të 50 fotografitë që përbëjnë këtë ekspozitë janë të shoqëruara me tekste dhe citime letrare që i lidhin sa me shkrimtarin, aq edhe me veprat e tij. Alkala de Henares, Vajadolid, Madrid, Napoli, Siçili, Lepantos, Tunizi, Argjel, Oran, Lisbonë, Eskivias, Toledo, La Mancha, Andaluzia, apo Barcelona, janë disa prej vendeve, pjesë e itinerarit jetësor të Miguel de Servantesit.

"Për këtë projekt kam dashur të fotografoj në të njëjtat skena ku Migel de Servantes (shpesh herë i lënë në hije nga vetë krijimi i tij, Don Kishoti) kaloi ditët e tij dhe ku ëndërroi shumë nga personazhet e tij; rrugë dhe vende që mbulojnë një pjesë të mirë të gadishullit iberik dhe të botës mesdhetare: Italia, Greqia, Tunizia, Algjeria, gjithmonë i vëmendshëm ndaj njerëzve të thjeshtë dhe trajektoreve larg pushtetit. Për Servantesin mund të thuhen po ato fjalë që ai vet vuri në gojën e personazhit të tij, Avokat Vidrierës: “unë nuk jam i zoti të jetoj në Oborr, sepse jam i turpshëm dhe nuk di të bëj lajka”, na shpjegon autori.

Navia siguron se “sfida ishte të përballesha pa rezerva, edhe njëherë tjetër, me marrëdhënien e vështirë dhe apasionuese që vendoset ndërmjet imazhit dhe fjalës, ndërmjet fotografisë dhe letërsisë, gjithmonë mbi bazën e rëndësisë që si fotograf i jap idesë së gjurmës përballë asaj të aureolës. Me pak fjalë, të kërkoja atë zbulim apo “shfaqje të një afërsie, sado larg të jetë ajo që e la pas”, sipas fjalëve të Walter Benjaminit."

Më datë 30 Qershor, ora 11.00, do të zhvillohet konferenca për shtyp.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 28 Korrik 2016.


Arti dhe dizajni i filmit shqiptar – Vepra të përzgjedhura nga vitet e kinostudios

14 Prill, 2016

Galeria Kombëtare e Arteve ju fton më 14 Prill ora 19.00, në hapjen e ekspozitës “Arti dhe Dizajni i Filmit Shqiptar – Vepra të Përzgjedhura nga Vitet e Kinostudios”.

Ekspozita do të shfaqë mbi 100 afishe origjinale të formatit të plotë dhe standartit industrial të filmit artistik, dokumentar dhe vizatimor shqiptar, skica dhe bocete kostumografie si dhe programe premierash filmi nga Kinostudio “Shqipëria e Re” (1952 – 1992). Prodhuar nga Galeria Kombëtare e Arteve në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shqiptar të Filmit (AQSHF), Universitetin e Arteve, Tiranë dhe kuruar nga kineasti shqiptaro-amerikan Thomas Logoreci, kjo ekspozitë e një lloji të veçantë do të paraqesë një përzgjedhje të rrallë afishesh filmi (disa të pikturuara me dorë), që rrallë janë parë nga publiku, që nga shfaqja e parë e filmit. Edhe pse ka me dhjetra afishe të tjera të jashtëzakonshme të filmit shqiptar në arkivën e AQSHF, theksi në këtë ekspozitë do të jenë veprat e artit të punuara me dorë, dhe jo prej fotografive.

E konceptuar për të nxjerrë në pah trashëgiminë jashtëzakonisht të pasur, por shpesh të harruar të filmit shqiptar kjo ekspozitë sjell përpara publikut disa nga veprat më të arrira të krijuara ndër vite në Kinostudio, nga piktorë filmi dhe artistë të talentuar si Sali Allmuça, Ksenofon Dilo, Myrteza Fushekati, Azis Karalliu, Bujar Luca, Kleo Nini, Namik Prizreni, Alush Shima, Astrit Tota, Dhimitër Theodhori dhe Shyqyri Sako.

Pjesë e kësaj ekspozite të veçantë është edhe një dokumentar i gjatë nga kritiku irlandez dhe regjisori Mark Cousins. Titulluar HERE BE DRAGONS (KËTU KA DRAGOJ), kjo ese filmike tregon udhëtimin në Shqipëri të regjisorit Cousins në vitin 2012, duke marrë në fokus rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë filmike të Shqipërisë – një sfidë e madhe për arkivën e filmit shqiptar gjatë dekadës së ardhshme. Shpresa e sinqertë e Galerisë Kombëtare të Arteve, AQSHF, Universitetit të Arteve dhe kuratorit, është se kjo ekspozitë unike e afishes së ilustruar të filmit shqiptar do të njohë publikun, shqiptar dhe ndërkombëtar, me një materie të gjallë e të jashtëzakonshme të trashëgimisë kinematografike në Shqipëri.

Konferenca për shtyp do të mbahet në Galerinë Kombëtare të enjten, 14 prill 2016 në orën 11:00, dhe kuratori Thomas Logoreci do të flasë për këtë ekspozitë më gjërësisht.
Për publikun e përgjithshëm ekspozita është e hapur nga e premtja, 15 prill 2016.

Drejtues i projektit: Artan Shabani
Kurator: Thomas Logoreci


Agron Jano
Retrospektivë Vizatimi 11 - 25 Maj, 2016

Me datë 11 Maj 2016, Galeria Kombëtare e Arteve hapi ekspozitën Retrospektivë Vizatimi "Agron Jano".

Ekspozita e cila u realizua në përkujtim të arkitektit dhe piktorit Agron Jano,ka per qëllim të prezantoje karakterin artistik te tij, talentin që ka zhvilluar krahas profesionit të arkitektit dhe ti prezantojë publikun artedashes për herë të parë në Shqiperi këtë talent të konkretizuar me vizatimet dhe pikturat e tij. Ekspozita shpalos një perzgjedhje me më shumë se pesëdhjetë vepra, të realizuara gjatë njëzet viteve të fundit, nga viti 1991 deri në vitin 1994 dhe nga viti 2011 deri në vitin 2012, te cilat në thelb i përkasin rajonit te Lombardisë (Brianza, Como, Milano, Cantu, Canzo, Cucciago, Inverigo, San Fedele). Një pjesë e ekspozitës i kushtohet pikturave.

Ajo është konceptuar që në fillim për të funksionuar si dualizëm, si dialog mes kohës, hapësires dhe figurës njerezore dhe do të prezantohet e ndarë ne tre cikle. Cikli i parë përbëhet nga vizatimet në bojë kine dhe flamastër të akitekturës italiane Cikli i dyte përbëhet nga figurat femerore në plazhin e Qerretit Cikli i trete dhe i fundit përbëhet nga Portretet. Ndersa pikturat ndërthuren me keto 3 cikle që në tëresi prezantohen në një linjë me vizatimet por me nje impakt të fortë estetik nga gama e ngjyrave të perdorura.

Arti eshte nje formë komunikimi, një dëshmi e pasur e lene nga autori që vjen nëpërmjet pikturave, vizatimeve grafike. Ketu nëpermjet një perballje stilesh arrihet në materializimin te idese së këndvështrimeve të ndryshme në rrugëtimin e nje arkitekti, artist shtegëtar. Kjo ekspozitë është konceptuar si nje rrugëtim në kohë, sepse pasi të keni udhëtuar, udhëtimi nuk mbaron kurrë, por përsëritet shumë herë në qoshet e qeta te mendjes. Mendja nuk mund të ndahet nga udhëtimi.

Ekspozita mbyllet më 25 Maj 2016.


Llambi Blido
Ekspozitë vetjake


24 Shkurt – 13 Mars 2016

Më datë 24 Shkurt 2016, ora 18.00, Galeria Kombëtare e Arteve ka kënaqësinë të hapë për publikun ekspozitën vetjake të artistit Llambi Blido.

Ekspozita e kuruar nga Ylli Drishti prezanton në mënyrë të përmbledhur dy periudhat kryesore të cilat ndajnë krijimtarisë së Llambi Blidos. Në periudhën e parë 1960 – 1990, krahas pikturës Blido ka realizuar edhe shumë grafika e vizatime pa lënë mënjanë karikaturën, por në këtë ekspozitë kjo fazë përfaqësohet kryesisht nga tablo në teknikën vaj mbi kanavacë, disa prej të cilave u është mohuar ekspozimi në kohën kur janë krijuar. Ato janë kritikuar për format moderniste, apo për trajtimin e temave të parëndësishme për kohën. Periudha e dytë e krijimtarisë së Blidos që nis në vitet 1990 e deri në ditët e sotme prezantohet në ekspozitë me vepra ku mbizotëron piktura abstrakte dhe figurative. Pas humbjes së shikimit krijimtaria e Llambi Blidos pësoi një reduktim, por artisti nuk ka ndaluar asnjëherë së punuari. Veprat shfaqen në këtë ekspozitë të ndara në cikle. Disa cikle të viteve të fundit shfaqin përpara publikut vizatimet e printuara të periudhës së realizmit ku imazhi abstrakt është punuar më pas në teknikën e pastelit. Ekspozita e vetjake e Llambi Blidos prezanton për publikun rreth 100 punime, dy nga të cilat janë pjesë e fondit të artistit prej 21 veprash që ruhet në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Ekspozita e parë vetjake në GKA parashikuar në vitin 1988 u anulua pasi gjysma e veprave të tij u ndaluan të ekspozohen.

Vetëm në vitin 1992, Blido mundi të hapte personalen e parë në GKA dhe më pas të marr pjesë në disa ekspozita në grup. Llambi Blido ishte ndër nismëtarët ekspozitës “Nëntori” duke filluar nga viti 1998.

Krahas të qënit një piktor origjinal në artin figurativ shqiptar, gjithnjë në kërkim të përsosmërisë, Lllambi Blido i ka kushtuar vite pune edhe kritikës së shkruar mbi artin figurativ. Shkrimet dhe analizat e Blidos janë botuar në shtypin e kohës përpara viteve ’90, por edhe në disa nga periodikët e ditëve të sotme.

Konferenca për shtyp do të zhvillohet më datë 24 Shkurt, ora 11.00 në GKA.


Lumturije Dhrami
Ekspozitë retrospektive


10 - 21 shkurt, 2016

Galeria Kombëtare e Arteve, me datë 10 Shkurt 2016, ora 18.00, ka kënaqësinë të hapë ekspozitën retrospektivë të artistes Lumturije Dhrami.

Ekspozita e kuruar nga Ylli Drishti është një prezantim i plotë i krijimtarisë së Dhramit në grafikë në një periudhë 30 vjeçare (1956 – 1986). Në historinë e arteve pamore në Shqipëri, ajo renditet e para artiste femër e diplomuar për grafikë, e cila dha një kontribut shumë të rëndësishëm në zhvillimin e kësaj gjinije.

Në veprën e Dhramit mbizotëron grafika e thjeshtë, realiste e që komunikon me publikun. Pjesa më e madhe e artit të saj grafik shtrihet në periudhën e Realizimit Socialist, rrjedhimisht temat e subjektet në ciklet e punuara lidhen me këtë realitet ashtu si krijimtaria e shumë artistëve të tjerë që aplikuan grafikën.

Pavarësisht realitetit dhe atmosferës artistike, apo ndikimeve politike e sociale, Lumturije Dhrami përdori vazhdimisht elementët modern të grafikës dhe veprat e saj mbeten një vlerë e pamohueshme në artin pamor shqiptar.

Artistja ka realizuar disa cikle grafike me temë nga Lufta Antifashiste Nacional – Çlirimtare (“Shtypi illegal”,“Vdekje fashizmit, liri popullit”, “Greva e Kuçovës”); nga jeta dhe puna e ndërtimit të socializmit (“Epoka jonë”, “Fshatari”, “Gruaja që pi ujë”, “Agronomja”, “Rruga jonë”, ”Ndërtuesi”, “Punëtori i peshkimit”, “Ushtarët”). Disa vepra grafike ajo ia ka kushtuar figurave të njohura të historisë shqiptare.

Grafika shqiptare e rendit Lumturije (Shehu) Dhramin krahas artistëve të tjerë grafistë shqiptarë si: Pandi Mele, Safo Marko, Ibrahim Shehu, e më tej si: Musa Qarri, Vlash Prifti, Anastas Kostandini, etj

Konferenca për shtyp mbi ekspozitën do të zhvillohet më datë 10 Shkurt, ora 11.00.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 21 Shkurt 2016.


Lumturi Blloshmi
Ekspozite vetjake


21 janar - 10 shkurt 2016

Më datë 21 Janar 2016, ora 18.00, Galeria Kombëtare e Arteve ka kënaqësinë të hapë për publikun ekspozitën vetjake të artistes Lumturi Blloshmi

Ekspozita sjell në fokusi e aparatit fotografik një fazë të rëndësishme të krijimtarisë artistike të Lumturi Blloshmit. Artistja vjen në këtë ekspozitë përmes fotografive të instalacioneve dhe performancave të realizuara pas viteve ‘90. Si një ditar i hapur, ato rikujtojnë mesazhet e fuqishme artistike dhe sociale që Blloshmi i ka transmetuar publikut në ekspozitat e saj personale, apo në grup.

Instalacione, apo performanca që kanë mbetur në kujtesë të shumëkujt si: Obsession - The Pyramid; The utopian Road; Ambiguity; The invasion of the space; Paradox; Duality; It’s a Wonderful Life; Is’t a men’s world, do të jenë pjesë e ekspozitës vetjake të Blloshmit.

Përveçse si një retrospektivë e 25 viteve të fundit të artit të saj, kjo ekspozitë vjen si një dëshmi e përforcuar se Lumturi Blloshmi është një nga artistet e para femra që solli mediumin e instalacionit dhe performancës në Shqipëri.

Puna e saj në artin pamor nisi në vitet 1973 – 1974, një periudhë delikate në artin shqiptar. Lumturi Blloshmi arriti të krijojë dhe t’i shmanget presionit të kohës duke u fokusuar tek peizazhi dhe natyrat e qeta. Në fillim të viteve ’90, Blloshmi kërkoi dhe gjeti një karakter tjetër artistik dhe u bë shumë shpejt pjesë e atyre artistëve që i dhanë frymëmarrjen e parë artit modern dhe postmodern shqiptar përmes performancave dhe instalacioneve.

Bio e shkurtër

Lumturi Blloshmi lindi në Tiranë në vitin 1944. U diplomua për pikturë në vitin 1968. Në vitin 1988 çeli ekspozitën e parë personale në Berat dhe po atë vit mori pjesë në Bienalen e Ankarasë (Egjypt). Gjatë viteve ‘89–‘91, çeli dy ekspozita vetiake në GKA. Midis viteve 1992- 2010 Blloshmi ka marrë pjesë në ekspozita të ndryshme në grup si në Selanik, Madrid, Lion, Budapest, Stamboll, Paris, Zyrih, Gjenevë, Modena, Hag, New York etj. Është fituese e konkursit ndërkombëtar “Onufri ‘94”. Vitet e fundit Lumturi Blloshmi është prezantuar me ekspozita në disa galeri private në Tiranë, Durrës, apo Korçë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 10 Shkurt 2016.


ONUFRI XXI
SiO2 - Arsyeja e brishtesise


20 nëntor 2015 - 03 janar 2016

Galeria Kombëtare e Arteve, me datë 20 Nëntor 2015, ora 18.00, ka kënaqësinë të hapë ekspozitën kolektive SiO2 – Arsyeja e Brishtësisë, Si të Gërmëzojmë Fjalën K-U-J-D-E-S kur Përballemi me Qelqin. Ekspozita është përzgjedhja përfundimtare për Edicionin e 21 të Çmimit Onufri.

Ekspozita e cila është kuruar nga dyshja kuratoriale VestAndPage (Verena Stenke/Andrea Pagnes) mbledh sëbashku veprat e 23 artistëve nga vende të ndryshme të botës, disa prej të cilëve janë nga emrat më të dëgjuar të skenës së artit bashkëkohor sot. Në një koncept të shtjelluar për ekspozitën kuratorët VestAndPage shprehen se:

“Ngjizja dhe aspektet përbërëse të artit bashkëkohor janë të paparashikueshme, të papritura, aksidentale dhe ndonjëherë të pabesueshme. Në thelb ato janë "çrregullime", mospërputhje radikale, duke qenë shpesh rezultat i një mënyre të menduari ndryshe, kritike, në kundërshtim me normat dhe kodet estetike të pranuara në përgjithësi. E megjithatë arti nuk ka për qëllim të bllokojë rrjedhjen e jetës, sepse vepra e artit - në atë shtrirje të shkurtër kohe dhe hapësire - është e aftë të transmetojë një pamje të fokusuar të gjendjes njerëzore duke hedhur dritë mbi faza esenciale të saj si evolucioni apo regresi.

Shumë nga bazat e praktikave të artit bashkëkohor nisen nga hetimi i cilësive të materialeve të ndryshme – në rastin e kësaj ekspozite të qelqit – dhe de-kontekstualizimi i funksionit të tyre të zakonshëm. Në fakt, për artistët bashkëkohorë thellimi kërkimor në cilësitë e një materiali nuk është vetëm për hir të një kërkimi risi për të prodhuar një produkt origjinal (në formën e të mirës materiale), por synon që nëpërmjet përpjekjes dhe kërkimit të ofrojë një interpretim autonom të botës i cili edhe pse i pjesshëm mund të ndihmojë dhe kontribuojë për ti dhënë kuptim ekzistencës njerëzore.

Në të vërtetë, imazhi artistik nuk mund të adaptohet apo të krahasohet me shtigje të thjeshta logjike e racionale, sepse përfaqëson një mënyrë të përvetësimit të botës që, në formën e saj të veçantë dhe unike, është e mundur vetëm brenda veprës së artit.

Përsiatjet e mësipërme janë të domosdoshme për të kuptuar se një material si qelqi - për potencialin e tij gjuhësor, simbolik dhe metaforik, krahas vetive të tij kompozicionale të brishtësisë, transparencës dhe rezistencës – është mëse i përshtatshëm për të treguar se njohja intuitive e artit i shmanget kritereve të korrektësisë, dhe se vështirësia e tij – bukuria e tij – duhet të kapet nga një mendim intuitiv, e si rezultat të realizohet si një "vizion i thelbit të realitetit".

Është pikërisht ky koncept që ekspozita ka për qëllim të komunikojë, sepse në çdo lloj mënyre që gjykojmë, përjetimi i një vizioni të thelbit të realitetit të çon në mendimin se arti nuk është i kufizuar vetëm tek kënaqësia sublime e mendimit të pastër estetik, por është i aftë të gjenerojë një reflektim të fuqishëm dhe ndërgjegjësim të mëtejshëm për dimensionet e shumfishta të kuptimit që janë përtej edhe vetë mendimit njerzor.”

Me datë me datë 20 Nëntor 2015, ora 11.00 në Galerinë Kombëtare të Arteve do të zhvillohet konferenca për shtyp gjatë së cilës stafi kuratorial do ta prezantojë këtë ekspozitë më gjerësisht.


Artur Gorishti
Ekspozitë vetjake


29 Nëntor - 9 Dhjetor 2015

Galeria Kombëtare e Arteve, me datë 29 Nëntor 2015, ora 18.00, ka kënaqësinë të hapë ekspozitën vetjake të artistit Artur Gorishti.

I njohur përgjithësisht si aktor filmi, Artur Gorishti ka guxuar edhe më parë t’i flasë publikut përmes ekspozitave, kryesisht fotografike, por këtë herë ai vjen në Galerinë Kombëtare të Arteve me një pasion jo aq të shfaqur, siç është piktura.

Ekspozita e cila vjen në Natën e Bardhë, kuruar nga Ylli Drishti do të prezantojë rreth 70 vepra të përzgjedhura nga 900 punime të artistit në një periudhë 25 vjeçare. Pikturat e grafikat, janë peizazhe, portrete, brendi, kompozime e miks media.

Krijimet e Gorishtit, janë brendia individuale e tij, e cila shpaloset si fletë libri, si një fjali, apo fjalë e shkruar nga një dorë që vërshon krejtësisht e lirë. Duket sikur pa qënë e planifikuar, shqetësimet, humbjet, “errësira” që ka përjetuar artisti, janë përkthyer në këto punë ku ndihet e vërteta, drita dhe optimizmi.

“Ajo që e bën konkrete veprën time, nuk është të menduarit se jam artist, por të qënit i përulur përpara fjalës së madhe ART, i përulur me dyshime dhe i brishtë si fëmija”, thotë Gorishti.

Tensioni i brendëshëm që shoqëron atë, enigma, mosdeklarimi i tij si artist, e karakterizojnë Gorishtin edhe në aktrim edhe në regji. Pas çeljes së ekspozitës në orën 18.00, në GKA do të projektohet filmi i realizuar nga Artur Gorishti “Breath”, i cili u vlerësua si filmi më i mirë debutes me metrazh të shkurtër në edicionin e 13-të të TIFF, e që do të konkurojë në disa festivale të rëndësishëm në Europë.

Artur Gorishti lindi në vitin 1962 në Tiranë. Në vitin 1982 u diplomua për topografi, por një vit më vonë nisi studimet për aktrim në Ish- Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Po në vitin 1983 nisi edhe kariera e tij artistike si aktor, ndërsa sot numëron rreth 40 role. Pasioni për fotografinë nis në fillim të viteve 2000, duke e bërë Gorishtin protagonist në disa konkurse dhe ekspozita fotografike.

Prej vitit 2005 jeton në Montreal, Kanada ku ka aktruar në disa prodhime kinematografike dhe televizive.

Në vitin 2013 botoi librin me tregime “Dyert”, të cilat ka nisur t’i realizojë në pelikul si skenarist dhe regjisor.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 9 Dhjetor 2015.


Neomigjeniane
I gjeni një qytet Migjenit


22 Tetor - 16 Nëntor 2015

Më datë 22 Tetor, 2015, ora 19.00, Galeria Kombëtare e Arteve ka kënaqësinë të prezantojë për publikun në sallën e ekspozitave të përkohëshme, ekspozitën “Neomigjeniane - I gjeni një qytet Migjenit”

Ekspozita e kuruar nga Krenar Zejno përpiqet të krijojë një atmosferë migjeniane për publikun. Nëpërmjet veprave artistike të krijuara nga autorë të ndryshëm, brenda dhe jashtë vendit, në zhanre, teknika dhe periudha të ndryshme, ekspozita krijon një rrugëtim mes artit pamor dhe dëshmisë së shkruar të shkrimtarit në letërsinë shqipe, vazhdimisht koherente. Koncepti kuratorial për të shprehur një mesazh, një realitet, një ide, apo parashikim, përmes pikturës, e cila gjen vehten me ose padashje në kontekstin migjenian, ka bashkuar autorët në këtë eskpozitë edhe pse secili prej tyre nuk ka pasur këtë qëllim. Sipas kuratorit kjo ka ndodhur jo vetëm nga tundimi për të ekspozuar, por për të rrëmuar në më të padukshmen e veprës së tyre. Ky kërkim në artin pamor, sipas tij i dedikohet edhe vetë veprës së shkrimtarit, për t’u parë e kuptuar në të gjithë thellësinë e saj.

Neomigjeniane:

Ky do të ishte termi fjalëkyç i konceptimit kuratorial të kësaj ekspozite. Prej Migjenit është huajtur primati i tij për një koncept-emërtim, të cilin kur e lyp nevoja na vjen tashmë i gatshëm për përdorim: mjerim migjenian; imazhin përkatës: tablo migjeniane; hapësirën ku instalohet: skenë migjeniane; gjëndjen që e banon: dramacitet migjenian. Ndërkaq, në togfjalëshin ‘neomigjenian’, bashkëngjitur emrit prin një emërtesë që ka fituar prej kohësh qytetarinë si definicion i rrymave artistike me lidhje e përkime me artin e një periudhe të mëhershme, apo ndërlikime ricikluese mbi elemente të tij, risjellë në kohë të re, mbi një kontekst të ri.

Porse, edhe në lidhje me këtë, ekspozita që shfaqim nuk synon te një ndërlidhje e drejtpërdrejtë. Së pari, me kalimin prej shkrimit te pikturimi, nga fjala te imazhi, kapërcimi është apriori tjetërsues. Së dyti, s’është kërkuar një shpërfaqje analoge e mjerimit prekës dhe pikëllimit migjenian në objektin e një tabloje, por harkim dramatik në përmbajten e imazhit apo në formën dhe gjuhëzimin piktorik. Pra, nuk është qëllimi të ilustrohet vepra dhe marazi migjenian i skicimit letrar të dramës së mjerimit dhe vobektësisë së marrëdhënieve njerëzore si derivat i tij, përmes skicimesh prej arti pamor si derivate të inkursionit të shkrimtarit. As si vënie në shërbim të përndertë rikujtimi të tij përmes punësh të posaçme për këtë event. Edhe teksti “ I gjeni një qytet Migjenit”, kryer më parë e në tjetër kontekst, ripropozohet si pretekst metaforik i ngjarjes. Atëherë?!

Lakorja e gërshetuar e konceptit kuratorial, prej fjale dhe imazhi, shtrihet të lidhë njërin domen të shprehjes artistike me tjetrin, por rrjedhmisht edhe skajet kohore të këtij fillim shekulli me të përparshmin dhe anasjelltas. Dhe, për pasojë, edhe efektet e diskurin që implikon një vizion i propozuar nën këtë shenjues. Ajo çka, së paku si premisë, tentohet në ekspozitë, është instalimi interier/interior i një atmosfere migjeniane për vizitorin, dhe prania në punët e autorëve që e bëjnë atë, e një trajte poeticiteti. Përmbushja me të cilën, dihet, e shpie një skicë a bocet drejt një pune të kryer e, me gjasë, drejt të qenit vepër arti. Tekefundit, ç’do mund ta honorifikonte më efektvisht Migjenin se sa dëshmimi i poetikës së tij tek frymon edhe pas një shekulli dhe përmes veprash të një tjetër arti e të pavarura nga qëllimi për këtë. ‘Unë dhe ti, murgeshë, dy skaje po të një litari’... Poeti nuk është këtu pikëmbërritja te memoriali, por pikënisja nga memorja për tek empatia. E jo për artistët që ekspozojnë, por për vizitorët që i ekspozohen përballjes me veprat. Për një “lexim” nga një pikëvështrim i njëjtë e nën të njëjtën shenjë i autorëve dhe zhanreve të ndryshme, si mes tyre edhe me shkrimtarin. Dikush vendas, por që ka për atelie dhe objekt tabloje kontekstin apo lëndën e një vendi të huaj, dikush i huaj, që as nuk di për Migjen, mirëpo diku e has dhe e bart e rikonfirmon edhe atë. Një eskursus pamor nëpër ekspozitë, me ftesën nën sugjerimin për një perceptim të orjentuar të shenjës dhe elementeve të mundshëm përbashkues. Kësisoj, me parakushtin kuratorial për të mbathur, në daç këpucët llustarafinë, pasqyrë për mjerimin e të vocërrit, n’daç tollumbat e shqyera vertikalisht përpjetë, gati të përpijnë edhe idhullin e ledhave në lëkurë (...po, po, një ditë tollumbat kanë me e hangër mësuesin e tyne) e jo detyrimisht vërsnikun e zilisë horizontale përballë.

Iniciativa kuratoriale - edhe prej miradijes që arti nuk mundet ta këmbejë realitetin po veç ta bëj më të jetueshëm - nuk është apel për një ndjeshmëri e shprehje të re të shpresës apo të pashpresës sociale, por më së pari, shpresa dhe apeli për ndjeshmëri e shprehje të re artistike. E që të bëhen hesapet e një vepre arti dhe të përftohet interesi i kënaqshëm e i mbrothtë prej kësaj, lypset të pikaset diku shifra e saktë e saj dhe të njihet koeficienti i shumëzimit me të. Poema: pictura lokuens; pictura: poema silens.

Piktura në ekspozitë është mal që s’bëzan, pavarësisht dhe pafajësisht e pandjeshme ndaj përdorimit të vet në një kontekst (ndonëse ashtu si vepra e Migjenit mund të pësojë historinë e një përdorimi dinak kontekstual). Mirëpo, ja që metafora kuratoriale, për të thënë gjënë me anë të tjetër gjëje, është pranuar si ftesë për pjesëmarrje nga autorët, mbase edhe për një nevojë më tunduese se ajo e dëshirës për të ekspozuar: ekzigjencën për të mos kërkuar medoemos të drejtpërdrejtën deklamative në një vepër arti, por për të rrëmuar në nënshtresat e saj. E nëse një konceptim i tillë do t’i kryente sadopak një shërbim kësaj mundësie për të shquar të abstraguarën, sigurisht që kjo do t’ishte me voli edhe për vetë veprën e Migjenit, drejt kqyrjes së thellësisë matanë epitelit që mvesh skicimin e botës së tij në bocën e vet të papërfunduar. Përmbledhur pa mbetje, gjithë-gjithë në dy libra postume nga jo më shumë se dy vjet përvojtje e përvoje hovi dhe hareje shkrimi.

Në demarshin e aktives së Migjenit dhe ndoshta në krejt synimin intentio operis të veprës, asgjë s’bëzan më ndjeshëm e don të dalë në pah më shumë se sa akti i tij i zbathjes, në publik e në rrethana cilësuese, i brekëve legjendare të prapanikes patetike të shkrimtarisë. Nga pamja te gjuha, nga fjala te imazhi, marazi migjenian “shoh qartë e ma qartë/ e vuej thellë e ma thellë” u shkëput herët e s’mundi më gjatë të vuante aq thellë, sa ta rrotullonte mbarë vargun rreth vetes drejt një epifanie të anasjellë: vuaj thellë e më thellë, dhe shoh qartë e më qartë.

Shikim të mbarë e të qartë.

Krenar Zejno


BUJAR LUCA
Black Box


21 tetor - 15 nëntor 2015

Me datë 21 Tetor 2015, ora 19.00, Galeria Kombëtare e Arteve ka kënaqësinë të prezantojë për publikun në sallën e vogël të ekspozitave të përkohëshme, ekspozitën “Black Box” të artistit Bujar Luca.

Artisti franko-shqiptar, krijimtaria e të cilit është e mirënjohur në disa vende të ndryshme të botës, ku veprat e tij janë koleksionuar në qytete të mëdha si: Paris, Nju Jork, Londër, Moskë, Bruksel hap për herë të parë ekspozitën vetjake në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Artisti vjen në GKA, për të “riatdhesuar” artin e tij, për të komunikuar dhe për të ndarë me publikun shqiptar atë ç`ka mundur të krijoj si një artist i cili ka jetuar nën diktaturën komuniste. Përms ekspozitës së tij në Tiranë ai do të tregojë atë çka mund të arrijë artisti i një vendi të Lindjes, kur krijon me kurajo dhe guxim, kur emocionalisht e udhëheq imagjinata, dija dhe talenti. Në këtë ekspozitë Luca prezantohet në teknikat: miks në letër dhe miks në telajo.

Arkitekti i njohur francez Etienne Poncelet e ka cilësuar Bujar Lucën një artist të vërtet, kompetent dhe njeri të kulturës…, “një bashkëbisedues jashtëzakonisht interesant…” shprehet Poncelet.

Bujar Luca është ndër artistët bashkëkohor shqiptar, i cili me artin e tij lartëson cilësinë e prezantimeve tona ndaj një publiku të mirëinformuar dhe të edukuar me artin bashkëkohor.

Bujar Luca ka punuar në Kinostudio “Shqipëria e Re”, deri në vitin 1990, vit që shënon largimin e tij nga Shqipëria. Nga ajo kohë punon, krijon dhe jeton në Paris, vend të cilit i ka kushtuar me pasion energjitë më të mira krijuese. Luca ka përfunduar studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, nga fundi i viteve 70. Ka punuar mbi 20 filma si krijues kostumesh dhe skenograf gjatë 13 vitesh. Kjo eksperiencë dhe ajo e grumbulluar gjatë 25 viteve në Paris kanë formuar personalitetin e tij artistik

Konferenca për shtyp mbi hapjen e ekspozitës do të zhvillohet më datë 21 Tetor, ora 10.30

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 15 Nëntor 2015.


MAKS VELO
Ekspozitë Retrospektivë


10 Shtator - 11 Tetor 2015

Më datë 10 Shtator 2015, ora 19.00, Galeria Kombëtare e Arteve ka kënaqësinë të prezantojë për publikun në sallën e ekspozitave të përkohëshme, ekspozitën “Maks Velo – Retrospektivë”

Ekspozita e kuruar nga Suzana Varvarica Kuka, është një prezantim i retrospektivës së krijimtarisë së piktorit dhe arkitektit Maks Velo dhe do të shpalosë për publikun gjatë muajit shtator, panoramën më dinjitoze të ekspozimeve të artistit. Ekspozita merr përsipër të bëjë publike jo vetëm punimet e artit të Maks Velos, të cilat janë në teknikat e pikturës - në vaj e akrilik; në teknikat e grafikës – në lavi dhe bojë kine; në vizatim – laps e pastel; në skulpturë – bronz e allçi, por përmes tyre i propozohet publikut të zbulojë ritmin e krijimit, ndikimet mbi krijimin, transformimet dhe provat e artistit nga një gjini në tjetrën, si dhe nga një teknikë në tjetrën.

Veprat e ekspozuara demostrojnë në mënyrë të qartë trysnitë e kohëve mbi artistin.
Galeria Kombëtare e Arteve, duke njohur personalitetin e Maks Velos, ka zbuluar jetën artistike dhe mbijetesën e tij njerëzore që nga vitet 1960-të e deri në ditët tona. Proçesi i njohjes e veçon artistin Maks Velo për vlerat e veçanta që mban krijimtaria e tij, për rrugën “rebele”, sesi ajo u zhvillua në kohët komuniste, për mbijetesën e artistit në mungesë të lirisë, për këmbënguljen e tij në debatin social, politik dhe ekonomik mbi cilësinë e jetës së individit dhe të shoqërisë shqiptare. Në këtë atmosferë zhvillimesh të artit shqiptar, ekspozita retrospektivë e Maks Velos dhe albumi që shoqëron ekspozitën janë shenja vetjake e artistit në hapësirën e madhe të saj.

Konferenca për shtyp mbi hapjen e ekspozitës do të zhvillohet më datë 10 Shtator, ora 11.00.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 11 Tetor 2015.


JORGAQ GOGU
Gratë e Biblës


21 Shtator - 11 Tetor 2015

Me datë 21 Shtator 2015, ora 19.00, Galeria Kombëtare e Arteve, ka kënaqësinë të hapë për publikun në sallën e vogël të ekspozitave të përkohshme, ekspozitën "Gratë e Biblës", të piktorit Jorgaq Gogu.

Ekspozita e kuruar nga Ylli Drishti prezanton rreth shtatëmbëdhjetë vepra, të cilat vijnë si një cikël piktorik të realizuar nga artisti në periudhën 2014 – 2015. Tablotë e frymëzuara nga imazhet femërore të Biblës, janë të gjitha në përmasat 100 x 150 cm, në teknikën vaj në kanavacë.

Duke u inspiruar nga shkrimet biblike, nga ngjarjet e treguara që i ofrojnë atij imazhet, atmosferës biblike, piktori shfaqet përpara publikut sipas një gjuhe artistike vetjake, moderne dhe komunikuese. Karakteristikë e tablove të piktorit Jorgaq Gogu janë zgjidhjet kompozicionale, ku spikasin figurat monumentale me lëvizje të fuqishme me qëndrime ulur apo në këmbë. Në tablo figurat femërore dhe Krishti janë pikturuar në lëvizje të vazhdueshme, të vrullshëm dhe me nota të fuqishme grafike.

Cikli i veprave në këtë ekspozitë ofron një këndvështrim të tijin artistik mbi imazhet e “Gruas” në Testamentin e Ri, por piktura e Gogut pasuron mozaikun e arteve pamore bashkëkohore shqiptare.

Ekspozita e piktorit Jorgaq Gogut në GKA përkon me një vjetorin e vizitës së Papa Franceskut në Tiranë.

Piktori Jorgaq Gogu lindi në qytetin e Beratit. Studioi në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, nën drejtimin e pedagogëve Janaq Paço, Thanas Papa, Abdurrahim Buza dhe më pas punon për tre vite mësues vizatimi në qytetin e Kuçovës. Nga viti 1971, Jorgaq Gogu ishte piktor skenograf në Pallatin e Kulturës “Tekstilisti” si dhe piktor dizajni (modelist) në Kombinatin e Tekstileve, Berat. Vetëm pak kohë pasi u kthye në Tiranë, ai la Shqipërinë për të jetuar në Greqi. Gjatë qëndrimit në Athinë, bashkëpunoi me studion e skulptores së njohur greke Maria Papakostandinu. Pas rikthimit në atdhe në vitin 2004 e në vazhdim jeta e Jorgaq Gogut është përqëndruar vetëm tek piktura. Jorgaq Gogu ka marrë pjesë në ekspozitat lokale dhe kombëtare duke filluar nga viti 1965. Në vitin 1982 ai çeli ekspozitën e parë vetjake në pikturë dhe më tej realizoi 4 ekspozita të tjera kryesisht në Tiranë (MHK). Përveç vizatimeve me penë, kryesisht peizazhe nga qyteti muze i Beratit, ai ka realizuar edhe punime në skulpturë: relieve e skulpturë të rrumbullakët.

Konferenca për shtyp mbi ekspozitën do të zhvillohet të hënën, më datë 21 Shtator 2015, ora 11.00.


WHITE HOUSE BIENNIAL
Strategji dhe Taktika / Ekspozitë e videoartit sllovak


30 Korrik - 31 Gusht 2015

Martin Kochan, Landscapes-Painting, video, 2014


Kuratore
Lýdia Pribišová

Me datë 30 Korrik 2015, ora 19.00, Galeria Kombëtare e Arteve ka kënaqësinë të prezantojë për publikun në sallën e Ekspozitave të Përkohshme të GKA ekspozitën “Strategji dhe Taktika / Ekspozitë e videoartit sllovak”. Ky prezantim vjen si rezultat i një bashkëpunimi mes Galerisë Kombëtare të Arteve dhe White House Biennial, një platformë artistike ndërkombëtare me bazë në Athinë, Greqi.

White House Biennial (WHB) startoi në vitin 2010 në Athinë, si një reagim artistik krah dhjetra demonstratave dhe protestave të ashpra kundra periudhës së vazhdueshme të krizës së thellë financiare dhe etike mes të cilave po kalon vendi ku ka lindur demokracia. Sprova për Demokraci, edicioni i fundit i WHB, merr në shqyrtim rolin revolucionar të artit dhe të fuqisë së tij për të ndikuar në ndryshimet socio-politike, duke ngritur pyetje vendimtare mbi përkufizimin dhe rimodelimin e demokracisë.

Brenda kuadrit konceptual të edicionit aktual Sprova për Demokraci White House Biennial do të prezantojë në Galerinë Kombëtare të Arteve një program shumë-shtresësh ndërkombëtar të ndarë në dy ekspozita. Strategji dhe Taktika është ekspozita e parë e cila fokusohet në videoartin bashkëkohor sllovak, kuruar nga Lýdia Pribišová.

Strategji dhe Taktika

Artistët: Anton Čierny, Pavlína Fichta Čierna, Iva Durkáčová, Oto Hudec, Martin Kochan, Daniela Krajčová, Tamara Moyzes, Ilona Németh, Lucia Nimcová, Tomáš Rafa, Shlomi Yaffe, Anabela Žigová.

Mund të thuhet se artistët sot janë kthyer në ekspertë në konceptimin e alternativave të reja dhe gjetjen e mënyrave të pazakonta, krijuese, për të mbijetuar. Shoqëria jonë neoliberale, bazuar në dinamikën e kapitalit, zor se e njeh vlerën simbolike të "pakapshme" të artit, duke i detyruar artistët ose të bëhen aleatë me tregun, ose të zënë një pozitë të periferike në shoqëri e cila nuk i lejon ata të jetojnë nëpërmjet profesionit të tyre, artit. Pikërisht kjo situatë i detyron artistët për të ideuar dhe zhvilluar struktura të reja ekzistence dhe kjo temë shfaqet në punën e shumë artistëve në një gamë të gjerë formash. Nëpërmjet mënyrash krijuese dhe taktikash të ndryshme ata kërkojnë të gjejnë rrugën e tyre në shoqëri. Në veprat e tyre ata shpesh mbështeten dhe tematizojnë taktikat e mbijetesës të minoriteteve në shoqëri dhe njerëzve të pa-fuqishëm, të tillë si emigrantët, romët, të persekutuarit nga regjimet totalitare, e kështu me radhë.

Tema kryesore e ekspozitës, një përzgjedhje e videoartit bashkëkohor sllovak, është bazuar në kundërvënien mes strategjisë dhe taktikës. Dallimet mes tyre janë propozuar nga filozofi francez Michel de Certeau në librin e tij “Praktika e Jetën së Përditshme” (1984).

Strategjia, në terminologjinë ushtarake, është fusha e superioritetit të arritur dhe e influencës që tashmë është afirmuar pjesërisht; ajo është programi i udhëheqjes së bashkësisë drejt pushtimeve të mëdha; është plani afatgjatë i atyre që kanë kohë dhe njohuri të përgjithshme për të krijuar një formulim teorik. Strategjia është identifikimi i fushatave kyçe që janë të nevojshme për të përmbushur objektivin kryesor. Strategji do të thotë kontroll (i një qyteti, një institucioni etj). Sipas de Certeau, zhvillimi i strategjisë evidenton kompetencat dhe fuqinë e pushtetit. Ushtrimi i strategjisë është i lidhur me një vend që mund të përkufizohet si i mirëqenë dhe në këtë mënyrë shërben si një bazë për gjenerimin e marrëdhënieve me subjekte të jashtme. de Certeau argumenton se taktikat janë e kundërta e strategjisë. Taktikat i përkasin Tjetrit. Pra, ngaqë përdoruesi i taktikave nuk ka një bazë, taktikat varen nga koha. Kjo do të thotë fleksibilitet, kombinim i elementëve heterogjenë.

Në kontrast me strategjinë, de Certeau argumenton se taktikat janë kompetencë e të pa-fuqishmëve. Taktikat janë më shumë një përshtatje ndaj mjedisit, i cili është krijuar nga strategjitë e të fuqishmëve, dhe proceset krijuese i nënkupton si shkëmbim dhe bashkëpunim. Taktikat janë më të pjesshme, më rastësore, dhe konsistojnë në negociata të mjaftueshme për momentit; ato janë metodat e pakicës. Janë veprime të qëllimshme por njëkohësisht edhe intuitive, të cilat shpesh janë më elastike dhe eksploruese në raport me objektivin. Taktikat janë në një gjendje të përhershme e të vazhdueshme rivlerësimi dhe korrigjimi.

Artistët në këtë ekspozitë përdorin taktika të shpikura prej tyre për të zbuluar dhe evidentuar strategjitë e shoqërisë në përgjithësi, dhe në veçanti strategjitë e saj utilitare. Kundër-veprimet e artistëve tregojnë ndjeshmëri, humor dhe fleksibilitet. Nëpërmjet këtyre instrumenteve, strategjitë e ndryshme politike dalin të jenë boshe dhe vetë-referuese. Për shkak se kontrolli i strategjisë nuk është kurrë i përsosur, arti ndihmon për të gjetur këto boshllëqe në sistem.

Lýdia Pribišová

Të enjten me datë 30 Korrik 2015, ora 11.00 në Galerinë Kombëtare të Arteve do të zhvillohet konferenca për shtyp mbi këtë ekspozitë.


ROBERT HACKMAN
Lapidarë dhe monumente


6 Gusht – 31 Gusht 2015


Me datë 6 Gusht 2015, ora 19.00, Galeria Kombëtare e Arteve ka kënaqësinë të prezantojë për publikun ekspozitën “Lapidarë dhe Monumente” të fotografit australian Robert Hackman. Kjo është ekspozita e parë vetjake në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë e këtij fotografi.

Ekspozita tregon një përzgjedhje prej rreth tridhjetë e pesë fotografish me ngjyra, në dimensione të mesme, të cilat në fokusin e tyre kanë një vëzhgim fotografik personal të autorit nëpër Shqipëri këto vitet e fundit mbi lapidarët dhe monumentet e peizazhit post-socialist shqiptar. Nuk është hera e parë që Hackman ndërmerr një eksplorim të tillë: vitin e kaluar u hap në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë ekspozita e tij me fokus gjendjen e tanishme dhe metamorfozën e bunkerëve të ndërtuar gjatë periudhës së diktaturës komuniste në Shqipëri.

Ishte gjatë kësaj periudhe që Hackman fotografonte bunkerët që ai “zbuloi” temën tjetër për punën e tij të mëpasme. Ashtu si e thotë dhe vetë “U intrigova nga lapidarët dhe monumentet publike ndërsa foto-dokumentoja ripërdorimin dhe riciklimin e bunkerëve në Shqipëri. Për shkak se çdo lapidar ishte unik në dukje, fillimisht mendova se bënin dallim nga bunkerët që u ndërtuan në shkallë industriale. Bunkerët ishin kryesisht një përsëritje të të njëjtës histori, pavarësisht nga vendndodhja e tyre; ndërsa çdo lapidar kishte një histori individuale dhe arsyen e vet të ekzistencës."

Hackman është një fotograf profesionist që nga vitet 2000. Lindur në Australi në vitin 1995 u zhvendos në Londër ku sot jeton dhe punon. Interes për punën e tij kanë qenë vazhdimisht çështjet humanitare, historike dhe fetare. Gjatë këtyre viteve ka punuar për UNHCR, UNICEF, Refugee Council, Refugee Action, etj. Fokus tjetër i punës së tij është fotografia e peizazhit dhe fotografia abstrakte. Hackman ka hapur ekspozita të ndryshme në Londër, Beograd, Brazil, Gjeorgji, Shqipëri e Australi.

Të Mërkurën me datë 5 Gusht 2015, ora 11.00 në Galerinë Kombëtare të Arteve do të zhvillohet konferenca për shtyp mbi këtë ekspozitë ku vetë autori do shpjegojë ekspozitën më gjërësisht.


AGRON HOTI
Astratto e Collage


15 - 30 Korrik 2015

Me datë 15 Korrik 2015, ora 19.00, Galeria Kombëtare e Arteve, ka kënaqësinë të hapë për publikun në sallën e vogël të ekspozitave të përkohshme, ekspozitën "Astratto e Collage" të piktorit Agron Hoti.

Ekspozita e kuruar nga Ylli Drishti prezanton rreth 15 vepra, të realizuara në periudhën 2001 – 2015, pjesa më e madhe e të cilave të realizuara nga artisti për këtë ekspozitë. Punët janë në dy teknika; akrilik mbi kanavacë dhe kolazh.

Karakteristika themelore e tablove abstrakte të Hotit, është raporti që ai ka vendosur me ngjyrat e fuqishme në telajot e veprave të tij. Ai preferon tablo abstrakte dekorative, jo sipas skemave klasike, por që brenda tyre të ndjehet lëvizje, hapësirë dhe lojë e strukturave të njollave që ai krijon duke realizuar vepra me një fantazi jo të zakonshme.

Koleksioni i veprave të kësaj ekspozite shpreh energji pozitive dhe komunikon lehtësisht me publikun e çdo moshe. Piktura abstrakte e Agron Hotit të kujton artin tradicional shqiptar, por shpesh edhe mjeshtrat e mëdhenj të artit abstrakt botëror, duke i bërë tablotë e Hotit të veçanta, të papërsëritshme e me mjaft sens artistik.

Artisti ka krijuar disa cikle në collage si: Collage Monsieur 2009 – 2012, Astrato 2009 -20015, Cavalli , Citta diverse, Froud, Fumetti, Machine diverse, Pagani. Ciklet e tij të njohura si “Fumetti HOTI” kanë zënë vend në ekspozita të rëndësishme të çelura në Itali e jashtë saj.

Duke jetuar prej 14 vjetësh në Verona, në artin e Hotit ndjehet qartë ndikimi i këtij qyteti dhe arti italian bashkëkohor të cilat ndërthuren estetikisht me memorien artistike që artisti ruan nga vendlindja. Tradita e artit të veshjeve popullore shqiptare me ngjyra të fuqishme, ka ndikuar që ai të vlerësojë dhe përgjedhë ngjyrat kryesore që kanë si një lidhje të padukshme, të kuqen e zjarrtë, blunë, të verdhën e plotë e me dritë, të gjelbrën dhe grinë me nuancat e saj të panumërta.

Konferenca për shtyp do të zhvillohet më datë 15 Korrik, ora 11.00.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 30 Korrik 2015.


SOFIA PAPADHIMITRI
Ekspozitë vetjake


6 - 19 korrik 2015

Me datë 6 Korrik 2015, ora 19.00, Galeria Kombëtare e Arteve, ka kënaqësinë të hapë për publikun në sallën e ekspozitave të përkohshme, ekspozitën vetjake të piktores Sofia Papadhimitri. Ekspozita e kuruar nga Ylli Drishti, vjen në GKA në bashkëpunim me familjen Papadhimitri, me rastin e 100 - vjetorit të lindjes së piktores.

Në ekspozitë janë paraqitur rreth tetëdhjetë vepra, të përzgjedhura nga krijimtarija e artistes korçare në harkun kohor 1936-1976, të cilat janë pjesë e koleksionit të GKA dhe familjes Papadhimitri. Punët janë në teknikën e vajit si dhe vizatime në karbon të cilat ekspozohen për herë të parë. Pikërisht këto vizatime i japin mundësinë publikut të njihet me formimin e plotë artistik akademik të artistes Papadhimitri.

Sofia Zengo Papadhimitri dhe motra e saj Androniqi Zengo, janë piktoret e para profesioniste në historinë e artit pamor shqiptar. Ato vijnë në artin e pikturës realiste të shekullit XX nga piktura ikonografike pasbizantine. Të dy motrat u edukuan artistikisht në një familje ikonografësh korçarë. Babai i tyre Vangjel Zengo, është ndër të parët piktorë që bëri kalimin nga arti bizantin në artin me temë historike dhe tema nga jeta e përditshme, proçes që shoqëroi edhe krijimtarinë e Sofias dhe Androniqi Zengos. Sëbashku me dy motrat e saj Androniqi dhe Sotiria, Sofia mori pjesë në pikturimin e kupolës së Mitropolisë së qytetit të Korçës (1944 - 1945).

Mes ndikimit të traditës familjare, por edhe edukimit akademik nga piktori impresionist Spiro Vikatos i cili ishte padagogu kryesor në Akademinë e Athinës ku ajo u diplomua në vitin 1939, Sofia Papadhimitri konsolidoi stilin realist, duke realizuar me vërtetësi portrete, peizazhe dhe natyra të qeta. Koleksioni i punimeve në vaj i Sofia Zengo Papadhimitrit arrin në rreth 300 punime. Në të gjitha këto piktura ndjehet dashuria e artistes për natyrën dhe njeriun e thjeshtë.

Konferenca për shtyp mbi këtë ekspozitë do të mbahet në GKA më datë 6 Korrik 2015, ora 11.00.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 19 Korrik 2015.


LEKË TASI
Satirë në Sheshin "Skënderbej"


18 Qershor - 8 Korrik 2015

Me datë 18 Qershor 2015, ora 19.00, Galeria Kombëtare e Arteve, ka kënaqësinë të hapë për publikun në sallën e vogël të ekspozitave të përkohshme, ekspozitën "Satirë në Sheshin Skënderbej" të piktorit Lekë Tasi. Ekspozita e kuruar nga Suzana Varvarica Kuka prezanton rreth 45 punime të realizuara pas viteve 2000, në teknikat vaj, teknikë e përzier dhe vizatime.

Lekë Tasi vlerësohet si një piktor tradicional me kah drejt artit modern. Kjo është një arsye më shumë që punimet e tij, të prezantohen e të njihen më gjërësisht nga mjedisi artistik dhe intelektual shqiptar. Në këtë mjedis Lek Tasi shquhet si një zë i ndryshëm e modern në botën e pikturës tradicionale shqiptare dhe për këtë ai duhet të zërë vendin që i takon në historinë e artit shqiptar.

Deri në vitin 1975 piktori ekspozoi vetëm disa punë, edhe pse kishte një krijimtari shumë të pasur. Pas viteve 1990, tashmë si profesionist ai i`u drejtua jo vetem ekspresionizmit, por disa zhvillimeve të artit modern të shekullit XX. Ai pa me vemendje, me seriozitet dhe imtësi prurjet surreale, naiviste dhe të abstraguara.

Piktori dhe miku i tij Llambi Blido shkruan: “Muzikant dhe bir i një familjeje të persekutuar, Lekë Tasi e pati nisur rrugën e pikturës si nxënës i Nexhmedin Zajmit. Realizmi i thjeshtë i akuareleve të tij të viteve `50 ushqehej nga dashuria e përjetshme e këtij përmetari për Tiranën ku u rrit. Në çdo tablo të këtij autori, në etapën aktuale të pjekurisë së plotë, siç na vjen në këtë ekspozitë të vitit 2015 në GKA, çdo befasi, është në fakt befasi e fabulës. Atë ai e zhvillon me imagjinatën e tij dhe e realizon në lirshmëri falë aftësive kreative-improvizuese të admirueshme në çdo kënd të tablosë.”

Krijimtaria e Lekë Tasit është vlerësuar pozitivisht nga Galeria Kombëtare e Arteve dhe ai është bërë pjesëmarrës në dy edicione të Ekspozitës Ndërkombëtare “Onufri”, në vitet 2001 dhe 2004. Po kështu rëndësia dhe modernia në veprat e tij ka nxitur kuratorë të Galerisë Kombëtare të Arteve të organizojnë në mjediset e saj, ekspozitat e tij vetjake, në vitet 1992, 2003 dhe 2007.

Ekspozita do të shoqërohet me katalog ku përfshihen rreth 60 vepra në teknikat vaj, të përzier, vizatim, grafikë, akuarele dhe kolazh.

Konferenca për shtyp do të organizohet më 18 Qershor 2015, ora 11.00 në GKA.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 08 Korrik 2015.


SALI SHIJAKU
Ekspozitë vetjake.


28 maj - 28 qershor 2015

Me datë 28 Maj 2015, ora 19.00, Galeria Kombëtare e Arteve, ka kënaqësinë të hapë për publikun në sallën e ekspozitave të përkohshme në GKA, ekspozitën vetjake të piktorit Sali Shijaku.

Pas viteve 90 – të, ekspozita e piktorit Sali SHIJAKU është ekspozita e parë vetjake në Galerinë Kombëtare të Arteve. Ajo i prezanton publikut shqiptar dhe të huaj krijimtarinë e Sali Shijakut, përmes 65 veprash nga më përfaqësueset, në teknikën e vajit dhe mikse. Pikturat e sjella në këtë ekspozitë i takojnë koleksionit të tij në GKA dhe studios së piktorit. Ekspozita shoqërohet edhe nga katalogu, në të cilin përfshihet ecuria e zhvillimit të pikturës së Shijakut, që nis në vitet ’50-të dhe është ende e gjallë dhe natyrale në ditët e sotme.

Piktura e Sali Shijakut vjen e prezantohet në këtë ekspozitë në dy periudha, në dy qëndrime dhe në dy interpretime ndaj botës pamore.

Para viteve 90-të…

Piktori i ri, aso kohe në fillim të viteve 50-të, Sali Shijaku, u shfaq në mjedisin e arteve figurative shqiptare në një periudhë, kur piktura në Shqipëri ishte e lidhur me përvojat e pakta dhe të mira akademike, të sjella nga piktorët e një brezi profesionistësh pasionantë. Sali Shijaku hyri në art me dëshirën për të përshkruar dhe tejkaluar atë akademizëm perëndimor dhe ja doli me sukses kur jetoi dhe tejkaloi edhe një akademizëm të ndryshëm, atë lindor. Në fillim të viteve 60-të ai iu kthye atmospheres figurative shqiptare me pasionin e artistit për të ndryshuar dekadën dhe sot mendojmë se e bëri sëbashku me kolegët etij.

Pas viteve 90-të…

Piktori i pjekur, kësaj kohe, në dhjetëvjeçarin e dytë të Mileniumit III, Sali Shijaku, vazhdon të krijojë duke transformuar botën e tij të pikturës. Pas viteve 90-të, prej tre dekadash, ai bën një bashkëbisedim të ndjeshëm me ngjyrat dhe mollëzat e buta të gishtave të tij. Nisja për të pikturuar nuk ia ka shmangur subjektin, por ato janë të thjeshta, të zakonshme, i sheh në jetën e përditshme, i sheh në përralla e në historitë e treguara.

Piktori Ksenofon Dilo shkruan se, artisti Sali Shijaku ka punuar një numër të madh portretesh, pejsazhesh, natyrash të qeta dhe krijime të tjera, hera - herës përmes një spektri ngjyrash të ngrohta e të gëzuara. Ato plotësojnë karakterin dhe tiparet e veprës së tij jo vetëm si frymëzime spontane e jo celebrale të jetës, por edhe për paletën e pasur kromatike, palete që fillon e çlirohet gradualisht nga forma të rënduara sidomos siç vërehet pas viteve ’90 e këtej, në kushte dhe atmosferë kulturore të favorshme, ku për vite të tërë jeton e punon.

Konferenca për shtyp do të mbahet më datë 28 Maj 2015, ora 10.30 në GKA

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 28 Qershor 2015.


RAKIP SHABANI
Ekspozitë personale "BUKUR"


4 - 14 Qershor 2015

Ekspozita vetjake e piktorit Rakip SHABANI i prezanton publikut shqiptar dhe atij të huaj krijimtarinë e artistit përmes 50 veprash nga më përfaqësueset, në teknikën e akuarelit. Punimet e sjella në këtë ekspozitë i takojnë studios së piktorit. Ekspozita përmban kryesisht imazhe peizazhesh nga zona të ndryshme të Shqipërisë, ku një vend të veçantë zë bregdeti i Vlorës. Artisti me pasion ka hedhur mbi letër imazhe nga Vranishti, Himara, Borshi, Elbasani, Vermoshi, Brari, Dajti, Thethi, Bënja, sipas një këndvështimi herë nga sipër, por më shpesh të atij klasik horizontal.

Rakip Shabani u diplomua në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë në vitin 1974 dhe ishte student i ateliesë së piktorit Sali Shijaku dhe Hasan Nallbani. Gjatë studimeve për skulpturë në Liceun Artistik, Tiranë nën drejtimin e skulptorit Shaban Hadëri, Shabani mori mësime në akuarel nga mjeshtri Abdurrahim Buza dhe më tej iu kushtua kësaj gjinie duke krijuar me qindra dhe qindra punime në këtë gjini mjaft të veçantë dhe delikate.

Piktori i ri, në fillimin e viteve 70, Rakip Shabani, ishte dhe pedagogu i pikturës në Shkollën e Mesme Artistike në Vlorë, ku krahas mësimdhënies, ai realizoi dhe kuroi me dhjetra muzeume historikë të zonës së Vlorës. Rakip Shabani hyri në art me dëshirën për të përshkruar imazhet e peizazheve shqiptare, duke udhëtuar pa u lodhur nga veriu në jug. Ai ia doli me sukses të realizonte mbi 40 ekspozita vetjake në Shqipëri dhe jashtë saj, punime që ai i realizoi në teknikën e vajit dhe akuarelit.

Në vitin 2006 Rakip Shabani çeli në GKA ekspozitën e tij vetjake të cilën ia kushtoi figurës së Ali Pashë Tepelenës, një ekspozitë me 40 punime në vaj dhe 4 akuarele.

Piktori i pjekur tashmë, me një eksperiencë mbi 40 vjeçare, vazhdon të krijojë duke transformuar botën e tij të pikturës, ku ai bën një bashkëbisedim të ndjeshëm me ngjyrat, duke krijuar punime të freskëta, me dritë e transparencë e duke renditur artistin në një prej piktorëve më të njohur akuarelistë shqiptarë

Krijimtaria e piktorit Rakip Shabani tashmë ruhet në GKA, në GA, Vlorë dhe në koleksionistë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Në GKA ndodhen 24 punime kryesisht në teknikën e akuarelit peizazhe dhe portrete.

Punimet e mjeshtrit të akuarelit Rakip Shabani vazhdojnë traditën e akuarelistëve shqiptarë si Fadil Pëllumbi, Sadik Kaceli, Dhimitër Mborja. Punimet etij sjellin magjinë e paizazhit shqiptar me freskinë e ngjyrave dhe dashurinë e tij për pikturën.

Konferenca për shtyp do të mbahet më datë 4 Qershor 2015, ora 10.30 në GKA.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 14 Qershor 2015.


DEVRIM ERBIL
Me dashuri nga Stambolli.


15 prill – 17 maj 2015

Me datë 15 Prill 2015, ora 19.00, Galeria Kombëtare e Arteve, Ambasada e Turqisë dhe Insitituti Kulturor Junus Emre në Tiranë kanë kënaqësinë e veçantë të hapin për publikun në sallën e Ekspozitave të Përkohshme të GKA, ekspozitën “Me dashuri nga Stambolli” të një prej artistëve më të njohur turq, Devrim Erbil. Ky është prezantimi i parë i këtij artisti në Shqipëri me një ekspozitë personale dhe kurohet nga Beste Gürsu.

Ekspozita tregon një përzgjedhje prej rreth tridhjetë veprash në pikturë, shumica në teknikën akrilik në kanavacë dhe në dimensione të mëdha, të cilat në fokusin e tyre kanë Stambollin. Bukuria legjendare e natyrës së këtij qyteti dhe pamjet panoramike të krijuara nga dora e njeriut kanë frymëzuar artistë të ndryshëm për shekuj me radhë. Ata i kanë dhënë një histori të gjatë artit turk.

Devrim Erbil lindi në vitin 1937. Ai studioi pikturë në Akademinë Shtetërore të Arteve të Bukura në Stamboll në 1955 fillimisht nën Halil Dikmen dhe më vonë në studion e Bedri Rahmi Eyüboglu. Nga viti 1965 stili unik i piktorit Devrim Erbil tërhoqi vëmendjen e një audience ndërkombëtare. Atij iu dha një bursë arti nga qeveria spanjolle për të studiuar pikturë në Madrid dhe Barcelonë. Më vonë vazhdoi karrierën e tij akademike në Paris dhe Londër. Më 1968 Erbil u zgjodh "Artisti i ri i vitit" në Turqi dhe në 1991 u nderua me titullin e rëndësishëm “Artist i Shtetit të Turqisë”.

Përveç karrierës së tij në pikturë Devrim Erbil ka dhënë kontribut për zhvillimin dhe promovimin e arteve në Turqi. Ka qenë President i Shoqatës Turke të Arteve dhe President i Shoqatës së Arteve Pamore Bashkëkohore. Gjithashtu ka qenë edhe drejtor i Muzeut të Pikturës dhe Skulpturës në Stamboll.

Erbil ka një karrierë të pasur dhe të gjatë edhe në qarqet akademike. Aktualisht është Profesor i Pikturës në Departamentin e Pikturës në Universitetin Mimar Sinan.

Ashtu si thotë përshkrimi në Christie’s, shtëpia e famshme e ankandeve, ku veprat e këtij autori kapin shifra të konsiderueshme, me dhjetëra mijë dollarë, puna e hershme e Devrim Erbil të kujton fort veprat dhe ilustrimet e Matrakci Nasuh, një nga figurat më të rëndësishme të Turqisë së shekullit të 16, dhe aktiv gjatë kohës së Sulltan Sulejmanit të Mrekullueshëm, të cilat kombinonin një mori ngjyrash natyrore me perspektivën ajrore dhe lartësinë horizontale. Në pikturat e mëvonëshme Devrim Erbil trajton perspektivën dhe proporcionet në mënyrë më natyrale, ndërsa ngjyra në punët e tij bëhet monokrome dhe ekspresive.

Me datë 15 Prill 2015, ora 11.00, në Galerinë Kombëtare të Arteve do të zhvillohet konferenca për shtyp gjatë së cilës kuratorja Beste Gürsu dhe vetë artisti Devrim Erbil do ta prezantojnë ekspozitën më gjerësisht.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 17 Maj 2015.


ARTON HUMOLLI
Trup e shpirt


15 – 25 maj 2015

Me datë 15 Maj 2015, ora 19.00, Galeria Kombëtare e Arteve, hapë për publikun, në sallën e vogël të ekspozitave në GKA, ekspozitën fotografike “Trup e Shpirt" të fotografit nga Kosova Arton Humolli.

Ekspozita prezanton një cikël prej 29 fotografish bardh e zi, të realizuara nga artisti pesë vitet e fundit. Humolli ka vendosour përpara objektivit të aparatit fizikun gjysëm të zhveshur të femrës në përpjekje për të përcjellë mesazhe sociale dhe artistike duke evidentuar të bukurën, sensualen dhe forcën e saj.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 25 Maj 2015.


Punëtorët dalin nga studioja.
Duke mos parë më realizëm socialist.


27 shkurt – 5 prill 2015

Më 27 shkurt 2015, ora 18.00, Galeria Kombëtare e Arteve dhe Departamenti i Shqiponjave kanë kënaqësinë e veçantë të hapin për publikun në sallën e ekspozitave të përkohshme ekspozitën ndërkombëtare “Punëtorët dalin nga studioja. Duke mos parë më realizëm socialist”, kuruar nga Mihnea Mircan. Ekspozita tregon vepra nga Irwin (Slloveni), Armando Lulaj (Shqipëri), Ciprian Mureşan (Rumani), Santiago Sierra (Spanjë), Jonas Staal (Hollandë) dhe Sarah Vanagt (Belgjikë), si dhe një përzgjedhje ekskluzive veprash nga fondi i GKA.

Sipas kuratorit Mihnea Mircan, “Kjo ekspozitë është një përpjekje për të hedhur dritë mbi fragmente të veçanta të fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, dhe atyre projekteve të artit bashkëkohor që fokusin e kanë rreth nocionit të realizmit. Ajo ngrihet mbi dy hipoteza për realizmin e epokës socialiste, mbi dy mënyrat sesi diskursi i asaj periudhe nuk mori fund. Shtysa heroike në ato vepra, që dëbonte metaforën e cila më pas rikthehej si një lapsus frojdian, minon dhe gërryen aspiratat e tyre realiste, dhe mpak mimesis-in e një bote 'të ardhshme'. Nga ana tjetër, marrëdhëniet mes lirisë artistike dhe shërbimit politik, shtylla ku mbështetet prodhimi i artit realist socialist, shtrojnë një ekuacion për të cilin praktikat e angazhuara të artit bashkëkohor patjetër duhet të japin një përgjigje, edhe atëherë kur gjenden brenda një regjimi të ndryshëm të bashkëbisedimit politik.”

Kjo ekspozitë realizohet edhe me mbështetjen e Fondacionit “Prins Claus,” Hollandë.


Sigmar Polke
Muzikë me origjinë të panjohur

15 Janar - 22 Shkurt 2015

Me datë 15 Janar 2015, ora 18.00, Galeria Kombëtare e Arteve, Ambasada Gjermane dhe Qendra e Gjermanishtes në Tiranë kanë kënaqësinë e veçantë të hapin për publikun në sallën e Ekspozitave të Përkohshme të GKA, ekspozitën “Muzikë me origjinë të panjohur” të një prej artistëve më të njohur gjermanë dhe botërorë të shekullit të 20, Sigmar Polke (1941 – 2010). Ky është prezantimi i parë i këtij artisti në Shqipëri dhe vjen si rezultat i një bashkëpunimi gjermano-shqiptar dhe falë mbështetjes së IfA (Institutit për Marrëdhënie me Jashtë).

Ekspozita tregon një cikël me 40 punime në guash të autorit, të gjitha të vitit 1996, në formatin 70 x 100 cm. Veprat na njohin me një krijimtari që është me vlerë unike në skenën artistike aktuale si dhe ndër më të rëndësishmet e periudhës gjermane të pasluftës së dytë botërore.

Polke – lindur më 1941 në Oels - është marrë prej fillimit të viteve '60 me raportin mes së vërtetës figurative dhe realitetit, artit dhe të përditshmes. Në këtë mënyrë ai pozicionohet në një perspektivë hera-herës të distancuar dhe ironike që i mundëson artistit të kalojë përtej problematikës përmbajtësore dhe t'i kushtojë vëmendje të veçantë formës dhe dimensionit material të pikturës.

Nisur nga karakteri ujor i teknikës së guashit Polke në këtë ekspozitë kthen vetë ngjyrën tek rrjedh e pikon, në temë të veprës. Lënia e fenomeneve fizike në rrjedhën e tyre në mënyrë të kontrolluar ose të pakontrolluar luan një rol të rëndësishëm për të. Të papërllogaritshmes në vazhdën e një ngjyre që rrjedh, Polke i vë përballë një sistem skemash të rregullta e të përllogaritura saktë – diçka shumë karakteristikë e punës së tij. Veç kësaj ai i vë punëve tituj që tingëllojnë absurdë, duke i shtuar kështu një frymë poetike asaj që paraqitet në vepër, çka është tipike për pozicionin mbarëartistik të Polke-s.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me datë 22 Shkurt 2015.

Të enjten me datë 15 Janar 2015, ora 11.00 në Galerinë Kombëtare të Arteve do të zhvillohet konferenca për shtyp mbi këtë ekspozitë.


100 Vjet Vizatimi Shqiptar
03 Dhjetor 2014 - 05 Janar 2015

Më datë 03 Dhjetor 2014, ora 18.00, Galeria Kombëtare e Arteve ka kënaqësinë të hapë për publikun në sallën e Ekspozitave të Përkohshme, ekspozitën "100 Vjet Vizatimi Shqiptar".

Ekspozita e kuruar nga Suzana Varvarica Kuka dhe Artan Shabani prezanton për herë të parë 152 vepra të zgjedhura në koleksionin e madh të vizatimit të fondit të GKA. Ato janë krijimtari e 46 artistëve. Atmosfera e saj, përpos shkaktimit të nostaligjisë për kohët dhe imazhet historike, i propozon publikut shqiptar dhe të huaj të prekë fillesat dhe përpjekjet kreative të artistëve, të njohë nivelin në rritje të vizatimit shqiptar dhe të dokumentojë gjurmët stilistikore ku dominojnë ato realiste.

Ekspozita “100 vjet Vizatimi Shqiptar” sjell pamjen e selektuar mbi nxjerrjen në pah të temave dhe emrave të artistëve. Ajo kryeson me polifigurën intelektuale tradicionale të Kolë Idromenos, si artisti i parë në krijimtarinë e gjinisë së vizatimit shqiptar. Harku kohor në të cilën përhapet atmosfera e ekspozitës nis me skicë ide të Idromenos të viteve 90-të shek. XIX dhe mbyllet me vizatimin modern, ekspresivo-abstrakt të artistes Merita Selimi të viteve 90-të shek. XX.

Me datë 03 Dhjetor 2014, ora 10.30, në Galerinë Kombëtare të Arteve do të zhvillohet konferenca për shtyp gjatë së cilës stafi kuratorial i saj, do ta prezantojë këtë ekspozitë më gjerësisht.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me datë 05 Janar 2015.


SVICOLANDO
9 - 29 Dhjetor 2014
Homazh për Vico Magistretti

SVICOLANDO

Me datë 9 Dhjetor 2014, ora 18.00, Galeria Kombëtare e Arteve ka kënaqësinë të hapë për publikun ekspozitën retrospektive të një prej prej baballarëve themelues të dizajnit Italian, Vico Magistretti (1920– 2006). Ekspozita është organizuar nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë në bashkëpunim me Fondacionin Studio Museo Magistretti në Milano dhe Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë. Ajo tregon historikun e bashkëpunimit të gjatë profesional mes Vico Magistretti-t dhe disa prej firmave më të rëndësishme italiane në fushën e dizajnit si: Artemide, De Padova, Flou, Oluce e Schiffini. Përveç skicave, dizenjove, fotografike, dhe shënimeve, ndër të tjera, do të ekspozohen në këtë ekspozitë edhe disa ikona të historisë së dizajnit italian, ndër të cilat llampat Eclisse të Artemide-s dhe Atollo të Oluce-s, që janë pjesë e koleksionit të përhershëm të MOMA-s në New York dhe të vlerësuara me Compasso d’Oro respektivisht 1967 dhe në 1979.

Përurimi i ekspozitës fillon me një prezantim të Lorenzo Imbesi, Profesor i Dizajnit në Universitetin La Sapienza, Romë. Profesor Imbesi do të bëjë një përshkrim të shkurtër të fenomenit kulturor të Italian design dhe do të ndalet më pas mbi veprën e Vico Magistretti-t si dizajner.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 29 dhjetor 2014.


KËNDVËSHTRIME
29 Nëntor - 5 Dhjetor 2014
Holli protokollar, Kryeministria e Republikës së Shqipërisë

KËNDVËSHTRIME

Ekspozita “Këndvështrime”, e cila çelet si një nga aktivitetet e shumta në kuadër të 70–të vjetorit të çlirimit, ka për qëllim të tregojë mbi të kaluarën dhe të tashmen dhe ti flasë publikut përmes imazhesh dhe veprash si mbi të vërtetën historike të shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, ashtu edhe mbi evolimin e gjuhës artistike dhe arteve pamore në dekadat që pasuan, por jo vetëm në Shqipëri.

Ajo është konceptuar që në fillim për të funksionuar si dualizëm, si dialog intelektual. Një pjesë e saj, ajo me vepra të fondit të GKA, fokusohet tek ajo pjesë e artit pamor shqiptar e cila pasqyron luftën çlirimtare sipas këndvështrimit specifik në vitet që pasuan, deri në vitin 1990, duke lënë gjurmë që nuk u zhdukën, (më pas, jo rrallë edhe u paragjykuan, por kjo është mëse normale në historinë e artit), dhe që vite e dekada më pas mbeten në kontekstin historik dhe memorien artistike të një kombi. Arti është një formë komunikimi mes brezash, një dëshmi e lënë nga një brez për tu njohur më pas nga të tjerët dhe kjo formulë vlen dhe për këtë rast. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët luftuan për liri po aq vendosmërisht sa edhe kombet më të mëdhenj të Europës. Aktet dhe qëndresa e të gjithë atyre që dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë rivijnë nëpërmjet pikturave, vizatimeve dhe grafikave të artistëve shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit të 20, krijuar sipas një këndvështrimi të caktuar dhe diktuar. Për disa prej tyre ky art lindi vërtet si pjesëmarrje e drejtpërdrejtë në luftë; për disa të tjerë nga impakti që lufta la në fëmijërinë apo rininë e tyre. Edhe pse ndoshta pak të ekzaltuara nga një frymë heroike – e pashmangshme në rrethanat në të cilat u krijuan – këto vepra gjithsesi shenjojnë një qëndrim korrekt historik të shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, që duhet njohur nga të gjithë, sidomos nga një brez i ri i cili ka nevojë për një memorie të qartë dhe të dallueshme historike. Sidomos kjo pjesë e ekspozitës përfaqëson edhe një zbulim për ata të cilët vetëm tani kanë mundësinë të njihen me një periudhë hermetike të artit shqiptar.

Ç’ka prezantohet më tej përqëndrohet tek vepra artistësh shqiptarë dhe të huaj krijuar pas vitit 1990. Ndërtuar si një mikrokozmos më heterogjen, me një arkitekturë më pak solide, me kombinime, kundërvënie e mbivendosje të papritura të cilat rezonojnë mes tyre në mënyra të tilla që [ne besojmë] se transformojnë përballjen e vizitorit me arenat dhe strukturat artistike për komunikim personal e kolektiv, kjo pjesë e ekspozitës paraqet mundësinë e njohjes me atë art që vërtet reflekton atë për të cilën shqiptarët luftuan në vitet 1940-të: lirinë e mirëfilltë larg çdo lloj forme shtypjeje dhe diktati, larg klishesë së jetuar dhe klishesë së kërkuar për inerci të klishesë së jetuar, shumë, shumë larg një jete dhe arti të orientuar dhunshëm pa hapësirë dialogu dhe distance, frymëmarrje, kundërshtimi dhe kundërvënie, esenciale për eksperienca unike të transmetuara fuqishëm sidomos nëpërmjet artit.

Këtu, nëpërmjet një përballjeje stilesh dhe gjuhësh me veprat e pjesës së parë publiku ka mundësinë të reflektojë mbi Historinë, duke e parë bashkëjetesën e mediumeve dhe shprehive të ndryshme artistike si një materializim të idesë se këndvështrime dhe qëndrime specifike historike, artistike dhe intelektuale, mund të qëndrojnë pranë njeri–tjetrit pa luftuar gjithmonë për dominancë monolite. Veprat në këtë pjesë, ndoshta jo të gjitha të reja, por pak të ekspozuara, i japin mundësinë vizitorit që të vendoset në një pozicion unik për të vëzhguar raportet e marrëdhënieve njerëzore me historinë, nëpërmjet shprehisë artistike.

Duke u nisur nga ambientet në të cilat zhvillohet kjo mbetet një ide kuratoriale e fuqishme e zhvilluar në mënyrë modeste por që në përpjekjen e saj përfshin thelbin dhe tharmin e atyre krijimeve që manifestojnë vlera, ideologji dhe qëndrime estetike të ndryshme, të cilat komunikojnë me publikun në një mënyrë të tillë që ndezin dialogun për një reflektim të kthjellët e personal përtej efekteve me fotoshop e masmedia mbi pasojat e mirëfillta të historisë si proces dhe praktikë.

Artan Shabani, Fani Zguro
Nëntor 2014


Hodworks (Budapest)
Dawn (Agim)

18 Nëntor 2014

Galeria Kombëtare e Arteve ka kënaqësinë t’ju ftojë të martën, datë 18.11.2014, ora 19.00, në premierën e performancës Agim (Dawn), prodhimi më i fundit i trupës ndërkombëtare Hodworks, fituese e Cmimit Rudolf Lábán si ‘performanca më e jashtëzakonshme bashkëkohore hungareze’ për vitin 2013.

Performanca në GKA jepet vetëm për një natë dhe është pjesë e Edicionit të 9 të ALBANIA DANCE MEETING FESTIVAL, iniciuar dhe drejtuar nga Gjergj Prevazi.

Në Agim, fokusi është mbi trupin e zhveshur të njeriut. Si një pjesë e guximshme dhe radikale, vepra kërkon një nivel të jashtëzakonshëm vetëdije, force dhe ndjeshmërie nga interpretuesit - ashtu siç pritet nga koreografi Adrienn Hód.

Trupa Hodworks u themelua nga koreografi hungarez Adrienn Hód në vitin 2007. Përveç anëtarëve të përhershëm, kjo kompani ndërkombëtare me bazë në Budapest punon me artistë të ftuar nga zhanre të ndryshme të artit. Hodworks mbledh krijues të ndjeshëm, proaktivë dhe vizionarë që punojnë sot me metoda krijuese dhe të përqendruara. Ata përqendrohen në trupin e njeriut, të çliruar nga kufijtë, skenat apo butaforitë. Veprat e Hodworks marrin gjithmonë drejtime të reja dhe progresive dhe janë rezultat i hulumtimeve komplekse bazuar tek improvizimi, i cili shfaqet në formë rreptësisht të strukturuar në skenë. Pjesët e tyre stimulojnë shpirtin dhe shqisat e publikut dhe i ftojnë të gjithë ti hapen të panjohurës.

Koreografia: Adrienn Hód Performuar nga: Emese Cuhorka, Júlia Garai, Csaba Molnár, Marcio Canabarro Muzika Live nga: Zoltán Mizsei Ndricimi nga: Kata Dézsi Co-producent: Trafó (Budapest)

http://hodworks.hu/en/


SADIK KACELI
Retrospektivë

15 Tetor - 16 Nëntor 2014

Me datë 15 Tetor 2014, ora 18.00, Galeria Kombëtare e Arteve ka kënaqësinë të hapë për publikun në sallën e Ekspozitave të Përkohshme, ekspozitën retrospektive të një prej artistëve më të njohur shqiptarë të shekullit të 20, Sadik Kaceli (1914 – 2000).

Ekspozita “Retrospektivë” tregon një përzgjedhje të veprave të Sadik Kacelit duke marrë në shqyrtim një periudhë rreth 70 vjeçare krijimtarie, nga vizatimet e para të tij në fundin e viteve 1920, e deri në fund të viteve 1990. Ekspozita përmban vizatime, grafika, piktura të shtrira në gjithë teknikat dhe gjinitë tyre.

Eshtë hera e parë që artisti Sadik Kaceli, të cilit i është dhënë titulli Piktor i Popullit në vitin 1994, paraqitet kaq i plotë në krijimtarinë e tij.

Me datë 15 Tetor 2014, ora 11.00, në Galerinë Kombëtare të Arteve do të zhvillohet konferenca për shtyp gjatë së cilës stafi kuratorial do ta prezantojë këtë ekspozitë më gjerësisht.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me datë 16 Nëntor 2014.


SIMON SHIROKA
Retrospektivë

19 Shtator - 5 Tetor, 2014

Në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor dhe artistik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Kosovës në Prishtinë përuron ekspozitën retrospektivë të artistit , e cila do të hapet ditën e premte, më 19 shtator 2014, ora 19.00.

Ekspozita “Simon Shiroka - Retrospektivë” kurohet nga Z. Erzen Shkololli, Drejtori i Galerisë Kombëtare të Kosovës. Veprat ekspozuara janë pjesë e koleksionit privat të Familjes Shiroka.

Artisti Simon Shiroka (1927-1994), i lindur në Prizren, është mjeshtër i madh i artit të realizuar në teknikën e filigramit.

Akademiku Eqrem Basha shkruan se nga tradita popullore, Shiroka nuk mori vetëm mjeshtërinë e përpunimit të argjendit dhe materialeve të tjera fisnike, por edhe figuracionin, ornamentikën popullore, etnografinë, por edhe psikologjinë dhe besimin e njeriut tonë. Nuk është vetëm totemia, folklori, mistika dhe ornamentika e shpirtit të kësaj treve dhe këtij populli ajo që e dallon krijimtarinë e tij artistike, por edhe një shpirt i veçantë i artistit, që me dashuri dhe fanatizëm të pazakonshëm digjej dhe jetonte për të.

Ditën e premte më 19 shtator 2014, në ora 10.00, në Galerinë Kombëtare të Arteve do të zhvillohet konferenca për shtyp mbi ekspozitën.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 5 tetor 2014.


LIN DELIJA
Mes sakrales dhe profanes

17 Shtator - 5 Tetor, 2014

Në kuadër të aktiviteteve kulturore, që po organizohen në pritje të vizitës së Papa Françeskut në Tiranë, në Galerinë Kombëtare të Arteve përurohet më datë 17 Shtator 2014, ora 19.00, ekspozita e kuruar nga Z. Gjon Radovani, me titull “Lin Delija mes sakrales dhe profanes”. Në ekspozitë do të paraqiten piktura dhe vizatime të piktorit Lin DELIJA, i cili jetoi dhe krijoi në Antrodoko, pranë Romës.

Ekspozita “Lin Delija mes sakrales dhe profanes” është fryt i mbështetjes së Ministrisë së Kulturës dhe i bashkëpunimit të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë me Shoqatën Art Union Albania.

Konferenca për shtyp do të zhvillohet më datë 17 Shtator 2014, ora 10.00 në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 5 Tetor 2014.


ADRIAN ÇENE
Manipulations

06 Gusht– 07 Shtator, 2014

Galeria Kombëtare e Arteve ka kënaqësinë t’ju ftojë me datën 6 Gusht 2014, ora 19.30, në hapjen e ekspozitës "Manipulations" të artistit Adrian Çene. Kjo është ekspozita e parë e artistit në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe është kuruar nga Suzana Varvarica Kuka.

Çene është një prej artistëve modernë shqiptarë (lindur në 1969), dhe është diplomuar për pikturë në Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1992. Ai jeton dhe punon në Tiranë. Krijimtaria e tij ka kaluar përmes përshtatjes së kërkimeve individuale në botën e pafund të trajtesave që arti i ditëve të sotme i sugjeron çdo artisti. Në këto 20 vite krijimtari Çene është dalluar për një pikturë stilistike foviste, ku dominon ekspresiviteti figurativ i sendeve të abstraguara, kontrasti në marrëdhëniet e ngjyrave dhe përdorimi i një linje të plotë vizatuese.

Disa kohë më parë, rreth vitit 2009, përmes vizatimit, Adrian Çene mbivendoste imazhin e tij të imagjinuar mbi një imazh të dhënë, konkretet e të palëvizshëm fotografik. Fotografia mediatike dhe riciklimi i saj u bënë bazamenti fillestar i përpunimeve të Adrian Çenes, i cili ndjeu se duke manipuluar imazhe të tilla përmes pikturimit dhe veçimit të detajit, që e ngacmonte më shumë, krijonte një realitet të ri, të ndryshëm nga piktura me vaj, por të afërt me procesin dhe lojën e tij foviste të ushtruar vite me radhë. Në këtë proces ai e çrregullon imazhin ekzistues dhe ia ndryshon informacionin fillestar, por nuk ia humb zanafillën apo imazhin e memorizuar. Pikturat në këtë ekspozitë janë një imazh jo real, i abstraguar përmes ngjyrave, të cilat vijnë me një gjuhë shumë më të qetë, janë më pak kontrastuese dhe anojnë drejt plotësisë dekorative.

Në ekspozitë do të paraqiten rreth 70 punime në teknikën tempera-akrilik mbi letër dhe akuarel mbi letër.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 07 Shtator 2014.


HELIDON GJERGJI
E-MAGES

31 Korrik - 07 Shtator, 2014
Kurator ARTAN SHABANI

Galeria Kombëtare e Arteve ka kënaqësinë t’ju ftojë më datë 31 Korrik 2014, ora 19.00, në hapjen e ekspozitës "e-mages" të artistit Helidon Gjergji. Kjo është ekspozita e parë personale e artistit në GKA. Gjergji ka lindur më 1970 dhe është diplomuar në Akademinë e Arteve, Tiranë, në vitin 1994, në Akademinë e Arteve të Bukura të Napolit në vitin 1996, dhe ka një Master për Artet Pamore nga Universiteti Northwestern në Çikago, SHBA. Nga viti 2004 jeton dhe punon në Nju Jork.

Video “e-mages” (2009) konsiston sipas artistit Gjergji në një “video-projeksion imazhesh të sjella nga Ketevan Geladze, nëna e Stalinit, “e cila” ka përzgjedhur disa fotografi prej albumeve të saja të familjes (me një sensibilitet të përshtatshëm për rrjetet sociale) dhe i ka ndërthurur në mënyrë elegante duke i shoqëruar edhe me një vals nga Shostakovitch (të orkestruar nga Andrea Rieu).”

Kjo video, e ideuar sipas artistit Gjergji si “një matrioshka (kukull) ruse hiper–reale”, projektohet fillimisht mbi një pasqyrë të thyer e më pas pasqyrohet e copëzuar në mur.

Ekspozita përmban edhe 2 video të tjera: “Pixture TV” (2003) dhe “Danubi Blu” (2007).

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 07 Shtator 2014.


GAZMEND LEKA
SYMBOLON

11 – 27 Korrik, 2014

Galeria Kombëtare e Arteve ka kënaqësinë t’ju ftojë më date 11 Korrik 2014, ora 19.00, në hapjen e ekspozitës "SYMBOLON" të artistit Gazmend Leka, që janë pjesë e koleksioni privat Josifi, për të kontribua në orientimin e politikave kulturore të ruajtjes dhe konservimit të veprave të artit.

Gazmend Leka prezanton hulumtimin e tij artistik të viteve të fundit në rreth 30 piktura, ku shenja simbolike është gjuhë e shprehisë pamore, duke na dhuruar një trashëgimi të re semiologjike e pavarur nga tregimtaria historike. “Trashëgimia nuk është historie dhe pse në disa raste ato mbivendosen. Trashëgimia e vendos të shkuarën në shërbim të së tashmes; historia e sheh të shkuarën në kuptimin e të shkuarës. Të kuptuarit e të shkuarës duke e vënë veten në logjikën e së shkuarës nuk ka qenë kurrë i lehtë”(Ray Raphael)... dhe këtu nis “fillesa krijuese“ për artistin që transformon historitë nën peshën metaforike të shenjës ku kultura të vjetra kryqëzohen me ato të rejat duke shtyrë kufijtë e imagjinatës drejt territoreve të metafizikës.

"SYMBOLON" është xhesti simbolik i artistit për “të dhënë e marrë” me publikun nëpërmjet ndërveprimit të imazhit, ku çdo kush nga ne “situatë pas situate” mund të gjejë vetveten.

Më datë 11 Korrik 2014, ora 11.00, në Galerinë Kombëtaretë Arteve do të zhvillohet me mediat një konferencë për shtyp gjatë së cilës artisti Gazmend Leka dhe kuratori Ardian Isufi do ta prezantojnë ekspozitën më gjerësisht, duke dhënë informacion të detajuar rreth kësa ngjarje artistike.

Ju Mirëpresim!


NOORA GEAGEA featuring NIKO SAARELA, EGS
FIVE

10 – 22 Korrik, 2014

Me datë 10 Korrik 2014, ora 19.00, Galeria Kombëtare e Arteve ka kënaqësinë të hapë për publikun ekspozitën e dy artistëve finlandezë Noora Geagea dhe EGS.

Punët e artistit EGS, një prej artistëve më të njohur finlandezë bashkëkohorë, janë të bazuara rreth hartave të botës. Duke transformuar dhe riformatuar topografinë deri në atë pikë sa të shkruajë emrin e tij (që i abstraguar mezi dallohet), hartat e EGS ilustrojnë stilin e tij të paimitueshëm kirografik në gjininë e grafitit, si dhe aftësinë e tij për të shkatërruar dhe ripropozuar grafikën e shkronjës në mënyra dhe kompozime të pafundme.

Duke përdorur të argjendtën dhe të zezën si ngjyra të preferuara për të shkruar grafitit (jo vetëm ngaqë shkronjat të dallohen më qartë, por sepse "këto ngjyra nuk mund të fiksohen, ose të kamuflohen me ngjyra të tjera”) - përdorimi nga EGS i bojës së zezë indiane në punët artistike i lidh edhe më fort këto dy praktika me njëra–tjetrën, duke e detyruar vizitorin të shikojë qartësisht pastërtinë dhe kompleksitetin e imazheve të tij në grafiti. Për më tepër, duke përdorur në vend të penelit për të pikturuar një shiringë, EGS tregon njëkohësisht si rolin prej arti të margjinalizuar të gjinisë së grafitit, ashtu edhe mjediset ‘prapa skene’ ku ky art shpesh krijohet: në rrugica, lagje të varfëra dhe djerrina e landfille të mbushura me objekte të hedhura.

Nga ana tjetër hartat e EGS janë jo vetëm një version i abstraguar i hartës së botës; ato luajnë edhe me idenë e evropianëve si pushtues kontinentesh të "reja" të cilat i ndajnë me laps e vizore, duke krijuar me çdo të rënë të lapsit vende e konflikte që kurrë nuk kanë ekzistuar më parë.

Hartat e EGS tregojnë edhe fuqinë e bojës për të ndryshuar ambientin rrethues, si dhe aftësinë e pikturimit për të ndryshuar thellësisht mënyrën se si ne e kuptojmë hapësirën.

Puna e Noora Geagea për këtë ekspozitë, bazuar mbi qytetet, është prodhuar tërësisht në Tiranë.

“Qytetet janë si ëndrrat, krijuar prej dëshirave dhe frikës, ku edhe nëse filli i bisedës së tyre është sekret, rregullat e tyre janë absurde, perspektivat e tyre të mashtrojnë, dhe gjithçka mbulon diçka tjetër.” -Italo Calvino

Nëpërmjet punëve të saj në fotografi dhe video Noora Geagea kërkon të trajtojë çështje si udhëtimi e dokumentimi i realitetit, si dhe të zbulojë se sa është në gjendje të prodhojë “portrete” të besueshme qytetesh të tjera nisur vetëm nga “portreti” i Tiranës. Puna e saj bazohet në novelën e famshme “Qytetet e Padukshme” të italianit Italo Calvino. Për Geagea-n qytetet kanë karakter, kanë personalitetin e tyre, dhe shërbejnë si një pasqyrë e vetë botëve tona.

Në punën e saj për këtë ekspozitë ajo përpiqet të kapë pesë portrete krejtësisht të ndryshme karakteresh, atmosferash e hapësirash të pesë qyteteve imagjinare nga të cilët është magjepsur dhe frymëzuar. Duke pasur parasysh natyrën tërheqëse dhe të shtresëzuar të qytetit, puna e saj është një homazh për qytetet si krijesa të kujtimeve, ëndrrave, frikës dhe historive të bukura - ashtu si jemi vetë të gjithë ne.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 22 Korrik 2014.


ILIRIAN SHIMA
"FARAJON"

29 Maj – 22 Qershor, 2014

Galeria Kombëtare e Arteve ka kënaqësinë t’ju ftojë më datë 29 Maj 2014, ora 19.00, në hapjen e ekspozitës "FARAJON" të skulptorit Ilirian Shima, lindur më 1964 dhe diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë, 1989, në ateljenë e arteve të aplikuara drejtuar nga Prof. Thoma Thomai dhe Kristo Krisiko. Kjo është ekspozita e parë personale e këtij autori në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Ilirian Shima është një njohës shumë i mirë i materialeve klasike të skulpturës dhe kryesisht punon në formë ciklesh në mermer, dru, gur e bronz. Skulpturat e tij, kryesisht në dimensione modeste, janë të realizuara mjeshtërisht në teknika tradicionale si derdhja apo gdhendja. Ato ofrojnë emocione të fuqishme dhe zgjidhje kompozicionale elegante.

Ekspozita ka mbi 40 vepra dhe tregon punë të artistit të cilat i përkasin harkut kohor 1990 – 2014. Punë të periudhave të hershme janë “Aenaon” (1990) dhe “Sisifos” (1998), ndërsa serisë së punëve të fundit i përkasin pesë krijime krijuar enkas për këtë ekspozitë: “Mediterranean Earth” (2014, triptik, bronz); “Eternity” (2014, dru); “The Rape of Europa” (2014, bronz); “Briharpa” (2014, dru, tela dhe altoparlantë) dhe “Farajon” (2014, bronz).

Një cikël i veçantë në këtë ekspozitë është cikli me skulptura i fokusuar në organet riprodhuese njerëzore. Artisti mjeshtrisht ka derdhur dhe gdhendur simbole të fuqishme dionisake, të trajtuara gjerësisht dhe me veneracion sidomos në kulturat helenistiko – romake. “Farajon”, emrin e të cilit mban dhe ekspozita, ka lidhje me dashurinë që artisti ka për vendin e tij, për gjenezën e tij si shqiptar dhe është inspiruar nga imazhi i një vathi ilir 4000 vjeçar. Kjo vepër arti erotike mashkullore për artistin simbolizon fuqinë e madhe ripërtritëse të kombit shqiptar.

Me datë 29 Maj 2014, ora 11.00, në Galerinë Kombëtare të Arteve do të zhvillohet me mediat një konferencë për shtyp gjatë së cilës artisti dhe kuratori i saj do ta prezantojnë këtë ekspozitë më gjerësisht.

Ju Mirëpresim!


PIKTURA KLASIKE
Artistë nga 1500 – 1900

24 Prill – 18 Maj 2014

Kohë pas kohe, në mjediset ekspozuese të GKA-së janë paraqitur për publikun, ekspozita të kuruara me vepra nga koleksioni i madh i veprave të piktorëve të huaj. Ekspozita “Piktura klasike, artistë nga 1500 - 1900” u ndërtua duke veçuar vlerën si veti parësore. Përzgjedhja e veprave formoi grupin e imazheve, i cili e krijon atmosferën figurative të një kohe të shkuar, përmes temave të pikturuara. Klasika e hershme e sjellë nga piktorë europianë italianë, hungarezë, francezë dhe rumunë  evidentohet prej disa vetive të përbashkëta si: koha e krijimit, temat dhe subjektet e pasqyruara,  shkollat në emër të mjeshtrave të historisë së artit dhe mënyrat e tyre të pikturimit. Në Shqipëri, fundi i viteve 40 të shekullit të kaluar shënoi fillimin e jetës së Pinakotekës së parë të artit dhe sot është Galeria Kombëtare e Arteve, institucioni i rëndësishëm i arteve pamore.  Veprat e para të saj, të blera e të trashëguara në vitin 1949, janë disa punime të artistëve tradicionalë e kryesorë shqiptarë, si edhe një koleksion i pikturave të autorëve të huaj dhe anonimë. Veprat e tyre krijuan koleksionin e parë të piktorëve të huaj, i cili kohë pas kohe u  pasurua me vepra të tjera. Në vitin 1999, në GKA, u dhurua një koleksion i rëndësishëm me vlera nga piktori i njohur hollandez Jan Dibbets, i cili u mblodh me dëshirë dhe humanizëm prej tij. Koleksioni mori emrin “Jan Dibbets” dhe është i përbërë nga vepra të artistëve më të shquar të shekullit 20. Ardhja e këtij koleksioni organizoi strukturën e koleksionit të piktorëve të huaj, rriti vlerën dhe rëndësinë e institucionit, duke e ripozicionuar fondin e gjërë të veprave të artit në trashëgiminë figurative kulturore të GKA-së.

“Piktura klasike, artistë nga 1500 – 1900” është ekspozitë figurative, koncepti i së cilës përpiqet të paraqesë nivelin artistik të koleksionit më të hershëm në GKA, i cili përcaktohet nga vendi që zënë piktorët e huaj në historinë e artit, metodave të krahasimit, vlerësimit dhe gjykimit mbi stilin e artistëve të shquar europian si Tiziano Vecellio, Peter Paul Rubens, nxënësit e tyre dhe shkollave Guido Reni dhe Hyacinthe Rigaud, gjurmë të të cilëve gjenden në disa piktura anonime të koleksionit të piktorëve të huaj.

Politika e re, kryesore dhe drejtuese e veprimtarive artistike në GKA është edukimi i publikut bashkëkohës përmes kulturës. Situata e re ka sjellë mendësi dhe vizione të reja, të cilat bëjnë aktive, të ekspozueshme dhe të prekshme pasurinë figurative dhe vlerat artistike, që ruhen në fondin e saj. Rivështrimi impenjues mbi pikturat e autorëve të huaj dhe anonimë, studimi dhe kërkimi i fakteve në vazhdimësi mbi jetën dhe krijimtarinë e piktorëve të huaj si: Francesco Malacrea, Giuseppe Mantessi, Alfredo Müller, Antal Peczely, Umberto Zini, Guido Cadorin dhe dallimi i subjekteve dhe temave të pikturave anonime inicioi kurimin e ekspozitës “Piktura klasike, artistë nga 1500 - 1900”, e cila do të shërbejë në informimin e vazhdueshëm të publikut shqiptar dhe edukimin e tij me një kulturë figurative europiane.

Suzana Varvarica Kuka


“HISTORIA E FRANCES E TREGUAR PERMES PUBLICITETIT”

26 MARS - 13 PRILL 2014

Galeria Kombetare e Arteve, salla e ekspozitave te perkohshme

Galeria Kombetare e Arteve, Aleanca Franceze e Tiranes dhe Ambasada e Frances ne Shqiperi kane nderin t’ju ftojne ne hapjen e ekspozites “Historia e Frances e treguar permes publicitetit”.

E mërkurë, 26 mars 2014, ora 19.00

Ekspozita prezantohet ne kuadrin e Pranveres se Frankofonise ne Shqiperi nga data      26 Mars - 13 Prill 2014

Ekspozita “Historia e Frances e treguar permes publicitetit”, do te jete e hapur nga data 26 deri me 30 mars ne Galerine Kombetare te Arteve dhe prezanton rreth 60 dokumente publicitare (afisha, reklama te publikuara ne shtypin e shkruar, etiketa të pijeve ose djathrave, etj.) te zgjedhur ne koleksionin e pasur të bibliotekes Forney/Hôtel de Sens. Kjo ekspozite risjell historinë e Frances permes nje galerie humoristike te heronjve franceze. Ajo korri nje sukses te madh gjate prezantimit ne Paris, ku ekspozita u vizitua nga me shume se 15 000 vizitore.
 




Kurator Fani Zguro

ALL ABOUT THESE... LADIES AND GENTLEMEN

Galeria Kombëtare e Arteve në bashkëpunim me Gallery On The Move

10 - 20 Mars 2014

në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë

Shadi Habib Allah, Jennifer Allora & Guillermo Calzadilla, Halil Altindere, Maria Thereza Alves, Ziad Antar, Ivan Argote, Fikret Atay, Luca Bolognesi, Candice Breitz, Egle Budvytyte, Erik Bünger, Miguel Calderón, Francisco Camacho, Barbara Ceriani Basilico and Alessandro Mancassola, Minerva Cuevas, Hubert Czerepok, Kajsa Dahlberg, Dina Danish, Ra Di Martino, Jimmie Durham, Miha Erman, Jakup Ferri, Ulrika Ferm, Dora Garcia, Daniel Guzmán, Khaled Hafez, Ibro Hasanovic, Pablo Helguera, Judith Hopf, Jesper Just, Hassan Khan, Ali Kazma, Dafna Maimon, Dorit Margreiter and Anette Baldauf, Nathaniel Mellors, Haroon Mirza, Alban Muja, Museo Aero Solar, Bruno Muzzolini, Ahmet Ogut, Tomas Ochoa, Damián Ortega, Fernando Ortega, Ferhat Ozgur, Steve Piccolo, Agnieszka Polska, Mark Raidpere, Pipilotti Rist, Damien Roach, Aida Ruilova, Anri Sala, Hiraki Sawa, Mariette Schiltz dhe Bert Theis, Esme Valk, Danielle Van Ark, Shingo Yoshida, Akram Zaatari, Nick Zedd dhe Richard Kern, Brigitte Zieger dhe Philippe Fernandez.

Një herë e një kohë shihja filmat e Ingmar Bergmanit; tani hedh shënime të marra nga E-flux dhe Art-agenda. “All About These… Ladies and Gentlemen” është thjesht një ilustrim i imazheve që i dhanë jetë këtyre shënimeve (Fani Zguro).

Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë, në bashkëpunim me Gallery On The Move prezanton "All About These... Ladies and Gentlemen", një shfaqje me videoart kuruar nga Fani Zguro, në datat 10 – 20 Mars 2014. "All About These... Ladies and Gentlemen" e cila filloi në Viafarini, Milano, në 2013 dhe është prezantuar në Co/Pilot Stamboll 2014, është një projekt që vazhdon dhe ndryshon në kohë. Në çdo ekspozim të ri, prezantohen artistë dhe video të reja. Struktura mbetet e njëjtë, ndërsa informacioni zëvendësohet me data të tjera.

Falenderime të veçanta për: Artan Shabanin, Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë, Prometeo Gallery të Ida Pisanit, Dora Garcia, Galerie Michel Rein, Astrit Cani, Kurimanzutto Gallery, Azra Tuzunoglu, Studio Sala, Galleria Kaufmann Repetto, Bruno Muzzolini, Adrian Paci, Galerie Chantal Crousel, Galerie Peter Kilchmann, Mariette Schiltz, Green Art Gallery, Galleria Francesca Minini, Ferhat Ozgur, Lo Schermo dell' Arte Film Festival, Gaia Fugazza, James Cohan Gallery, Monitor Gallery, Galerie Zak Branicka, Jacqui Davies.


 


 

Péter Pócs

"POSTERS & IDEAS"

06 Shkurt 2014 - 09 Mars 2014

Me datë 6 Shkurt 2014, ora 18.00, Galeria Kombëtare e Arteve ka kënaqësinë të hapë për publikun ekspozitën me pllakate të artistit hungarez Péter Pócs. Ekspozita tregon një përzgjedhje të veprave të këtij artisti duke u fokusuar kryesisht tek pllakati kulturor por që përfshin edhe disa kulme personale të artistit në pllakatin politik. Ai njihet për të dyja në nivel ndërkombëtar. Imazhet e tij, shumicën e kohës në skena dhe interpretime surreale, të mbrujtura me një seriozitet të thellë dhe pasion të fortë, gjejnë frymëzim në historinë e Hungarisë, dhe sidomos situatën politike të saj gjatë shekullit të 20, por disa nga punët e tij janë thellësisht universale, si në rastin e pllakateve që dëshmojnë rënien e komunizmit në gjithë Europën Lindore në vitet 1989-1990.

Pllakatet e Péter Pócs, të cilat vijnë si rezultat i përdorimit të një teknike individuale krejtësisht origjinale – bocete skulpturore të fotografuara në skena teatrale dramatike – kombinojnë ikonografinë personale surreale me elementë kulturorë, historikë, politikë, socialë etj, të një Europe midis dy botësh. Kur sheh materien e përdorur për to: balta, uji, mielli, kripa, argjila, është e pamundur të shmagësh asociimin me krijimin e Adamit të zanafillës, dhe as situatën e tij të mëpasshme. Pllakatet e Péter Pócs, të këtij demiurgu modern, e transhendojnë problemin akut politico-social të cilit i drejtohen dhe shtrojnë pyetje rreth kujtesës tonë historike në breza, apo gjendjes së njeriut në skenë apo jashtë saj, në jetë.

Që nga fundi viteve 80-të e deri në ditët tona Péter Pócs është fitues i shumë çmimeve në botë për pllakatin dhe sot ai është një nga figurat më të respektuara në këtë zhanër. Kjo është hera e parë që Péter Pócs ekspozon në Shqipëri. Nëpërmjet një gjesti të rrallë dhe bujar artisti do ti dhurojë fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve të gjithë pllakatet pjesëmarrës në këtë ekspozitë.

Me datë 6 Shkurt 2014, ora 11.30, në Galerinë Kombëtare të Arteve do të zhvillohet me mediat një konferencë për shtyp gjatë së cilës kuratori i ekspozitës Peter Fitz, drejtor i Muzeut Kiscelli të Budapestit, dhe stafi kuratorial, do ta prezantojnë këtë ekspozitë më gjerësisht.

Galeria Kombëtare e Arteve falenderon të gjithë sponsorat të cilët bënë të mundur realizimin e kësaj ekspozite: Vodafone Albania, Banka Ndërkombëtare Tregtare sh.a., Fondacioni Kulturor EDS dhe kompania CCS.

Biografia e Artistit

Péter Pócs lindi me 14 shtator 1950 në Pécs, Hungari. Ai u diplomua në Shkollën e Mesme Artistike në Pécs në vitin 1971 si arpunues dhe argjendar. Pócs ka punuar si dizenjator grafike që nga viti 1972, duke lëvruar kryesisht pllakatin kulturor, dhe më rrallë atë komercial. Në vazhdimësi, nga vitet 80-të (dhe pas ndryshimeve politike), Pócs ka dizenjuar më së shumti pllakate të karakterit politik. Udhëheqësit e tij shpirtërorë ishin Henryk Tomaszewski, Waldemar Swierzy dhe György Konecsni. Ai ka marrë pjesë në shumë ekspozita ndërkombëtare, bienale e trienale, duke qenë shpesh fitues i çmimeve si hungareze, si ndërkombëtare me krijimet e tij. Ai gjithashtu ftohet rregullisht të marrë pjesë në simpoziumet ndërkombëtare të pllakatit: 'Hommage à Max Ponti', '13 + Lautrec', 'Komunikim 2000', 'Mijëvjeçari Hungarez', 'Familja Toulouse', 'Fëmijët janë ritmi i botës', 'Shkronjat e Bullgarisë Alfabeti i Evropës', 'Sarajevë 2014'). Në vitin 1991 Pócs themeloi studion e tij, të përbërë vetëm prej tij, të quajtur Poster Design Studio. Ai mori çmimin Mihály Munkácsy për artin në vitin 1997. Pócs themeloi shoqatën 'Vetmia e Pllakatit Hungarez' në vitin 2008. Ai mori Diplomën 'Mjeshtër në Dizajnin Industrial' nga Universiteti i Hungarisë Perëndimore në vitin 2010. Kohët e fundit jeton dhe punon me familjen e tij në Tiranë.


 

Çmimi Onufri XX

“ELOZHE DYSHIMIT"

26 Dhjetor 2013 - 2 Shkurt 2014

Me datë 26 Dhjetor 2013, ora 18.00, Galeria Kombëtare e Arteve pati kënaqësinë të hapë ekspozitën kolektive Elozhe Dyshimit. Ekspozita është përzgjedhja përfundimtare për Edicionin e 20 të Çmimit Onufri, që organizohet çdo vit nga Galeria Kombëtare e Arteve dhe mban emrin e ikonografit të shquar mesjetar shqiptar. Çmimi Onufri është çmimi më i rëndësishëm publik për artet pamore në Shqipëri dhe zhvillohet nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës. Qëllimi i tij është të promovojë dhe mbështesë rolin vital që luan arti në rritjen e ndërgjegjësimit publik, si dhe aftësisë së artit për të “matur pulsin” e kohës sonë. 

Ekspozita mbledh sëbashku veprat e 12 artistëve nga vende të ndryshme, dhe është përzgjedhja përfundimtare pas shqyrtimit të 130 aplikimeve që u bënë për këtë ekspozitë që nga njoftimi për hapjen e tij. Elozhe Dyshimit, propozuar nga kuratori italian Claudio Cravero për këtë edicion të ri të Onufrit, hulumton disa nga praktikat dhe temat e reja artistike që ndërmerren në ditët tona, duke treguar lidhjet e tyre me situatën e sotme politike, si një pasqyrë e dyshimit tonë të vazhdueshëm. Në veprat e përzgjedhura dyshimi shfaqet si diçka që pashmangshmërisht na prek të gjithëve. Në nivel social, sidomos në dekadën e fundit, për brezin e ri (të lindur mes viteve 1970 dhe fundviteve 1980) dyshimi është kthyer në një ndjenjë bazë, një instikt vital që i tregon këtij brezi rrugën që duhet ndjekë. 

Po ashtu, në ato vende që tashmë konsiderohen si vendet e ish Europës Lindore, ku forma të reja të demokracisë duket se përplasen me një dëshirë për të provuar modelet e Perëndimit, artistët duhet të bëjnë një zgjedhje mes: qëndrimit dhe praktikës në kontekstin kulturor në të cilin janë lindur e rritur, apo lëvizjes përfundimisht jashtë tij. 

Si rrjedhim, ëndrrat për ndryshim, utopitë, janë zënë mat. E në këtë gjendje pezullie, ajo çka mbetet është gjendja këmbëngulëse e dyshimit, që korrespondon me gjendjen e të “gjendurit në të tashmen”. Artistë si Driton Selmani (dtl. 1987, Kosovë), Endri Dani (dtl. 1987, Shqipëri) dhe Irgin Sena (dtl. 1982, Shqipëri, jeton në New York) janë “në mes të rrugës” mes një dëshire për të krijuar dhe ndërtuar për vendin e tyre, dhe një ndjenje zhgënjimi nga premtimet e shkuara për ndryshime sociale e kulturore. E megjithatë, në këtë epokë globale të hiper-fleksibilitetit dhe hiper-shpejtësisë artistë nga Shqipëria deri në Kosovë, por edhe nga Egjipti deri në Itali, po ndërmarrin qasje të reja për të përballur të tashmen e ditëve tona. 

Rëndësi të veçantë nuk ka dhe aq mediumi (teknika) e përdorur, sesa kërkimi i thellë për kuptim. Jasmina Metwaly (dtl. 1982, Poloni, jeton në Egjipt), Alban Muja (dtl. 1980, Kosovë), Ivi Topp (dtl. 1985, Shqipëri, jeton në Francë) dhe Marzia Migliora (dtl. 1972, Itali) janë të ndarë në mes nga një epokë revolucionare dhe politike që duket se nuk i shpie shumë larg: kjo epokë edhe në të shkuarën nuk rrëmon (në kuptimin e nostaligjisë për atë që iku), por as nga e ardhmja nuk sheh. 

Kjo mungesë e perspektivave afatgjata influencohet nga “gjurmë të padukshme” nga e kaluara. Diktatura të shkuara apo forma të ndryshme politikash të dhunshme, edhe pse janë pjesë të historisë, duket se lëvizin e dallgëzojnë nën sipërfaqe. 

Disa nga dyshimet që dalin në pah nga Elozhe Dyshimit përbëjnë një lloj “zone të lirë”, ku gjendja e artistit sot duhet patjetër të mbrohet si një hapësirë e padhunueshme polivalente dedikuar transformimit dhe lirisë. Ky lloj “imuniteti” duket qartë në tekstet artistike të Ergin Zaloshnjës (dtl. 1979, Shqipëri), Flaka Halitit (dtl. 1982, Kosovë, jeton në Gjermani), dhe në vizatimet e Elton Kores (dtl. 1981, Shqipëri). Në këtë këndvështrim, edhe instalacionet nga Py Verde (dtl. 1981 Itali; 1986 Francë; ata jetojnë në Belgjikë) dhe videoja e Silva Agostinit (dtl. 1979, Shqipëri, jeton në Gjermani) sugjerojnë një vend të nënshtruar nga një seri tensionesh dhe forcash. Ato reflektojnë këmbëngulje dhe mundim fizik ekstrem, të ngjashëm me një eksperiment ku forca ushtrohet midis ngarkesës dhe aksit mbajtës. Kështu, Elozhe Dyshimit shndërrohet në një metaforë për të qenë pozitivisht hezitues kur ndërmarrim një përpjekje të fortë mendore me shpresën për të arritur rezultate të efektshme apo të paefektshme.

REXHEP FERRI

"Larg dhe Afër"

18 Nëntor - 15 Dhjetor

Ditën e Hënë, datë 18 Nëntor 2013, ora 18.00 në Galerinë Kombëtare të Arteve, akademiku dhe njeriu i letrave të Kosovës, piktori Rexhep Ferri paraqet për publikun në Shqipëri ekspozitën vetjake e kuruar nga studjuesja e GKA-së, Suzana Varvarica Kuka. Në ekspozitë paraqiten 50 vepra në pikturë, në teknikën vaj mbi pëlhurë. Veprat janë një pjesë e krijimtarisë së tij 50 vjeçare. Vepra më e hershme është e vitit 1967, me titull “Porosia”. Atmosfera e ekspozitës ndërtohet në idenë e titullit të saj: “Larg dhe Afër”, si një ndjesi e natyrshme dhe e gjeneruar nga hapësira e zhvillimit të arteve pamore në të dy vendet tona shqipfolëse, që në fillim të shek. XX.    

Rexhep Ferri, u lind në Kukës, me 10 tetor 1937. Familja dhe jeta e tij ka përshkruar pothuajse të gjithë Veriun e Alpeve shqiptare. Ferri ka përfunduar shkollën e mesme të artit në Pejë në vitin 1958 dhe është diplomuar në pikturë në Akademinë e Arteve në Beograd në vitin 1966. Kreativiteti i tij ka rrugëtuar në dy paralele: në pikturë dhe në letërsi, që njëkohësisht, janë zhvilluar sëbashku. Në vitin 1962, botoi poezitë e para në librin “ Shëtitësit e vonë” dhe në vitin 1967 hapi ekspozitën e parë personale, në galerinë e Qendrës Kulturore në Prishtinë. Në vitin 1974 u zgjodh pedagog i Akademisë se Arteve Figurative në Prishtinë dhe në vitin 2000 u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ku punon aktualisht.

Rexhep Ferri i përket artistëve që e formuan stilin e tyre, përmes studimit dhe kërkimit në disiplinat e modernizmit botëror. Ai kapërceu me shumë sukses kahet e forta e ndikuese të tyre dhe arriti të ketë gjuhën e tij pamore. Ajo spikat për imazhin e pastër figurativ, ku subjekti i nisur tretet si një mbresë e lënë dhe mediumi imagjinar merr pushtetin kryesor dhe dallon i pangatërrueshëm në mesin e pasurisë së pafund të eksperincave ndërgjegjësore figurative.

Me datë 18 Nëntor 2013, ditën e Hënë, ora 12.00, në Galerinë Kombëtare të Arteve zhvillohet me mediat konferenca për shtyp, gjatë së cilës do të jetë pjesëmarrës artisti Rexhep Ferri, i cili do të prezantojë më gjërësisht ekspozitën vetjake.


 

GEORGE PALI

"UDHËTIMI"

28 Tetor - 14 Nëntor

Nga data 28 Tetor 2013, ora 18.00, në Galerinë Kombëtare të Arteve në sallën e ekspozitave të përkohshme do të hapet ekspozita e piktorit George (Gjergj) Pali (lindur 1957) me titull
"The Journey / Udhëtimi". George (Gjergj) Pali i përket brezit të artistëve shqiptarë që u diplomuan gjatë viteve tetëdhjetë në Institutin e Lartë të Arteve (ILA) në Tiranë. Në vitin 1988 ai arratiset nga Shqipëria. Sot ai jeton si artist i lirë në SHBA, në Stamford, Connecticut.

Në këtë ekpozitë, e para e tij në Galerinë Kombëtare të Arteve, ai paraqitet me një numër pikturash në vaj të prodhuara kryesisht vitin e fundit në studion e tij.

Vladimir Myrtezai, kurator i ekspozitës, shprehet se "Krijimtaria e George Palit karakterizohet nga nje kërkim artistik intensiv i cili tregon rrugëtimin e piktorit me një fantazi të pasur, duke kombinuar zhanret e pikturës dhe kolazhit. Puna e Palit mbahet në dy kolona kryesore: në një reminishencë të nënndërgjeshme të artistit që ka lidhje me muzikën, të cilën ai shpesh e kthen në një formë tejet të instrumentalizuar në tablotë e tij, dhe së dyti, në një kolonë tjetër, që buron nga një udhëtim nën traumë i autorit ku shpesh ai i drejtohet zanafillës së jetës duke e përshkruar atë me një humor tragjik të hapur në pikturat e tij".

Me datë 28 Tetor 2013, ora 12.00, në Galerinë Kombëtare të Arteve do të zhvillohet me mediat një konferencë për shtyp gjatë së cilës artisti dhe stafi kuratorial do ta prezantojnë këtë ekspozitë më gjerësisht.
 

 

HENRY MOORE

GRAFIKA DHE SKULPTURA

13 Shtator - 23 Tetor 2013

Galeria Kombëtare e Arteve dhe Këshilli Britanik sjellin për herë të parë para publikut shqiptar një ekspozitë personale të njërit prej artistëve më të njohur britanikë në skenën ndërkombëtare të artit, skulptorit Henry Moore (1898 - 1986). Kjo ekspozitë përmban tetëdhjetë e gjashtë vepra, nga të cilat tetëdhjetë grafika kryesisht ne teknikat e gravurës dhe litografisë krijuar gjatë viteve 1949-1983, dhe gjashtë makete skulpturash në bronz. Gjithashtu në ekspozitë përfshihen edhe nëntë fotografi të skulpturave të realizuara dhe të vendosura në hapësira të ndryshme. Grafikat janë pjesë e serisë prej mbi 200 grafikash që artisti i dhuroi Koleksionit të Këshillit Britanik në vitin 1984 me rastin e 50-te vjetorit të themelimit të kësaj organizate. Skulpturat në bronz në këtë ekspozitë janë të përmasave të vogla dhe Moore i konsideronte makete. Ai përpara se ti prodhonte veprat e tij në dimensionin e tyre përfundimtar bënte makete të vogla për ta studiuar më mirë formën e tyre. Fotografitë tregojnë marrëdhënien që Moore kërkonte mes skulpturës dhe ambientit ku vendosej. Henry Moore është një nga artistët britanikë që ka bashkëpunuar më ngushtë me Këshillin Britanik. Ai ka pasur fatin që nëpërmjet mbështetjes së Këshillit Britanik ta ekspozojë punën e tij anembanë botës. Veprat e Moore ndodhen në muze dhe sheshe publike në qytete të rëndësishme anembanë globit. Ai është nderuar me shumë çmime dhe tituj ku nga më të rëndësishmit përmendim çmimin Ndërkombëtar të Skulpturës në Bienalen e Venecias 1948.

Me datë 13 Shtator 2013, ora 12.00, në Galerinë Kombëtare të Arteve zhvilloi me mediat konferenca për shtyp gjatë së cilës kjo ekspozitë u prezantua më gjërësisht.
 

 

KOHË DHE VENDE: STAMBOLLI

ME VEPRA NGA KOLEKSIONI I BANKËS QENDRORE TË REPUBLIKËS SË TURQISË

30.05.2013 - 14.07.2013

Galeria Kombëtare e Arteve njofton se nga data 30.05.2013 do të jetë e hapur në sallën e ekspozitave të përkohshme, ekspozita me titull: "Kohë dhe Vende: Stambolli - Me Vepra nga Koleksioni i Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë", e cila vjen para publikut në sajë të bashkëpunimit me Bankën Qëndrore të Republikës së Turqisë dhe Institutin e Kulturës Yunus Emre. Veprat në këtë ekspozitë janë pjesë e koleksionit të artit të kësaj banke. Ato janë përzgjedhur duke prezantuar një tematikë të përbashkët, e cila është peizazhi i Stambollit, i cili sipas kuratores Prof. Dr. Kiymet Giray i ka frymëzuar gjithmonë artistët turq. Veprat i përkasin një hapësire kohore që fillon që nga fillimi i shekullit XX e deri në ditët tona. Kjo ekspozitë përveÇ tregimit të Stambollit nëpërmjet syrit të artistëve turq është njëkohësisht edhe një lloj prezantimi i historisë së pikturës së këtij vendi duke qenë se autorët pjesëmarrës janë ndër më të rëndësishmit e historisë së artit të Turqisë moderne. Disa nga autorët më të njohur janë: Ali Riza Bayezit, Hikmet Onat, Ibrahim Çalli, Devrim Erbil, Adnan Çoker etj.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publiku deri me datë 14 Korrik 2013.

Ditën e enjte, datë 30 Maj 2013, ora 11.00 në Galerinë Kombëtare të do të zhvillohet një konferencë për shtyp me kuratoren e ekspozitës Prof. Dr. Kiymet Giray, gjatë së cilës kuratorja do ta prezantojë këtë ekspozitë më gjërësisht.
 

 

ALUSH SHIMA

Territore të vogla lirie 1968-1973

26 Prill - 27 Maj 2013

Galeria Kombëtare e Arteve do të hapë në datën 26 prill 2013, ora 19.00, ekspozitën e piktorit Alush Shima (lindur më 1942). Kjo ekspozitë është realizuar në bashkëpunim me dy kuratorët dhe kritikët italianë, Profesorët Vanja Strukelj dhe Arturo Calzona, të cilët janë përqëndruar në vitet e hershme të punës së piktorit, sepse këto vite janë të një rëndësie të dyfishtë. Së pari, në ato vite kultura shqiptare kaloi nëpër një periudhë të shkurtër lirie për të eksperimentuar dhe së dyti, janë vitet e formimit artistik të Shimës.

Ekspozita do të sjellë punë në të cilat ndihet influenca dhe dialogu i artistit me pikturën moderniste perëndimore dhe me autorët kryesorë të saj. Sipas kritikëve Strukelj e Calzona, të cilët fillimisht marrin në shqyrtim formimin e shëndoshë akademik të artistit, Shima e ndërton identitetin e tij në përballje me mjeshtrat e mëdhenj të artit të së shkuarës dhe sidomos në një marrëdhënie të ngushtë me pikturën e Braque-ut dhe të Mattisse-it, vepra e të cilëve bëhet për piktorin shqiptar një terren për t'u eksploruar.

Piktura e Alush Shimës është një sintezë e botëkuptimit modernist me botën e tij individuale dhe familjare. I ekspozuar fare pak gjatë viteve të regjimit socialist, Shima punoi në fshehtësi të plotë duke e zhvilluar veprën e tij larg syve të të tjerëve. Veprat në këtë ekspozitë janë të rëndësishme pasi vijnë për herë të parë para publikut duke treguar një mikrobotë të fshehur e shumë interesante që ka ekzistuar brenda botës së ngurtë kulturore të Shqipërisë socialiste.
 

ONUFRI

EDICIONI XIX

28.12.2012 - 03.02.2013

'Ndoshta të ëndërrosh'

Galeria Kombëtare e Arteve hap ditën e Premte, datë 28.12.2012, ora 18.00, në sallën e ekspozitave të përkohshme edicionin e 19të të ekspozitës së përvitshme ‘Onufri’. Ky edicion kurohet nga kuratori italian Daniele Capra dhe mban titullin 'Ndoshta të ëndërrosh'. Titulli vjen nga monologu i famshëm i Hamletit të Shekspirit. Capra zgjedh këtë titull sepse sipas tij ka një ngjashmëri të madhe mes Hamletit të turbulluar e të gjendur në situatë të vështirë personale por që pavarësisht kësaj mundet të filozofojë mbi botën dhe enigmat e saj. Sipas Capra-s artistët shqiptarë sfidojnë realitetin aspak të lehtë për ta dhe arrijnë të propozojnë zgjidhje personale. Por nëse Hamleti zgjodhi rrugën e hakmarrjes për zgjidhjen e problemeve të tij, artistët në këtë ekspozitë shtrojnë dhe kërkojnë zgjidhje të tjera.
Artistët pjesmarrës janë: Luçjan Bedeni, Yllka Gjollesha, Genti Korini, Mariana Kostandini, Remijon Pronja, Alketa Ramaj, Violana Murataj, Arjan Shehaj.

IKONA SHQIPTARE

shek. XIV - XX

17 Tetor - 29 Nëntor 2012

Galeria Kombëtare e Arteve ka në fondin e saj një koleksion të rëndësishëm ikonash, kryesisht pasbizantine, të cilat datojnë prej shek.XIV deri në shek.XX.

Shqipëria ka qenë një qendër e rëndësishme e ikonografisë në Ballkan. Ikonografia njeh një lulëzim në periudhën pasbizantine në këtë territor. Kësaj periudhe (nga shek.XV deri shek. XIX) i përkasin edhe autorët e shquar ikonografë si Onufri në shek.XVI, Onufër Qiprioti në shek. XVI-XVII, David Selenicasi në shek.XVII-XVIII, Konstandin Jeromonaku, vëllezërit Zografi dhe Kostandin Shpataraku në shek. XVIII, familja Cetiri në shek. XVIII-XIX, që dekorojnë kishat e vendit, për të ardhur deri në shek. XX me familjen Zengo. Tradita e artit ikonografik në Shqipëri vazhdoi deri në vitin 1964, kohë kur aktiviteti fetar në vend mori fund.

Galeria Kombëtare e Arteve hap në 17 Tetor 2012 ora 19.00 ekspozitën ikonografike "Ikona Shqiptare". Ky vit, duke qenë dhe përvjetor i 100-të i shtetit shqiptar është konsideruar i rëndësishëm nga Galeria Kombëtare e Arteve për prezantimin e vlerave dhe pasurive historike dhe shpirtërore të vendit. Ekspozita " Ikona Shqiptare" sjell përpara publikut vlerat më të mira të ikonografisë shqiptare dhe për herë të parë në një bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar, Korcë dhe Muzeun Kombëtar "Onufri", Berat, do të ekspozojë pesëdhjetë vepra, nga më të rëndësishmet prej të tre koleksioneve. Në këtë përzgjedhje dymbëdhjetë ikona vijnë nga Muzeu Kombëtar "Onufri", Berat, tetëmbëdhjetë ikona dhe një kapak ungjilli nga Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, Korcë, ndërsa pjesa tjetër është fond i Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë.

Ikonat në ekspozitë i përkasin shekujve XIV deri XX, duke bërë edhe një retrospektivë të historisë së ikonografisë në vendin tonë, duke filluar nga autorë anonimë të shek.XIV deri tek një ikonë e vitit 1920, pikturuar nga Spiro Xega.

Autorët në ekspozitë janë: anonimë, Onufri, Nikolla, i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, Kostandin Shpataraku, Kostandin Jeromonaku, Kostandi dhe Athanas Zografi, Johan Cetiri, Vangjel Zengo dhe Spiro Xega.

Ditën e Mërkure ora 11.30 në Galerine Kombëtare të do të zhvillohet një konferencë për shtyp me kuratorin e ekspozitës Rubens Shima.


 


MADE IN BRITAIN
Art bashkëkohor nga koleksioni i British Council 1980-2010.

01.06.2012 - 05.08.2012

MADE IN BRITAIN

Galeria Kombëtare e Arteve, nga data 01.06.2012 deri në datë 05.08.2012 ekspozoi, në sallën e ekspozitave të përkohshme, vepra të një prej koleksioneve më të njohura në mbarë botën për artin bashkëkohor, koleksionit të Këshillit Britanik. Ky koleksion, i cili i ka fillesat e veta që nga themelimi i Këshillit Britanik (1934), ka për qëllim promovimin e artistëve britanikë dhe të arritjeve të artit të këtij vendi, në mbarë botën. Ekspozita "Made in Britain", e formëzuar si kërkesë specifike e Galerisë Kombëtare tëArteve, sjell nëTiranë rreth 111 vepra në pikturë, skulpturë, grafikë, fotografi, instalacion e video-art, që përfshijnënjë hark kohor prej 30 vitesh. 32 autorët që vijnë para publikut shqiptar (shumica për herë të parë) janë ndër më të njohurit e më të rëndësishmit e dhjetëvjeçarëve të fundit në skenën e artit pamor. Ekspozita reflekton ndryshimet që ka pësuar shoqëria britanike gjatë kësaj periudhe dhe rolin edukues dhe ndikues që ka marrë përsipër arti pamor në ndryshimin e saj. Artistët në ekspozitë janë: Tomma Abts/ Phillip Allen/ Keith Arnatt/ Helen Chadwick/ Jake dhe Dinos Chapman/ Adam Chodzko/ Mat Collishaw/ Tony Cragg/ Martin Creed/ Peter Doig/ Angus Fairhurst/ Matt Franks/ Gilbert & George/ Damien Hirst/ Gary Hume/ Michael Landy/ Sarah Lucas/ Keny Macleod/ Julian Opie/ Bob dhe Roberta Smith/ Wolfgang Tillmans/ Mark Tichner/ Gavin Turk/ Mark Wallinger/ Gillian Wearing/ Boyd Webb/ Gary Webb/ Richard Wright/ Wood dhe Harrison.
 



IBRAHIM KODRA

13 Prill - 20 Maj 2012

Shqiperia Fantastike

Në sallë n e ekspozitave të pë rkohshme të Galerisë Kombë tare të Arteve nga data 13 Prill (hapja ora 18.30), deri në 20 Maj 2012, hapet ekspozita e piktorit Ibrahim Kodra e titulluar “Shqipë ria Fantastike”, kuruar nga Rubens Shima. Ekspozita organizohet nga Galeria Kombë tare e Arteve në bashkë punim me Fondacionin “Ibrahim Kodra” në Milano në kuadë r të 100 vjetorit të Pavarë sisë . Pë r realizimin e kë saj ekspozite kuratori ka pë rzgjedhur vepra nga koleksioni i Fondacionit “Ibrahim Kodra” në Milano (Itali), vepra nga koleksioni i Z. Kozma Dashi (Shqipë ri), vepra nga fondi i Galerisë Kombë tare të Arteve në Tiranë , si dhe vepra nga koleksione te ndryshme private brenda dhe jashtë Shqipë risë .

Ditë n e Premte, dt. 13 Prill 2012, ora 11.30, në Galerinë Kombë tare të Arteve organizohet edhe një konferencë shtypi pë r mediat. Në konferencë marrin pjesë kuratori Rubens Shima dhe Presidenti i Fondacionit “Ibrahim Kodra” në Milano, Z. Fatos Faslliu.

Ibrahim Kodra lindi në Ishë m të Tiranë s në vitin 1918. Ai e kaloi fë mijë rinë në atmosferë n e vë shtirë ekonomiko-politike të Shqipë risë së pas-Luftë s së Parë Botë rore. Në mesin e viteve tridhjetë , Kodra pasi kishte kryer arsimin e pë rgjithshë m, u fut në shkollë n e sapohapur të artit, në Tiranë , të quajtur ‘Shkolla e Vizatimit’. Më pas, në vitin 1938, duke pë rfituar nga marrdhë niet e ngushta mes Mbretë rise Shqiptare të Ahmet Zogut dhe Italisë , Ibrahim Kodra arriti të marrë një bursë studimi pë r në Akademinë e Arteve Brera, në Milano. Ai u shpë rngul në Itali ku studioi pikturë me profesorë t Carra, Funi e Carpi. Pas studimeve akademike, Kodra vendosi të që ndronte në Milano ku hapi edhe atelierin e tij artistik, ndonë se kjo pë rkoi me periudhë n e vë shtirë të mbarimit të Luftë s së Dytë Botë rore. Ai u bë shpejt pjesë e ekspozitave të rë ndë sishme kolektive që organizoheshin në Itali, por edhe në Paris, (Francë ) duke filluar që nga viti 1948 e duke vazhduar pë rgjatë gjithë viteve pesë dhjetë . Në kë to ekspozita ai merrte pjesë krahas artistë ve më të njohur të Evropë s. Karriera e tij artistike kulmoi me pjesmarrjen në Ekspozitë n e Universitetit të Parisit, në vitin 1953, ku ekspozonin një kohë sisht Picasso, Chagall, Matisse, Modigliani etj. Që nga ai moment Kodra u bë një piktor popullor në Itali dhe më gjerë , duke ekspozuar individualisht në muze e galeri të ndryshme evropiane e madje edhe në SHBA, Neë York. (Princess Hall Gallery, 1963)

Në vitin 1973 Ibrahim Kodra u dekorua nga Akademia Franceze e Arteve, Shkencave dhe Letë rsisë . Ai jetoi dhe punoi deri në fund të jetë s së tij, (2006) në atelierin e tij në Milano, në sheshin Ragosta.

Piktura e Ibrahim Kodrë s ë shtë një bashkim i çuditshë m botë sh; botë s së tij origjinale, të mbartur nga vendlindja, me motivet dhe historinë e saj, shpesh herë të etiketuar si orientale nga shtypi italian, dhe skemave artistike perë ndimore që kishin marrë jetë me avantgardat e fillimit të shekullit të një zetë . Ky bashkim, kjo pë rzierje e bë n Kodrë n një artist tepë r të veçantë pë r periudhë n kur ai jetoi dhe punoi. Sipas kritikut Carlo Bo, Kodra megjithë se i ardhur nga një kulturë tjetë r, nuk hyn në një marrdhë nie inferiore me botë n dhe artin perë ndimor duke iu në nshtruar normave dhe estetikë s së tij, pë rkundrazi duke pë rdorur gjuhë n e avantgardë s, (kubizmin e surealizmin) ai s’bë n gjë tjetë r veçse pë rforcon formimin e tij të ndryshë m dhe gjuhë n e tij origjinale, e cila tregon haptas lashtë sinë e saj. Kë shtu, kubizmi i Kodrë s nuk ë shtë një pë rpjekje pë r ta shpë rbë rë objektin por pë r ta ribë rë atë , duke e kthyer pikturë n e tij në një mjet preçizioni të lartë , në funksion të të kuptuarit dhe të gjykuarit të artit dhe kulturë s perë ndimore, duke zgjedhur rrugë n e pë rballjes kritike me kë të të fundit.



ORION SHIMA

7 Mars - 8 Prill 2012

Kunderpeisazh

Në sallën e ekspozitave të përkohshme të Galerisë Kombëtare të Arteve nga data 7 Mars (hapja ora 18.00), deri në 8 Prill 2012, u hap ekspozita e piktorit Orion Shima (lindur në 1969) e titulluar "Kundërpeizazh". Shima sjell në këtë ekspozitë personale një numër punimesh kryesisht në teknikën e akrilikut në kanavacë dhe letër, të cilat shfaqin krijimtarinë dhe zhvillimet e veprës së tij gjatë viteve të fundit.

Francesco Poli, i cili është dhe kuratori i ekspozitës, e karakterizon veprën e tij si të tillë: "Piktura më e fundit e Orion Shimës është shprehje e lirë, e ndjeshme dhe e thellë e një interpretimi melankolik dhe nostalgjik të natyrës, që duket se buron nga kujtime, përjetime dhe ëndërrime të adoleshencës, por që në të njëjtën kohë mund të shihet metaforikisht si një përsiatje e stërhollë mbi natyrën e vetë pikturës si gjuhë e pazëvendësueshme në ngjizjen e vegimeve vetjake mirëfilli poetike që kanë vlerë universale".



BOGUJEVCI // Histori Pamore

HOMAZHE PËR TË GJITHA VIKTIMAT E LUFTËS NË KOSOVË

Fatos, Jehona dhe Saranda Bogujevci janë tre nga anëtarët e familjes Bogujevci të cilët i mbijetuan masakrës në Mars të vitit 1999, në Podujevë. Që nga ajo ditë ata kanë qenë në një rrugëtim të gjatë për shërim, rimëkëmbje dhe në kërkim të drejtësisë.  Sot, Fatosi, Jehona dhe Saranda janë tre artistët e kësaj eskpozite të cilët në mënyrë origjinale rikrijojnë dramën e ngjarjes që përjetuan, shërimin dhe kërkimin e drejtësisë pas tragjedisë familjare.
Ekspozita ‘’BOGUJEVCI // Histori Pamore‘’ përbëhet nga katër instalacione (“Dhoma e ndjenjes”, “Trungu familjar”, “Dhoma e spitalit” dhe “Dhoma e gjykimit”) ku shfaqen filmime krejtësisht origjinale, intervista, fotografi dhe sende personale. Kjo ekspozitë, përveç karakterit të saj dokumentues, mund të shihet edhe si një përgjigje artistike kundër dhunës, ndërsa në rrafsh universal edhe si një eksplorim i shpirtit të njeriut që i kundërvihet krimit.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me datë 2 Mars 2012.

Të Premten me datë 10 Shkurt 2012, ora 11.00, në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë mbahet edhe konferenca e shtypit për këtë eskpozitë me artistët pjesëmarrës.

ONUFRI - Edicioni XVIII

22.12.2011 - 05.02.2012

‘Piktura e Jetes Moderne’

Në Galerinë Kombëtare të Arteve, ditën e Enjte, datë 22 Dhjetor 2011, ora 18,00, hapet Edicioni i 18 i Ekspozitës Ndërkombëtare të Arteve Pamore, Onufri, me titullin ‘Piktura e jetës moderne’.

Kuratori i kësaj ekspozite është Alban Hajdinaj, i cili e ka zhvilluar kërkimin e tij duke u mbështetur tek eseja që Charles Baudelaire botoi në vitin 1863 në Paris me të njëjtin titull. “Ekspozita,” sipas kuratorit Hajdinaj, “është një përpjekje për të ndërtuar një mënyrë të pari mbi artin shqiptar, duke u nisur nga nocioni i modernitetit.

Ky nocion që na vjen prej Baudelaire-it e ndan artin në dy elementë: ‘E bukura përbëhet nga një element i përjetshëm, i pandryshueshëm, sasia e të cilit është tepër e vështirë të përcaktohet, dhe nga një element relativ, rrethanor që do të jetë, si të dojë njeriu, herë tërë ansambli, herë epoka, herë moda, herë morali, herë pasioni.’

‘Piktura e jetës moderne’ vihet në gjurmim të modernitetit në Shqipëri duke sjellë në vëmendje fotografi të viteve 1915-1930, piktura të viteve 1960-1980, për të ardhur tek arti i ditëve tona (pikturë, skulpturë, vizatim, fotografi) i cili në këtë kërkim konsiston në një vazhdimësi të imazhit piktorik e figurativ për të dhënë një panoramë të evolucionit të imazhit modern në artin tonë. Gjurmimi i modernitetit vjen në sintezë me një kërkim për rezonanca dhe afëri mes subjekteve të kësaj ekspozite dhe atyre që Baudelaire propozon si karakteristika të shfaqjes së modernitetit; moda, veshja, uniforma, figura e gruas apo e burrit, përshkrimi i aspekteve kryesore të jetës si prodhimi, argëtimi, koha e lirë dhe estetika në ndryshim të vazhdueshëm janë në qendër të kësaj ekspozite.

‘Piktura e jetës moderne’, apo kërkimi i modernitetit është një përpjekje për ta çliruar artin tonë nga klishe dhe formate të ditës të cilat e tipizojnë dhe kategorizojnë atë nën terma apo përcaktime fundore. Ky kërkim kërkon ta vërë atë përballë vlerave universale dhe ta lërë të hapur qëllimin e tij.”

Në këtë ekspozitë marrin pjesë këta artistë: Klodiana Alia, Arben Bajo, Sonilda Bardhoshi, Sotir Capo, Rafael Dembo, Brilanta Kadillari, Sidi Kanani, Jakup Keraj, Shpëtim Kërçova, Dhimitër Kokoshi, Genti Korini, Greta Dhaskali Lami, Guri Madhi, Blerina Muça, Dashamir Myftari, Janaq Paço, Orion Papleka, Kristaq Sotiri, Roland Tasho, Orion Shima, Dhimitër Vangjeli dhe Ergys Zhabjaku.

Një konferencë për shtyp do të mbahet në Galerinë Kombëtare të Arteve për gjithë mediat e interesuara të Enjten me datë 22 Dhjetor 2011, ora 12,00. Ndërsa të Premten me datë 23 Dhjetor 2011, ora 12,00, po në Galerinë Kombëtare të Arteve kuratori i ekspozitës do të zhvillojë një bisedë më të zgjeruar rreth kësaj ekspozite dhe konceptit të saj. Ftohen të marrin pjesë të gjithë të interesuarit si dhe studentë të arteve. Biseda do të zhvillohet në sallën e Bibliotekës së Galerisë së Arteve. Hyrja për në bisedë është e lirë.

150 VJET FOTOGRAFI NË SPANJË

FOTOGRAFIA DHE SHOQËRIA SPANJOLLE NE SHEK. 19 DHE 20

14 tetor – 20 nëntor 2011

Ekspozita ‘150 vjet fotografi në Spanjë’ vjen në Galerinë Kombëtare si një studim kulmor gati njëzet-vjeçar i studiuesit të mirënjohur spanjoll, i cili është edhe kurator i saj, Publio Lopez Mondejar. Ekspozita hapet për publikun me datë 15 Tetor dhe do qëndrojë e hapur deri me datë 20 Nëntor 2011. Kuratori Mondejar ka arritur të përmbledhë 150 vjet histori të fotografisë spanjolle duke filluar që nga realizimi i parë fotografik dagerrotip në 1839 në Barcelonë për të ardhur deri tek fotografia bashkëkohore e këtij vendi e viteve 1990-të. Ekspozita është jo vetëm një përzgjedhje e imazheve më të bukura e më domethënëse të stampuara në Spanjë përgjatë kësaj periudhe kohore por edhe një pasqyrë e ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së këtij vendi. Ajo, duke ndalur nëpër momentet kyçe në të cilat kaloi fotografia spanjolle si: portreti, gazetaria, piktorizmi, vangardizmi, fotografia popullore, dokumentarizmi antropologjik, etj, sjell përpara nesh ndërkohë ngjarje historike si: Luftrat Karliste, fushatat e Marokut, Luftën Civile, zhvillimet industriale të vendit apo personazhe e përfaqësues të klasave të ndryshme sociale, artistike, intelektuale e politike të Spanjës. Ekspozita përmban 119 fotografi dhe është e ndarë në tre pjesë didaktike kronologjike. Pjesa e parë 1839-1900 tregon për: fotografitë e para, fillimet e fotogazetarisë, portretit dhe shumëfishimit të imazheve. Pjesë e kësaj periudhe janë fotografitë e autorëve klasikë si Clifford, Laurent, Martinez Sanchez etj. Pjesa e dytë 1900-1939 prek aspekte si: fotografia popullore, portretizmi i ri, reporterizmi grafik (me një theks të vecantë mbi Luftën Civile spanjolle) dhe piktorizmi. Kjo etapë e fotografisë spanjolle përfshin fotografi nga Alfonso, Centelles, Ortiz Echagüe, Escobar e shumë fotografë të tjerë. Pjesa e tretë dhe e fundit, 1939-2000, ndalet mbi një shumllojshmëri aspektesh si: fotografia e frankizmit, revolucioni dokumentarist, fotogazetaria e tranzicionit demokratik, dokumentarizmi antropologjik i viteve 80-të, modernizmi, pas-modernizmi dhe fotografia e viteve 90-të. Autorë përfaqësues të kësaj periudhe janë Cristina G. Rodero, Garcia Alix, Ramón Masats, e shumë të tjerë.

MARTIN PARR

Galeria Kombëtare e Arteve mirëpret në hapësirën e saj të ekspozitave të përkohshme nga data 15 Qershor deri në 7 Gusht 2011, ekspozitën e fotografit të mirënjohur Britanik Martin Parr. Kjo është ekspozita e parë personale që Martin Parr organizon në Tiranë dhe është hera e parë që imazhet nga cikli Albania/Shqipëria 1990 ekspozohen për publikun. Siç e ka cilësuar kritiku i mirënjohur Gerry Badger Martin Parr është “një figurë e shkëlqyer e fotografisë së fillim-shekullit XXI. Ndonëse ai nuk mund të quhet as modernist i pastër e as tërësisht postmodernist, ai është një figurë udhëheqëse dhe padyshim një ndër themeluesit e Shkollës së Re Evropiane të Fotografisë me Ngjyra.” Në të njëjtën kohë ai është edhe antar i agjensisë së parë të fotogazetarisë, Magnum. Kjo e bën Parr-in të jetë nga njëra anë në brendësi të praktikave të sukseshme të fotogazetarisë dhe nga ana tjetër të punojë pa pushim konceptualisht si një artist fotograf që e ekspozon punën e tij në galeritë e artit. Parr është një erudit i fotografisë dhe një fotograf i zhdërvjellët origjinal që e eksploron fotografinë që nga themeli e deri në lartësitë e skajshme të saj. Praktika e Parr-it mbështetet mbi kalimin e shkathët nga një botë fotografike tek tjetra duke trajtuar në mënyrë instiktive çështje si: roli i fotografit, statusi i imazhit fotografik në kulturën tonë dhe padyshim natyra e vërtetë e vetë kulturës bashkëkohore. E gjithë karriera e Parr-it, por veçanërisht imazhet e tij, ngrenë pyetje mbi kulturën popullore dhe atë elitare, mbi artin dhe komercializmin, shumëfishimin e imazhit fotografik dhe (jo rastësisht) mbi jetët që jetojmë sot. Kjo ekspozitë e rëndësishme që Martin Parr sjell në Tiranë ekspozitën përbëhet nga tre cikle: Shqipëria 1990, Common Sense 1995/1998 dhe Botë e Vogël 1989/2007. Foto-instalacioni Common Sense është një nga më të mëdhenjtë që Parr ka ndërtuar ndonjëherë në Europë duke përdorur 270 imazhe në format pak më të madh se A3. Shqipëria 1990 Martin Parr erdhi në Shqipëri në vitin 1990 me udhëtimin e parë turistik në vend pas rënies së murit të Berlinit. Ai tregon se: “Ky udhëtim ishte një turne arkitekture dhe nga 14 pjesmarrës, 12 dolën që ishin gazetarë.” Parr ishte në gjendje të bridhte lirisht herët në mëngjes, ose kur kishte nje sasi të kufizuar kohe të lirë. Edhe pse jo shumë të largëta në kohë këto imazhe përshkruajnë një botë të ndryshme nga Shqipëria që njohim tani. Common Sense 1995/1998 Parr prodhoi këtë seri imazhesh të fokusuara mbi detaje, me ngjyra tejet të ndezura, të cilat japin detaje të botës moderne perëndimore me të cilën jemi familjarizuar kaq shumë. Nga plane të para ushqimi fastfood, e deri te stolitë e grave, ky është një indeks i mbetjeve dhe hedhurinave të botës bashkëkohore. Botë e Vogël 1989/2007 Me studimin e tij të vazhdueshëm mbi turizmin global Martin Parr tregon se si imazhi i një vendi të famshëm pushimesh është shpesh në kontradiktë me realitetin. Duke qenë se turizmi është industria më e madhe në botë, Parr tregon se çfarë bote surreale kjo industri ka krijuar, shpesh e mbytur në vizitorë, duke i kthyer këto vende turistike në viktima të suksesit të tyre.

ALI OSEKU

Galeria Kombëtare e Arteve në periudhën 12.5.2011 – 5.6.2011 çel ekspozitën e piktorit të njohur Ali Oseku (lindur në vitin 1944). Oseku sjell në këtë ekspozitë vetjake, të parën në Galerinë Kombëtare, një numër punimesh në vaj, të prodhuara gjatë viteve të fundit (2009-2011). Kjo krijimtari karakterizohet nga një kërkim i cili tregon më së miri përvojën e gjatë të artistit dhe kultivimin maksimal të pikturës së tij.

Oseku është një piktor që në punën e tij përpiqet të manifestojë si parësore, marrdhënien artist – vepër arti dhe e bën këtë me thjeshtësi, me një qëndrim gati monokromatik që shfaqet në sipërfaqe të tëra brenda telajos. Piktura e tij karakterizohet nga thjeshtësia në trajtim, përkorësia e skajshme e imazheve, dhe dashuria për ngjyrën si një element bazë piktorik. Të tre këto linja vihen në funksion të prodhimit të hapësirës (ose boshllëkut). Artisti duket se huazon mënyrën e pikturimit të Ekspresionizmit Abstrakt për ta vënë në funksion të një vepre që njëkohësisht mund të lexohet edhe si jo-abstrakte. Hapësira dhe (apo) prodhimi i saj, është qëllimi i kësaj pikture por kjo nuk është thjesht hapësira që ne shohim në punët e tij, ku krijimi (pothuajse figurativ) të kujton qiellin, detin, horizontin, por hapësira e pafundme që piktori përpiqet të prodhojë brenda kuadratit duke e shpërbërë objektin e thjeshtë të pikturës së tij në mungesë të pikave të orientimit që na jep për ta lexuar atë. ミ《htë pikërisht mungesa e një perspektive të qartë, mungesa e peshës, mungesa e trupit (objektit fizik), është ndërtimi i reales nëpërmjet abstraktes (apo shprehja e njëhershme e këtyre të dyjave) që e bën pikturën e Ali Osekut një shprehje të pastër shpirtërore dhe filozofike. Horizontet që ne mund të shquajmë vagullt në këto piktura janë në fakt horizonte personale ku qënia e artistit takohet me pafundësinë dhe konceptin e saj.

GAZMEND LEKA

03 – 27 Mars 2011

Ftesa.jpgNga data 4 Mars 2011, në sallën e ekspozitave të përkohshme në Galerinë Kombëtare të Arteve do të qëndrojë e hapur për publikun ekspozita personale e piktorit Gazmend Leka (lindur më 1953). Ekspozita përmban 34 punime të viteve të fundit, të gjitha në teknikën vaj në kanavacë. Krijimtaria e artisti Leka thekson idenë se piktura nuk është thjesht një grumbull abstrakt njollash dhe ngjyrash, shenjash, vijash e planesh, e as një transkriptim i drejtpërdrejt i natyrës, por një shtresëzim kuptimesh dhe mesazhesh të ndryshme. Piktura e tij disi melankolike frymëzohet kryesisht nga piktura metafizike europiane e fillimshekullit të 20 dhe prek tema universale si: lindja dhe vdekja, përjetësia dhe miti, parajsa e humbur dhe nostalgjia. Në të njëjtën kohë figura e artistit shenjon gjendjen e shpirtit njerzor, zhytur në dinamikën, por edhe absurdin e jetës së përditshme.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me datën 27 Mars 2011.

"ANTONI CLAVE" 05. 11. 2010– 15. 12. 2010

Antoni Clavé u lind në 1913 në Barcelonë dhe vdiq në 2005 në Saint-Tropez, Francë. Ai është një nga piktorët më të njohur në shkallë ndërkombëtare dhe një nga pionierët e artit modern Spanjoll. Gjatë luftës civile ai u vendos në Francë ku u bë një nga ilustratorët dhe skenografët më të njohur të periudhës. Në vitet 50-të ai u bë një piktor i njohur dhe puna e tij që priret për nga abstraksioni cilësohet për interesin drejt aspektit material të artit. Ai ishte një virtuoz i teksturës dhe pigmentit , dhe duke i sintetizuar këto me dritën ai krijonte në tablote e tij atmosfera pa rëndesë, në marrdhënie formale me ritmet e tij piktorike. Arti i tij i drejtohet intuitës dhe ofron një mendim perceptiv delikat. Përvec pikturës ai aplikoi edhe asemblazhin dhe kolazhin ku puna e tij fiton edhe forcën e saj më të madhe. Antoni Clavé vjen në Galerinë Kombëtare të Tiranës pas një njohje dhe suksesi të gjerë ndërkombëtar.

"Koleksioni Dibbets" 08.10.2010 – 1.11.2010

Galeria Kombëtare e Arteve zotëron një koleksion me vepra të artit bashkëkohor të mbledhura dhe të dhuruara nga artisti holandez Jan Dibbets. Këto vepra vijnë për publikun shqiptar pas një proçesi studimi dhe rivlerësimi në një ekspozim të veçantë. Koleksioni Dibbets përmban emra mjaft të njohur të artit modern dhe bashkëkohor ndërkombëtar të cilët përfaqsojnë rryma dhe qëndrime nga më të rëndësishmet për historinë e artit të viteve 1960-70 sic janë; Modernizmi i Vonë, Arti Konceptual, Minimalizmi, Land Arti etj. Ndër artistët, veprat e të cilëve përbëjnë këtë koleksion mund të përmendim; Karel Appel, Pierre Alechinsky, Markus Lupertz, Georg Baselitz, Giovanni Anselmo, Mimmo Paladino, Sol LeWitt, Richard Serra, Dan Graham, Mike Kelley, Joseph Kosuth, Daniel Buren, Edward Ruscha, Robert Barry, John Baldessari, Jan Dibbets, Christo & Jeane-Claude, Marina Abramovic, Gilbert & George, Bill Viola, Richard Long, Damien Hirst etj. Koleksioni kryesisht është i përbërë nga grafika, vizatime, fotografi, printe etj, dhe punët janë te përmasave të vogla, por ato përbëjnë një revistë tepër interesante të qëndrimeve artistike të gjysmës së dytë të shekullit XX.

ZEF SHOSHI

19.03.2010 – 9.04.2010

Zef Shoshi është një artist i njohur për publikun shqiptar. Ai është një prej piktorëve të njohur të periudhës së Realizmit Socialist. Në këtë ekspozitë ai shpalos stilin e tij piktorik që ka konsoliduar në vite, ku ka përparësi ngjyra e ngjeshur dhe drita e fortë. Motivet kryesore të artistit në këtë ekspozitë janë tema historike dhe tema e fshatit, kryesisht nga zona e Zadrimës, ku ai është frymëzuar për shumë nga portretet dhe kompozimet e tij. Kjo ekspozitë mbart gjithashtu edhe një karakter retrospektiv duke filluar me Autoportretin e vitit 1955.