Sadik Kaceli

 

Portret fshatari, 1933, Vaj mbi kanavacë, 80 x 60.5 cm, Nr. Inv. 115
Bregdeti, 1964, Vaj mbi karton, 60 x 90.5 cm, Nr. Inv. 757
Lumi Erzen, 1959, Vaj mbi karton, 50.5 x 66.5 cm, Nr. Inv. 449

 


Sadik Kaceli (Tiranë 14.03.1914 - 24.12.2000) Piktor
Piktori Sadik Kaceli është pjesë e grupit të piktorëve të rëndësishëm shqiptarë të shekullit XX-të. Ai vlerësohet si një nga figurat kryesore të artit shqiptar që konsoliduan realizmin në pikturën shqiptare të gjysmës së parë të shekullit XX, duke sjellë në artin shqiptar elementët kryesorë të artit francez, ku ai studjoi. Piktori Sadik Kaceli ka lindur në Tiranë në një familje e mesme qytetare. Në vitin 1931 Sadik Kaceli ndjek kursin e vizatimit (Tiranë), i cili pas një viti miratohet nga shteti shqiptar si Shkollë Vizatimi. Lexo më tepër
Ai studioi  në këtë shkollë (1932 - 1936), nën drejtimin e pedagogëve Mario Ridola, Andrea Kushi dhe Abdurrahim Buza. Ëndra e piktorit Sadik Kaceli ishte të ndiqte studimet e larta për pikturë në Paris, Francë. Ai shkonte vazhdimisht në Bibliotekën “Carrevon” në Tiranë (aty ku ishte ndërtuar ish kinemaja Ali Demi) të themeluar nga një qytetare angleze me banim në Tiranë, ku u njoh me veprat e piktorëve francezë, Matisse, Monesë, Manesë etj. I ndihmuar nga vëllezërit, piktori Kaceli në shtator të vitit 1936 shkoi në Paris dhe ndoqi studimet në “Ecole National Supperieurs des Beaux-Arts”. Pedagogu kryesor i tij në vitet e akademisë ishte Fernand Sabatto, (1874 -1940) personalitet i pikturës dhe bashkënxënës me Matisse në studion e piktorit Gustav Moro. Vizatimi dhe piktura në “Akademi”ishin lëndët kryesore dhe në qëndër ishte studimi i trupit të njeriut. Gjatë kohës së studimeve në Paris, Kaceli ndiqte rregullisht edhe leksionet në ateljenë e afreskut të prof. Dycos De L’Halle. Në vitin 1941 kthehet në atdhe dhe filloi punë si mësues në gjimnazin e shtetit, Tiranë ku punoi deri në vitin 1946. Gjatë viteve 1946-1970, Kaceli ka qënë pedagog në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, duke dhënë lëndë të ndryshme (vizatim, pikturë, histori arti, perspektivë, dekoracion) për shumë breza nxënësish. Piktori Sadik Kaceli është autori i kartmonedhës shqiptare të stampuar në vitet e para të çlirimit, autori krijues i stemës së Republikës së Shqipërisë (1946) dhe i dizajnit të flamurit Kombëtar Shqiptar. Krijimtaria artistike e piktorit Sadik Kaceli pas viteve 1944 është mjaft e gjerë. Me mbarimin e luftës dytë botërore  (1945) Kaceli, realizoi tablo të ndryshme si kompozime, peizazhe dhe më pak portrete. Në ish Kinostudion “Shqipëria e Re”Kaceli realizoi një nga afreskat në pjesën e sipërme të hollit hyrës me titull “Korrjet”(1952). Gjatë viteve 1945-1960 nga krijimtaria e artistit mund të kujtojmë:”Lufta e Tiranës” (1947), “Naim Frashëri” (1952); “Kalimi i Divizionit të parë në veri” (1951); “Nxjerrja e bujkut nga kasollja”; “Të korrat”(1956); “Minatorët e turnit të natës” (1956), grafiket  “Kruja” (1957) dhe “Kalaja e Petrelës” (1956) etj. Në periudhën e viteve 1960-1983 me ndonjë përjashtim të vogël (tabloja “Aksioni i prerjes së telave” (1968, GKA), piktori Kaceli i kushtohet gjithnjë e më shumë pejzazhit dhe realizimit të cikleve grafike me pejzazhe nga qyteti dhe monumente të njohura të kulturës shqiptare. Të kësaj periudhe janë tablotë: “Qeparo” (1961), “Hidrocentrali Karl Marks”(1961), “Piqerasi” (1969),”Alpet e veriut” (1971), “Lukova” (1973),) etj.
Piktori Sadik Kaceli ishte piktor thellësisht realist. Veprat e tij në pikturë përshkohen gjithmonë nga fryma humaniste, lirizmi duke mbartur nota romantizmi. Këto elementë pasqyrohen në tablotë e tij kompozicionale të Realizmit Socialist. Në realizimet e këtyre tablove, Kaceli është ndofta ndër piktorët e pakët që trajtojnë  temat e punës dhe të luftës nacional-çlirimtare në një këndvështrim origjinal dhe më pak i ndikuar nga kanonet dhe rregullat e rrepta të metodës krijuese të Realizmit Socialist. Për këtë arsye Sadik Kaceli gradualisht mënjanohet dhe pas daljes në pension në vitin 1973, ai punoi në studion e tij motive dhe tema familjare, portrete, pejzazhe dhe natyra të qeta. Sadik Kaceli është ndër piktorët e rëndësishëm realistë të shekullit XX në artet pamore shqiptare.
Nga krijimtaria e piktori Sadik Kaceli dyzetepesë vepra ndodhen në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë, një koleksion i pasur ruhet në studion e familjes Kaceli, Tiranë. Veprat e artistit ndodhen edhe në koleksionete e disa koleksionistëve në Francë, Suedi, Itali, Hollandë, Turqi, Kinë, SHBA. Disa nga veprat e fondit të GKA, Tiranë kanë qenë pjesë e koleksionit të ekspozitave që shteti shqiptar ka çelur në Bienalen e Aleksandrisë, Egjypt (1958,1952,1964,1966,1968,1987);në Bukuresht, Rumani (1958,1970); në Sofje, Bullgari (1958); në Moskë dhe Erevan, ish BRSS (1958); në Budapest, Hungari (1959); në Vienë dhe Grac, Austri (1970, 1973); në Pekin dhe Shangai, Kinë (1967, 1968); në  Prishtinë, Kosovë (1972); në Stamboll dhe Ankara, Turqi (1980) dhe Paris, Francë (1988).
Sadik Kaceli ka shkruar gjatë viteve 1942-1998 pesëmbëdhjetë artikuj të ndryshëm mbi artet pamore  si  dhe është vlerësuar me disa  çmime artistikë për krijimtarinë e tij. Në vitin 2007 botohet monografia “ Kaceli 1914 - 2000” e studjueses Eli Xoxa. Për nivelin e lartë artistik në krijimtarinë e tij të gjerë artisti Sadik Kaceli u vlerësua me titullin “Piktor i Merituar” (1986),  “Piktor i Popullit” (1994) dhe “Qytetar Nderi”i qytetit të Tiranës (1998).

Ylli Drishti /  Studjues arti

Fshihi detajet

 

Pjesmarrje në ekspozita
1950 - Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative, Tiranë.  Pjesëmarrës me veprat: “Lufta e Tiranës”, ‘Mulliri I fshatit”,”Pritë autokolonës”, “Masakrat”, “Djali im”, “Lufta e Tiranës” (bocet), “Sami Frashëri”.
1952  - Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative, Tiranë. Pjesëmarrës me veprat:”Kulaku në të kaluarën”, “Peizazh -Tirana”, “Pazari i vjetër i Tiranës”, “Naim Frashëei”, “Lexim kolekstiv”.
Lexo më tepër
1956 - Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative, Tiranë. Pjesëmarrës me veprat: “Pamje e Tiranës”, “Kollona partizane”, “Shirja”, “Peizazh nga Tërbufi”, “Këneta e Tërbufit”, “”Turni I natës në Krrabë”.
1957 - Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative, Tiranë. Pjesëmarrës me veprat: “Ndihma vëllazërore”, “Tiranasi i vogël”,”Ditë pranvere”.
1959 - Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative, Tiranë. Pjesëmarrës me veprat: “Dhërmi”, “Kampi i pushimit në Dhërmi”, “Valle e Tiranës”,”Ullinj në bregdet”,”Erzeni”.
1961 - Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative, Tiranë, me rastin e 20 vjetorit të krijimit të PPSH. Pjesëmarrës me veprën: ”Shkrimtari Dhimitër Shuteriqi”.
1962  -  Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative, Tiranë. Me rastin e 50 vjetorit të Pavarësisë. Pjesëmarrës me dy vepra (një portret dhe një kompozim).
1963  - Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative, Tiranë. Me rastin e 20 vjetorit të krijimit të Ushtrisë Popullore. Pjesëmarrës me veprat: “Kalimi I divizionit të I”.
1966 -  Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative, Tiranë.

Ylli Drishti /  Studjues arti

Fshihi detajet