Abdurrahim Buza

 

Nusja kosovare, Vaj në karton, 36 x 48 cm, Nr.Inv. 720
Vallzon Shqipëria, Vaj në karton, 72.5 x 69.5, Nr. Inv. 1235
Refugjatet, Vaj në kompesatë, 50 x 41 cm, Nr. Inv. 461

 

Abdurrahim Buza(Shkup 22 dhjetor 1905 - Tiranë 07.11.1986) Piktor
Abdurrahim Buza në historinë e arteve pamore shqipatre vlerësohet si një nga mjeshtrat e mëdhenj të pictures, piktorin e tablove historike dhe sociale, mësuesin dhe pedagogun e nderuar të kaq e kaq brezave artistësh, mjeshtrin e penelit dhe burrin e urtë e fjalëpak që me veprat e tij mund të vlerësohet si “Piktori Kombëtar”.
Lexo më tepër
Bir i një familjeje patriote nga Gjakova, Abdurrahim Buza ishte një fëmijë mjaft intiligjent, ai hyri në shkollë në moshën 5 vjeçare. I mbetur jetim  në moshën 8 vjeçare me mbështetjen e patriotit Bajram Curri vazhdon studimet e mesme në shkollën normale, Elbasan. Buza studimet e larta i kreu në Itali (ishte student  në Torino një vit), por studimet e rregullta i kreu në Akademinë së Firences në degën e pikturës Monumentale. Pas kthimit nga studimet në Shqipëri ai do të ishte pjesë e stafit të pedagogëve në shkollën e parë të vizatimit në Tiranë (1933) e më tej ndër pedagogët e pare të Liceut Artistik “Jordan Misja” (Tiranë) dhe për shumë vite nëndrejtor i saj
Krijimtaria e piktorit Abdurrahim Buza është shumë planëshe dhe e niveleve më të larta artistike. Gjatë rrugës mbi 50 vjeçare krijuese Buza lëvroi peizazhin, natyrën e qetë, portretin, kompozimin në teknikën e vajit dhe realizoi mbi 10 000 vizatime, të cilat bëjnë pjesë në koleksionin e familjes Buza (në studion muze të piktorit)
Në rreth 600 tablo në vaj, që realizoi mjeshtri në krijimtarinë gjysëm shekullore gjejmë tablonë me temë historike dhe aktuale (kryesisht të betejave të popullit shqiptar për liri, portrete dhe kompozime kushtuar heronjve të këtyre luftrave, jetës së popullit të thjeshtë në gëzime dhe vuajtje, punës së përditëshme të tyre etj, etj.).
Vepra piktorike e  Abdurrahim Buzës edhe pse njihet e është vlerësuar si e veçantë për konceptimin dhe koloritin, për mesazhet dhe filozofinë, për magjinë dhe komunikimin vazhdimisht është një burim i pashtershëm elementësh simbolik dhe mesazhezh që kanë inspiruar breza të tërë artistësh në krijimtarinë e tyre. Vepra e tij duhet dhe ka akoma nevojë të njihet nga artistët e rinj dhe të analizohet dhe rivlerësohet nga studjuesit dhe historianët e artit shqiptar. Buza  student shpaloste para Akademikëve seriozë e të rreptë një “veçanti”. Ai realizonte temën shqiptare duke çuditur dhe magjepsur me fantazinë dhe koloritin që përdorte, stafin pedagogjik italian. Edhe diplomën Buza si monumentalist e projektoi ta realizonte në afresk për ambjentet e një aeroporti, ajo titullohet “Të pastë baca aviator”. Me kthimin në Shqipëri (1933) mjeshtri realizoi një cikël me peizazhe dhe portrete të ndikuara nga impresionizmi dhe ekspresionizmi.
Të kësaj periudhe janë: “Autoportret”, “Vajza me kordele”, “Rrugë në Pogradec”, “Nudo”, “Naska”, “Teleti”, ”Gruaja me dhinë”, “Fehmija”, “Sitkiu”,  etj. Eshtë periudha kur artisti ruante kontaktin e drejtpërdrejtë me natyrën dhe me modelin.
Më tej mjeshtri kaloi në një stad tjetër artistic, vëmëndja e tij kthehet gradualisht nga tabloja përshkuese – narrative në pikturën e një forme dhe komunikimi tjetër më të koduar, më simbolike dhe dekorative; pothuajse si në ikonat e magjishme bizantine. Brenda këtyre “Ikonave” (që për artin shqiptar akoma nuk janë studjuar plotësisht) ndodhet “misteri Buza”.Si në bizant kur u krijuan tipat dhe arketipat Buza krijoi tipat e tij gjithmonë në një lëvizje gati jotokësore, ata më së shumti paraqiten në profil, me duar here-herë të mëdha, me lëvizje magjike delikate të nuseve kosovare apo në kushtrimin e burrave luftëtarë që nuk mposhten. Artisti Buza me pak fjalë, pa bujë, me artin e tij edhe pse me tablotë e formatit të vogël, krijoi një vizion tjetër pikturimi dhe komunikimi me publikun e kohës. Ai herë trajtonte në „Ikonat“ e tij krenarinë shqiptare e herë me delikatesë pikturonte apo vizatonte (me mijra vizatime) kompozime për lojrat popullore, barinjtë, malësorët, dasmat, jetën e punën e popullit të tij sipas kujtimeve e përjetimeve si në legjenda apo dhe më pak tablonë me temën e ditës. Duke ju kthyer historisë ai e kishte më lehtë për kohën kur jetonte dhe “kërkesat e saj”, të mbyllej në mbretërinë e artit të tij duke krijuar kodin apo çelësin e pikturës “monumentale”me emrin “Buza:. Edhe pse duke filluar me tablonë “Barrikadat në Tiranë”(1945) dhe më tej “Refugjatët”(1957), “Nusja kosovare” (1967), “Lojrat popullore” (1971), “Dasëm gjakovare” (1979) etj. Buza shpalosi qartazi figurën e një piktori bashkëkohor – modern shqiptar e ndofta hapi një faqe të re në artin e kohës, ai mbeti herë – herë i vetëm dhe pse jo: i papërkrahur apo i pakuptuar, i rrethuar me xhelozi e ambicie, i përfolur e i pëshpëritur nga “kolegët artistë”. Buza në këto rrethana nuk rreshti së pikturuari e vizatuari i tërhequr në studion e tij. Piktura e tij tashmë e koduar por figurative ka një “mburojë” - temën shqiptare të qëndresës dhe heroizmit. Magjija e cilësia e lartë e artit të pikturës së mjeshtrit Abdurrahim Buza qëndron me personalitetin e tij si një figurë artistike e dimensioneve europiane, në lëvrimin e temës shqiptare me profesionalizëm e gjuhë artistike moderne, ku spikasin dekorativiteti, simbolika  dhe koloriti i veçantë. Artisti Abdurrahim Buza sigurisht që me artin e tij ka ndikuar në krijimtarinë e shumë artistëve shqiptarë në gjysmën e dytë të shekullit XX. Ashtu si Idromeno i madh që me tablonë “Motra Tone” ku përveç një mjeshtrie artistike të pazakontë jep mesazhe dhe imazhe sociale për shoqërinë shqiptare dhe femrën shqiptare, ashtu si Mio që me poetikën, impresionin dhe bukurinë e peizazhit shqiptar “zbuloi” edhe gjëndjen sociale të qytetit dhe fshatit shqiptar edhe mjeshtri Abdurrahim Buza në ciklet e tablove të tij shpalos dramën shqiptare në padrejtësitë që kombit të tij i kanë ndodhur, në përpjekjet mbinjerzore që ky popull historikisht është pëpjekur të mbijetojë në liri dhe trojet e tij. Buza ashtu si Kadareja i madh, (që na ka shpalosur magjinë e jetës së qytetit të tij të ngurtë Gjirokastrës), na sjell natyrshëm magjinë dhe misterin e jetës së popullit kosovar, zakonet dhe doket tradicionale, heronjtë dhe burrat e Kosovës, jetën e përditëshme; që të magjeps dhe të trondit, që ashtu si në sixhadet e mrekullushme  të Kosovës, ai “end e qëndis” me penel historinë e saj. Individualiteti i mjeshtrit Buza tashmë vlerësohet edhe për stilin e tij dhe paletën piktorike që edhe pse shpaloset në tablo të dimensioneve modeste janë monumentale e shpesh madhështore e që përshkohen nga misteri i një bukurie pa cak.
Shteti shqiptar e ka nderuar dhe vlerësuar krijimtarinë dhe figurën e piktorit Abdurrahim Buza duke e dekoruar dhe nderuar me titujt e lartë “Mësues i Merituar”, “Piktor i Merituar” dhe “Piktor i Popullit”
Galeria Kombëtare e Arteve ka botuar në vitin 1980 një album modest (në disa gjuhë)
për artistin me titull: „Abdurrahim Buza“, ndërsa veprat e tij ishin pjesë e ekspozitës që u përurua në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë (më 24 nëntor 2005)
me 20 artistëve që studjuan në Itali nga shek.XIX – XX. Emri dhe vepra e tij janë pjesë e Katalogut me titull : “Artistë Shqiptarë në Akademitë Italiane” të autorëve Ylli DRISHTI dhe Leon ÇIKA.

Ylli Drishti / Studjues arti

Fshihi detajet

 

Biografia
22 dhjetor 1905 lindi në Shkup, në familjen e patriotit gjakovar Hysni Buza
1922: Me ndihmën e patriotit dhe „Heroit të Popullit“ Bajram Curri, vendoset me banim në qytetin e shkodrës ku dhe  kryen mësimet e para.
1924: Ishte pjesëmarrës me armë në dorë në Revolucionin e Qershorit, bashkë me normalistë të tjerë. Anëtar i shoqërisë ‘Bashkimi”
1923 - 28: Kryen shkollën Normale, në Elbasan.
1928 - 29: Student në Akademinë „Albertina di Belle Arti“- Torino.
1929 - 33: Student në degën e pikturës monumentale në Akademinë e Firences.
1933 - 35: Emërohet mësues në shkollën Teknike – Tiranë e më tej në gjimnazin e shtetit. Ishte ndër pedagogët e parë të shkollës së vizatimit në Tiranë, sëbashku me Andrea Kushin dhe Odise Paskalin.
Lexo më tepër
17 prill 1945: Pjesëmarrës në Ekspozitën e parë Kombëtare në Tiranë pas Luftës së dytë botërore,
1944 – 1947: Emërohet nëndrejtor i gjimnazit „Qemal Stafa“, Tiranë; njëhkohësisht jepte vizatim në atë gjimnaz dhe në shkollën pedagogjike
1947: Pedagog në Liceun „Jordan Misja“ ,Tiranë e më tej shef i arteve figurative në Komitetin e Kulturës dhe Arteve
1951: Emërohet nëndrejtor i Liceut Artistik „Jordan Misja“
1968: Del në pension
07.11.1986: Ndahet nga jeta në moshën 81 vjeçare


Ekspozita dhe vlerësime

Piktori Abdurrahim Buza ka qënë pjesëmarrës duke filluar nga viti 1945,  në të gjitha Ekspozitat dhe Konkurset e organizuara nga LSHA dhe Ministria e Kulturës Shqiptare.Ai ka çelur dhe 3 ekspozita vetjake (në Tiranë 1960 – 1982 dhe më 1980 në Prishtinë – Kosovë,)
Krijimtaria e tij arrin në rreth 600 piktura në vaj dhe në rreth 10 000 vizatime (që ruhen në studion e tij, muze)
Në GKA, Tiranë ruhen 80 vepra të mjeshtrit (35 janë vizatime), duke filluar me veprat më të herëshme të tij si „Autoportret“ dhe „Vajza me kordele“ (1934); „Rrugë në Pogradec“,“Peizazh në Pogradec“,„Valle“,„Portret“,„Fëmijët“ (1936), „Barrikadat e Tiranës“ (1945) e deri tek veprat e viteve ‚80 „Betimi para armëve të Skënderbeut“ dhe „Sup më sup“ (1984)
Një pjesë e krijimtarisë së mjeshtrit Buza bën pjesë në linjën e GKA,Tiranë.Veprat fondit të GKA,Tiranë të piktorit A.Buza kanë qenë pjesë e koleksionit të ekspozitave që shteti shqiptar ka çelur në vite në: ish BRSS, Hungari, Bullgari, ish Jugosllavi, Austri, Angli, Australi, Greqi, Itali, Kosovë, Egjipt, Turqi, Kinë, Algjeri etj.
Piktori Abdurrahim Buza është vlerësuar nga juritë me çmime dhe nderuar
nga presidiumi i Kuvendit Popullor me mjaft vlerësime si : Çmim i dytë për veprën „Nënat nuk duan luftë“ (1957), „Mësues i Merituar“; „Piktor i Merituar“ (06.11.1961), Urdhëri Naim Frashëri kl.I (03.12.1975); „Piktor i Popullit“ (21.11.1979).

Ylli Drishti /  Studjues arti

Fshihi detajet

 


Shkrime mbi artistin
Në një dollap të madh ishin stivosur njëra mbi tjetrën me mijra fletë të mbushura me skicime lëvizjesh. Shqiptari duke ecur, duke shkuar në dasëm, në luftë, në pritën e gjakmarrjes; Shqiptari në valle, në gjamë, në kthim. Lëvizje të furtunëshme meshkujsh dhe lëvizje poetike grash. Reumatizmi madhështor në gjymtyrët e pleqve, statizmi i nuseve, luftëtari i plagosur duke çarë rrethimin, partizanët në barrikadë, refugjatët. Ishin mijra që lëviznin në mijëra drejtime, një det i tërë njerëzor, opingat, këpucët apo thjesht tabanet e zbathura të së cilëve bënin një rropamë të shurdhër. Kishte gjysëm shekulli që e kishte nisur këtë pasion.Lexo më tepër
Profesorët e huaj në Akademinë e pikturës përkuleshin të habitur, disa të mrekulluar, disa mospërfillës mbi vizatimet e tij. Ata kërkonin shpjegime: ç’janë këto vija të zeza si mekanizma që venë në lëvizje rrotat e lokomotivave? Janë tirqe, shpjegonte ai, kështu i kanë robat malësorët tanë.Po ç’është kjo mënyrë të ecuri dhe ç’është ky mbisskrim këtu poshtë? Kështu ecin malësorët tanë dhe këto janë fjalët e një kënge. Po kjo është një ecje tjetër lloj, thuaj se brenda trupit  ata kanë zgavra ajri, që  ja lehtësojnë mishin dhe kockat. Ndoshta kjo është tamam ashtu, shpjegonte ai, ata hanë shumë pak zotni, po, po kjo është e sigurt ata kanë vërtet copa ajri në stomak...“

Ismail KADARE
(marrë nga vëllimi „Emblema e dikurshme“, në tregimin „Në studio, në vjeshtë“ kushtuar A.Buzës. Arkivi i GKA,Tiranë )


 
Mua gjithnjë më ka vënë në mendime vepra e Avdurrahim Buzës, një vepër e pabujshme, më ka vënë në mendime për frymën e saj rinore, për atë ndjenjë të hollë poetike e për atë kërkim të përhershëm filozofik.
Po të rrish e të mendosh për një çast, do të shohësh se veprën e tij e përshkon mendimi i ekzistencës kombëtare, i asaj kocke të fortë që thyhet sado që të epet. Në këtë kockë është dhe lindja edhe vdekja, edhe puna, edhe lufta për panvarsi dhe liri, edhe vallja edhe dasma...Abdurrahim Buza nuk i hyn një pune pa gjetur atë që ne e quajmë nisje estetike të faktit. Faktin ai e trajton artistikisht dhe jo fotografikisht...
Historia e popullit shqiptar vërshon në veprën e piktorit dhe le gjurmë të pashlyeshme dhe këto gjurmë kthehen në vepra që fisnikërojnë njerinë“

Dritëro Agolli
(dhjetor 1975, Arkivi i GKA, Tiranë)

Fshihi detajet