Qamil Grezda

 

Autoportret, Vaj mbi kompesatë, 30.5 x 39.5 cm, Nr. Inv. 77
Pylli në Itali, 1943, Vaj mbi karton, 46.5 x 57.5 cm, Nr. Inv. 92
Të korrurat e grurit, Vaj mbi karton, 24.7 x 34.2 cm

 


Qamil Grezda  (Gjakovë 18.05. 1917 – Tiranë 11.04. 1992) Piktor

Piktori Qamil Grezda i përket artistëve shqiptarë që studjuan në Akademitë Italiane në gjysmën e parë të shekullit XX (1938-1943). Ai është kryesisht një piktor realist, që  krijoi veprat e tij në periudhën e realizmit socialist (1944-1990). I prirur kryesisht drejt natyrës piktori Qamil Grezda ju kushtua peizazhit dhe portretit realist. Piktori Qamil Grezda shkollën fillore, një pjesë të arsimit të mesëm e kreu në qytetin e Shkodrës dhe ishte nxënës i piktorit Simon Rrota. Më 1934 familja Grezda vendoset me banim në Tiranë ku ndjek shkollën e mesme teknike, Harry Fullz“ (dega pikturë  & plastikë) nën drejtimin e pedagogut Zef Dajçi. Më 1936 Qamil Grezda kaloi në shkollën e vizatimit në Tiranë, dhe ishte bashkënxënës me artistët Hasan Reçi, Sadik Kaceli, Shefqet Agalliu, Kel Kodheli, Llazar Nikolla, Bukurosh Sejdini. Lexo më tepër
Më 1937, ekspozoi për herë të parë në Selanik (Greqi) në pavionin shqiptar të panairit të artit, ku vlerësohet me medalje ari (motivet historike dhe etnografike shqiptare përbënin dhe shumicën e veprave të tij ). Prindërit e dërgojnë Grezdën në Foggia (Itali) për të studiuar në degën e agronomisë apo financës, por ai fitoi konkursin e pranimit në Akademisë së Arteve të Bukura, në Romë. Në vitin e dytë të studimeve (1940) provoi të studjonte për dy vjet në Akademinë e Arteve në Firence, në ateljenë e pedagogut Felice Carena, por rikthehet përsëri në Romë ku diplomohet më 1943, në ateljenë e Carlo Sivieros. Pas diplomimit, kthehet në Shqipëri  dhe pas  mbarimin e luftës, Grezda emërohet si skenograf në Radio–Teatër, Tirana. Më 18 prill 1945, mori pjesë me 17 punime në ekspozitën e Rinisë në Tiranë. Gjatë viteve 1948-1953 ishte drejtor i Muzeut të Luftës Nacionalçlirimtare në Tiranë, e më tej pedagog në Liceun Artistik "Jordan Misja", në shkollën e mesme pedagogjike, në Filarmoninë e Shtetit etj. Më 1964, piktori Qamil Grezda çeli ekspozitën e tij vetjake me vepra në pikturë dhe më vonë çeli ekspozitën vetjake retrospektive (1981). Në vitet 1984 dhe 1992 ekspozitat vetjake të piktorit Qamil Grezda. përmbanin respektivisht 150 dhe 70 punime në gjini të ndryshme (peizazhe, portrete, vizatime). Artisti Grezda kishte të ruajtura nga vitet e studimit në Akademinë e Romës,  mjaft vepra në vizatim, peizazhe, figura modelesh akademikë si: “Portret fëmije” (riprodhim), “Portret i një plake të mbuluar me çarçaf”, “Grua dardhare”, “Breg lumi”, “Të korrat”, “Portret Gruaje”, “Portret i babait” etj. Një pjesë e këtyre veprave janë realizuar nga autori në Shqipëri, kur ai vinte me pushime gjatë stinës së verës. Koleksioni veprave të Qamil Grezdës ndodhen të ruajtura në fondet e GKA, Tiranë dhe në koleksionin e familjes së piktorit. Në përgjithësi përveç nëntë tablove kompozicionale me temë nga lufta dhe historia të realizuara për muzeun e luftës, Tiranë, në vitet 1946-1953 (kujtojmë:“Çlirimi i Tiranës”,1946 dhe “Marshimi partizan” 1947, që mbeten ndoshta kompozimet e para dhe të fundit për piktorin Grezda), artisti ju kushtua peizazhit. Ai ishte piktor i natyrës (plain-air). Peizazhet artisti i realizonte kryesisht nga zona e Lurës, Thethit, Valbonës (Shqipëria Veriore), nga bregdeti i Himarës (Shqipëria jugperëndimore), ullishtet e Elbasanit, periferia e Tiranës etj. Piktori Grezda, përveç portreteve të miqve dhe familjarëve, realizoi dhe portrete të figurave historike shqiptare. Grezda gjatë gjithë krijimtarisë mbetet një piktor thellësisht realist. Në disa nga peizazhet e tij të viteve 1960-1970 në pikturën e tij ndjehen ndikimi i impresionizmit.Në tablotë e realizuara gjatë viteve 1970-1980, artistit realizoi kryesisht pejzazhe të vendeve ku kanë ndodhur ngjarje nga historia e Shqipërisë: “Gryka e Kaçanikut (1978), “Shtëpia e Lidhjes së Prizrenit” (1978), “Kalaja e Krujës” (1982) etj. Grezda në këtë periudhë realizoi edhe një cikël me portrete të figurave të shquara të historisë shqiptare në luftën për liri e pavarësi si dhe të shkrimtarëve të njohur, ku mund të kujtojmë portretin e shkrimtarit “Sterjo Spase”, 1964 dhe të patriotëve: “Bajram Curri”(1966); “Isa Buletini” (1978);“Hasan Prishtina” (1987). Në portretet e tjerë të realizuara nga Grezda mund të përmenden: “Portret i gruas” (1962), “Portret plaku” (1978), “Portret malësori” etj. Krijimtaria e piktorit Qamil Grezda është prezantuar edhe në mjaft aktivitete ndërkombëtare si në Egjypt, Rumani, Greqi, Algjeri, Itali, Hungari, ish BRSS etj.

Ylli Drishti /  Studjues arti

Fshihi detajet

 

Ekspozita të artistit në vite  
1964 - Ekspozitë vetjake  në Tiranë. Ekspozoi 30 punime në pikturë.
1981 - Ekspozitë retrospektive.  Ekspozoi 60 punime.
1984 - Ekspozitë retrospektive.  Ekspozoi 150 punime.
1992 - Ekspozitë retrospektive. Ekspozoi 70 punime, ndërmjet të cilave edhe disa nudo nga periudha e studimeve akademike.
1993 - Ekspozitë me përbashkët e Qamil Grezda dhe Ermir Grezda (i biri), në “Caffe des Artist” në Pallatin e Kulturës , Tiranë
Lexo më tepër
1995 - Ekspozitë me përbashkët e Qamil Grezda dhe Ermir Grezda (i biri), në Pallatin e Kongreseve, Tiranë
1995 - Ekspozitë me përbashkët e Qamil Grezda dhe Ermir Grezda (i biri), në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës, Tiranë. U ekspozuan 55 punime.
2000 - Ekspozitë vetjake  në Gjakovë, Kosovë. Ekspozoi 30 punime në akuarele dhe vizatime.
2002 - Ekspozitë vetjake  në Galerinë e Arteve, Prishtinë, Kosovë dhe në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”në Gjakovë. Ekspozoi 53 punime.
Korrik 2002 - Ekspozitë vetjake  në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë. Ekspozoi 53 punime.
Mars 2004 - Ekspozitë vetjake  në Ambasadën e SHBA, Tiranë. Ekspozoi 33 punime.
2007 - Ekspozitë vetjake  në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë, në kuadrin e 90 vjetorit të lindjes së artistit. Ekspozoi 48 punime.
31.08. - 10.09.2017 -   Ekspozitë vetjake  në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë, në kuadrin e 100 vjetorit të lindjes së artistit. Ekspozoi 56 punime, nga të cilat nëntë vepra ishin nga fondi i GKA.

Vlerësime artistike dhe dekorata.
Në ekspozitën e Kajros (Egjypt) Grezda është nderuar me medalje nderi, gjithashtu dhe në ekspozitën e 30 vjetorit të çlirimit më 1974.
Dekoruar nga Kuvendi Popullor i Republikës së Shqipërisë më 1985 me Urdhërin “Naim Frashëri” Kl. II-të.

Ylli Drishti /  Studjues arti

Fshihi detajet