Janaq Paço

 

Nudo femre, 1960-'69, Bronz, Nr. Inv. 624-1
Portret ushtari, 1973 (derdhur në bronz ne 1985), 39 x 29 x 23 cm, Nr. Inv. 3337
Portret vajze, 1988-'89, Bronz, 44 x 20 x 20 cm, Nr. Inv. 3957-1

 


Janaq  Paço (Konicë, Greqi 14.03.1914 – Tiranë,11.07.1991)  Skulptor. Vlerësuar me titullin “Skulptor I Merituar” dhe “Skulptor i Popullit”. Skulptori Janaq Paço dhe Odise Paskali janë themeluesit e skulpturës realiste shqiptare të shekullit të XX.  Paço / skulptor dhe artist u formua në Akademinë e Athinës (Greqi), në mesin e shekullit XX. Janaq Paço, ishte skulptor i formave të mëdha e të ngrohta plastike. Ai u evidentua në artin shqiptar si një skulptor monumental dhe portretist i veçantë, duke sjellë në artin e tij ndikimin e skulpturës antike dhe moderne greke. Me kthimin e tij pas studimeve në Tiranë (Shqipëri) më 1942, vërejmë se Paço krijoi ciklin e portreteve familjare (1943-1945), portreti i nënës, Angjelina e portrete të nipave; ciklin e portreteve të figurave historike, artistëve dhe heronjve të luftës Antifashiste Nac.-Çl. Lexo më tepër
(1945-1949), që ruhen në studion e skulptorit. Disa nga këto vepra u vendosën në Tiranë në Galeri arti dhe sheshe publike në disa qytete të Shqipërisë, ku mund të kujtojmë: portreti i piktorit Vangjush Mio, portreti i muzikologut Ramadan Sokoli (1955), portreti i Fan S.Nolit (dy portrete), portreti i Bethovenit, busti i Qemal Stafës (Tiranë), busti i Avni Rustemit (1953, në Vlorë) dhe busti i Hoxha Tahsim (1956, Sarandë), busti i Kajo Karafilit (1954, Kavajë) dhe busti i Aleksandër Xhuvanit (1977, Elbasan).  Në krijimtarinë e tij të gjerë, një vend të rëndësishëm zenë veprat kushtuar figurës së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Artisti Paço realizoi tri vepra monumentale kushtuar Skënderbeut: Monumentin e Skënderbeut në Krujë (1949-1959), monumentin e Skënderbeut në Tiranë (1964-1968, bashkautor me Odise Paskalin dhe Andrea Manon) dhe grupin skulpturor me titull: ”Skënderbeu dhe populli” (1979-1982, në bashkautorësi me Genc Hajdarin) vendosur në hollin e Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”,Krujë. Gjatë viteve 1968-1974. Artisti Paço si një skulptor me prirje drejt një skulpture lirike realizoi ciklin e nudove dhe dy figurat monumentale me titull “Gladiatorët” (me lartësi 3.5 m, 1971-1975) për tu vendosur në hyrje të anfiteatrit në qytetin e Durrësit. Krijimtaria e artistit Janaq Paço është e gjerë dhe vepra e tij është vlerësuar nga kritika dhe studjuesit, si një zë i veçantë i skulpturës shqiptare.  Mjaft I njohur është cikli I nudove që artisti krijoi në vitet ‘70 të shekullit XX, të cilat u censuruan nga diktatura komuniste dhe që e detyruan artistitn ti thyente vetë pjesën kryesore të tyre. Ky cikël i realizuar në ato vite nga mjeshtri Janaq Paço mbetet unikal në skulpturën shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX, ku realizimi i nudove në pikturë dhe skulpturë ishte rreptësisht i ndaluar. Skulptori Janaq Paço u lind në Konicë (Greqi), babai i tij, Zafiri, ishte rrobaqepës, ndërsa nëna Anastasia ishte shtëpiake. Janaqi ishte fëmija i tretë i tetë fëmijve të familjes Paço. Janaqi kreu shkollën fillore në Përmet, vazhdoi shkollën e mesme në Tiranë dhe Selanik. Ai ishte nxënës i piktorit Andrea Kushi I cili e inkurajoi dhe e ndihmoi artistin e ardhshëm, duke e pranuar në studion e tij. Gjatë viteve 1933-1938 Janaq Paço kreu studimet e larta në Akademinë e Arteve të Bukura në Athinë, ku shquhet për talentin e tij të veçantë si student i shkëlqyer. Ai pati fatin të studionte në ateljenë e nxënësit të Rodenit, skulptorit të njohur grek Kostandin Dimitriadhis. Paço u kthye në atdhe, në Tiranë më 1942, ishte pedagog në gjimnazin e Tiranës dhe pjesmarrës në ekspozitën kombëtare  të atij viti, ku u nderua me çmim (me portretin “Motra”). Në këto vite ai u lidh me lëvizjen antifashiste sëbashku me disa artistë të tjerë të kthyer nga studimet në Akademitë italiane. Mbas  çlirimit, artisti, punoi  pedagog në Liceun Artistik “Jordan Misja”në Tiranë. Janaq Paço në vitin 1964 me rastin e 50 vjetorit të lindjes përuroi ekspozitën e parë vetjake në Tiranë, në vitin 1977 çeli ekspozitë vetjake në Uzinën e Traktorëve në Tiranë dhe  dy vjet pas ndarjes nga jeta në vitin 1993, Galeria Kombëtare e Arteve , Tiranë organizoi ekspozitën e dytë vetjake  me titull “Nudot dhe diktatura”. Artisti Paço ishte pjesëmarrës në të gjitha ekspozitat kombëtare të organizuara në Tiranë duke filluar nga viti 1946. Artisti Janaq Paço është nderuar  dhe vlerësuar me çmime dhe tituj nderi si “Skulptor i  Merituar” dhe në moshën 70 vjeçare me titullin "Skulptor i Popullit". Në ekspozitën "Pranverë 90" në Galerinë Kombëtare të Arteve, fitoi çmimin e parë me "Portret vajze" e cila në vitin paraardhës nuk ishte lejuar të ekspozohej e cilësuar "vepër moderniste". Në fondin e Galerisë Kombëtare të arteve ruhen tridhjetenjë vepra të autorit.

 Ylli Drishti Studjues arti

Fshihi detajet

 

Pjesëmarrje të artistit në disa nga ekspozitat kryesore
1950   - Ekspozita Kombëtare e Arteve Figuraive. Artisti morri pjesë me dy punime:”Punëtori” dhe “Qemal Stafa”.
1949 - 1959 - Punoi për realizmin e monumentit të Skënderbeut,(Bronx), që u vendos në qytetin e Krujës.
1960 -  Ekspozita Kombëtare e Arteve Figuraive . Artisti morri pjesë me një punim: “Djali im”.
1964 -  Ekspozita Kombëtare e Arteve Figuraive kushtuar 20 vjetorit të çlirimit. Artisti morri pjesë me një punim: ”Enver Hoxha”.                                                                                                                                                       Lexo më tepër

1964-1968  -  Bashkautor me Odise Paskalin dhe Andrea Manon për realizmin e monumentit të Skënderbeut në Tiranë, vendosur në sheshin “Skënderbej”.
1969  -  Ekspozita Kombëtare e Arteve Figuraive kushtuar 25 vjetorit të çlirimit. Artisti morri pjesë me një punim: “Fonditori”
1973  - Ekspozita Kombëtare e Arteve Figuraive kushtuar 30 vjetorit të krijimit të Ushtrisë Popullore.. Artisti morri pjesë me një punim: “Ushtari”.
1975  - Ekspozita Kombëtare e Arteve Figuraive  kushtuar 30 vjetorit të krijimit të Flotës Luftarake Detare. Artisti morri pjesë me dy punime: “Medaljon” dhe “Marinari”.
1979 - 1982 - Realizoi në Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Krujë, grupin skulpturor “Skënderbeu dhe populli” , Beton i bardhë. (bashkautorë me Genc Hajdarin).

 Ylli Drishti Studjues arti

Fshihi detajet