Ali Oseku

 

Pa titulli - triptik, 1996, Vaj në pëlhure, 69.3 x 137.5, Nr. Inv. 4359
Kompozim, Vaj në beze, 225 x 170, Nr. Inv. 4178

 

Ali  Oseku (Tiranë, 25.02 1944) Piktor
Ali Oseku i përket brezit të piktorëve të formuar në shkollën shqiptare të pikturës. Nxënës i piktorit Guri Madhi, në Liceun Artistik “Jordan Misja”, OSEKU do të kryente studimet e larta në një situate artistike kur po krijohej një traditë në çeljen e ekspozitave kombëtare të artit figurativ dhe po merrte një zhvillim lëvrimi i tablove me temë historike e gradualisht dhe ajo me temë aktuale. Situata politike e Shqipërisë e fundit të viteve ’60, kishte krijuar atmosferën e një afrimi të saj me perëndimin (pas shkëputjes së Shqipërisë nga blloku lindor dhe Traktati i Warshavës më 1968).Lexo më tepër
Artistët në përgjithësi dhe ata figurative në veçanti në krijimtarinë e viteve 1970 – 1973, dhanë “mesazhet ‘ e para të realizimeve bashkohore. Ali Oseku bënte pjesë në artistët figurative të rinj që eksperiementonin një art “ndryshe” nga arti i realizmit socialist. Ai veçanërisht i shpalosi prirjet për një art të ri e bashkëkohor europian në realizimin e mjaft skenografive të veprave operistike, baleteve dhe dramave shqiptare e të huaja të vëna në skenë nga Teatri i Operas dhe Baletit, Teatri Kombëtar. Instituti i Lartë i Arteve si dhe teatrot e qyteteve Fier, Elbasan, Shkodër etj.  Skenografia dhe kostumet e baletit “Historia e një kënge” (1971); opera “Traviata” (1972), drama “Orfeu zbret në ferr” (1972), drama “Viti ‘61” (1972), drama “Yll pa emër” (1972), janë disa nga realizimet e kësaj periudhe. Oseku në vitet 1969 –1973, gjithashtu kishte krijuar rreth 300 tablo të gjinive të ndryshme. Në krijimtarinë e këtyre viteve si në skenografi, por edhe në tablotë e kavaletit Oseku ishte një piktor mjaft dekorativ e i ndikuar nga artistët e mëdhenj botërorë të shekullit XX, një faktor që i bënte tablotë e tij  të veçanta dhe të ndryshme nga krijimtaria realiste e kolegëve shqiptarë të kohës..Në veprat e Osekut mbizotëronin zgjidhjet e thjeshta me plane të mëdha (skenografi) ku prirja e krijimit të raporteve koloristike me dritë e ngjyra të plota  ishte mbizotëruese. Largimi apo më mirë prirja  e krijimit të një skenografie të thjeshtë e bashkëkohore, pa ngarkesa ambjentale jetësore, bashkëpunimi me regjizorët më të rëndësishëm dhe novatorë shqiptarë që po e çonin teatrin shqiptar e skenografinë në një stad më bashkëkohor; krijuan mundësitë e këtyre veprave skenografike, që ishte pjesë e një lëvizjeje të madhe artistike - kulturore novatore. Kjo “klimë” e re arti dhe kulture novatore u ndërpre nga ana e pushtetit komunist të kohës (1973, Pleniumi i IV I PPSH) dhe mjaft nga protagonistët kryesorë u dënuan edhe me burgime, internime apo heqjen  e të drejtës së publikimit të krijimarisë artistike. Ndërmjet atyre që u burgosën për disa vjet, bënte pjesë dhe piktori Ali Oseku. Para arrestimit të tij Oseku dogji vetë dhe të gjitha tablotë e realizuara deri në atë kohë, përveç dy veprave që mundën të shpëtojnë dhe ndodhen sot në studion e piktorit :”Portret burri” dhe “Portreti i nënës” Pas daljes nga burgu  (1979) punoi si puntor krahu deri në vitin ’91.Gjatë kasaj periudhe ai ka realizuar vepra vetëm për miqtë dhe familjen (Portreti i babait ,1981) pasi i ishte ndaluar të ekspozonte
Me ndryshimet e sistemit politik në shqipëri pas viteve ’90 Oseku është një ndër “aktorët” e rëndësishëm në artin pamor shqiptar. Artisti Ali Oseku që në ekspozimet e para të tij është një piktor abstrakt. Veprat e tij janë plot dritë, ndonjëherë planet e qeta njëngjyrëshe, piktori i “ngacmon“ me penelata ekspresive herë me kah vertikal e herë horizontal. Piktori Oseku preferoi të krijojë cikle të ndryshëm figurativë të përbëra nga 10 deri në 20 tablo, shpesh të një formati. Ai përdor edhe diptikun, triptikun. Karakteristikë e veprave figurative të Osekut është mbizotërimi në të gjitha tablotë e tij e një qetësie solemne e drite të qetë shpirtërore, brenda një tonaliteti koloristik. Ai preferon të krijojë variacione koloristike në tablotë që frymëzohen apo e marrin motivin nga elementë jetësorë e që krijojnë frymëzim tek artisti. Këto cikle piktorikë janë më figurativë dhe komunikojnë më lehtë me publikun. Kështu Oseku ka krijuar ciklin e “gjurmëve”, ciklin e “kërpudhave”, ciklin e “pemëve”, ciklin e “shiut”, cikli I rrugëve”, cikli i “hapësirës” etj.
Pa dyshim piktori Ali Oseku është një nga piktorët e rëndësishëm bashkëkohor shqiptarë. Pas viteve ‘90 të shekullit XX, piktori Ali Oseku ka ekspozuar në Bruksel (1991), Vjenë, Gjermani (1992), Zagreb, Padova, Warshavë (1994), Boston, New York (1995),Paris (1998), Fiera e artit – Padova ( 2003 – 2004) etj.
Oseku ka qënë dhe është present në manifestimet artistike kombëtare dhe Ndërkombëtare të organizuara nga Ministria e Kulturës dhe Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë. Në Konkursin Kombëtar të Arteve Vizive “ONUFRI ‘94”, piktori Oseku u vlerësuat me çmim  të dytë dhe me çmim të parë në Konkursin “Eduard LIR”, Berat (1999). 
Në krijimtarinë e tij artistike Oseku brenda individualitetit të tij të formuar, vazhdimisht kërkon shprehje të reja figurative. Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve,Tiranë ndodhen dy vepra të piktorit Ali Oseku.

Ylli Drishti / Studjues arti

Fshihi detajet

 

Biografia
25. 02. 1944: Lindi në Tiranë. Familja e tij emigroi në vitet ‘30 nga Kosova (Gjakova). Babai ishte rrobaqepës ndërsa nëna shtëpiake..
1959 - 1963: Mbaroi Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë
1964 - 1969: Mbaroi studimet për pikturë në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë
1970 - 1973: Emërohet skenograf në Teatrin e Operas dhe Baletit , Tiranë
1973 - 1975: Transferohet për “riedukim” në Elbasan.
1975 - 1979: Burgoset për arsye politike, tendenca moderniste në art dhe dërgohet në burgun e Spaçit.
Lexo më tepër
1979 - 1991: Lirahet nga burgu dhe ihste punëtor krahu në Tiranë, pa të drejtë ekspozimi
1991 - 1998: Kurator në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë
1998 - 2014: Pedagog “Profesor i asociuar” dhe shef i Katedrës së Grafikës  në Akademinë e Arteve të Bukura, Tiranë.
2014 e në vazhdim piktor në krijimtari të lirë.

Y. Drishti / studjues arti

Fshihi detajet