Ismail Lulani

 

Shote Galica, 1974, Vaj mbi kompesatë, 93.5 x 64.7 cm, Nr. Inv. 1618
Ndërtuesit e hidrocentralit, 1971, Vaj mbi beze, 69 x 99 cm, Nr. Inv. 1144
Vajzat e fushës, 1986, Vaj mbi fibër, 80 x 100 cm, Nr. Inv. 3450

 


Ismail Lulani   (Tuz, Mali i Zi, 26.03.1933 - Shkodër 06.10.2002) Piktor.
Ismail Lulani ishte një nga piktorët e shquar shqiptarë të shekullit XX-të, Lulani ishte një nga artistët që ndikuan fuqishëm në modernizimin e artit shqiptar të çerekut të fundit të shekullit XX. Piktori Ismail Lulani kreu studimet e mesme për mjekësi, por shumë shpejt do ti kushtohej plotësisht pasionit të tij të fëmijërisë – pikturës.  Studimet e larta i kreu në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, gjatë viteve 1964 - 1968. Në veprat e tij sidomos rreth viteve ’80, ndjehet prirja drejt pasurimit të paletës piktorike e që gradualisht nga tabloja në tablo, e bën Lulanin të evidentohet si një artist me një stil të veçantë piktorik, i cili priret drejt dekorativitetit, motiveve të veçanta. Ismail Lulani dallohet koloriti i pasur dhe mënyra e vizatimit të personazheve. Krijimtaria artistike e piktorit Ismail Lulanit është e shumë e gjerë dhe e larmishme (mbi 30 vjet krijimtari). Ai ishte portretist, peizazhist dhe realizues i tablove kompozicionale me temë historike e sociale. Lexo më tepër
Vepra e tij e parë e ekspozuar në publik ishte peizazhi nga Hidrocentrali i Vaut të Dejës (1969). Më tej Lulani do të ishte prezent me tablotë e tij në të gjitha ekspozitat, konkurset lokale dhe kombëtare. Temat e  tablove piktorikë të Lulanit ishin të inspiruara nga ciklet e kreshnikëve (Muji dhe Halili), Gjergj Elez Alia, nga baladat shqiptare (Kostandini dhe Duruntina), nga historia e popullit shqiptar (Figura e Skënderbeut, Ali Pashë Tepelena, Shote dhe Azem Galica).Lulani realizoi tablo për disa figura, ngjarje të luftës nacionalçlirimtare, dhe nga periudha e ndërtimit të socializmit, veçanërisht nga jeta dhe puna e njerëzve të thjeshtë. Në pikturën shqiptare artisti Lulani veçohet dhe vlerësohet si një kolorist i njollave me ngjyra potente, të ngrohta e plot dritë, ai ka krijuar personazhe (figurat e malësorëve) që vizatohen në mënyrë të stilizuar. Piktori Lulani ishte një artist që tërhiqej nga jeta e njerëzve të thjeshtë të zonës së veriut të Shqipërisë.   
Pas viteve ’90 Ismail Lulani i kushtohet kryesisht peizazhit të zonave veriore shqiptare, që edhe më parë e tërhiqnin  artistin. Lulani ka krijuar cikle të tëra tablosh me këto motive që mund të grupohen dhe sipas stinëve  të vitit: cikli i peizazheve të vjeshtës, cikli i peizazheve të dimrit, cikli i bariut me dhi. Ai mund të konsiderohet si piktori i Shqipërisë së Veriut.  
Ismail Lulani krijoi në dy sisteme shoqërorë të ndryshëm, por ai mbetet një nga përfaqësuesit e rëndësishëm të artit shqiptar të shekullit të XX-të. Mund të kujtojmë disa nga tablotë e tij në vite: “Skënderbeu në betejë”, (1968); “Ded Gjo Luli me trimat”, (1969, GKA,Tiranë); “Në hidrocentralin Mao Ce Dun” (GKA, Tiranë), “Peizazh malor”, (GKA, Tiranë) si dhe tabloja “Ndërtuesit e hidrocentralit” (1974, GKA, Tiranë).
Tabloja “Ndërtuesit e Hidrocentralit”, 1971, u realizua nga artisti për ekspozitën e 30 vjetorit të themelimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Në tablo janë pikturuar imazhet e tri punëtorëve , (portretet e tyre) janë paraqitur në plan të parë. Dy portretet e planit të parë janë me pamje përballë e me kapele letre dhe shami të lidhur mbi krye kurse punëtori i tretë shikon jashtë tablosë në anën e majtë të saj. Në sfondin prapa janë pikturuar strukturat e makinerive të ndërtimit të hidrocentralit (vinça) dhe struktura ndërtimore.Pikturimi i peizazhit është realizuar me dritë të fuqishme dhe me një gjuhë piktorike dekorative, ndërsa portrete pikturohen me ngjyra të ngrohta e me kalime tonesh dhe gjysëm tonesh delikatë që japin karakteret dhe fizionominë e veçantë të secilit prej tyre. Piktori Lulani nëpërmjet kësaj tabloje evidenton artistikisht vlerën dhe kontibutin e njerëzve të thjeshtë në ndërtimin e veprave të mëdha siç janë hidrocentralet. Pikturimi nga ana e artistit Lulani i tablosë “Ndërtuesit e Hidrocentralit”,është mbajtur i ekuilibruar si tonalitete koloristike dhe tabloja ka dritë të fuqishme. Piktori Ismail Lulani ka ekspozuar në shumë vende të Europës duke marrë vlerësimet më të larta nga kritika e huaj. Shumë nga pikturat e tij janë pronë e koleksionistëve në Francë, Austri, Itali, SHBA, Gjermani, etj. Në fondin e GKA,Tiranë ndodhen njëzetenëntë vepra të piktorit Ismail Lulani. Vepra të Lulanit ndodhen dhe në fondin e GA, Shkodër dhe të mjaft koleksionistëve privatë në Shqipëri e jashtë saj. “MEZURAJ MUZE”, në Tiranë ka në fondin e saj një koleksion të rëndësishëm me vepra të piktorit Ismail Lulani

Ylli Drishti /  Studjues arti

Fshihi detajet

 

Ekspozita të artistit në vite
1973 - Ekspozita Kombëtare me rastin e 30 vjetorit të krijimit të Ushtrisë Popullore. Pjesmarrës me veprat: “Partizania”, “Nuse nga malësia”, “Ushtri e popullit”. 
1975 - Ekspozita Kombëtare me rastin e 30 vjetorit të krijimit të Flodës Ushtarake Detare. Pjesmarrës me veprat: “Marinari”, “Portret”. 
1976 - Ekspozita Kombëtare me rastin e 35 vjetorit të krijimit të Partisë së Punës së Shqipërisë. Pjesmarrës me veprën: “29 nëntor 1944”.
1977 - Ekspozita Kombëtare e bujqësisë. . Pjesmarrës me veprat: “Peizazh”, “Në tokën e lirë”, “Bjeshkë”,” Baresha delegate”.
1978 - Ekspozita Kombëtare me rastin e 35 vjetorit të krijimit të Ushtrisë Popullore. Pjesmarrës me veprën: “Shtigje lufte”.
1978 - Ekspozita Kombëtare me rastin e 100 vjetorit të krijimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pjesmarrës me veprat: “Drejt Vlorës historike”, “Ali Pashë Tepelena”.
Lexo më tepër
1978 - Ekspozita Kombëtare me temë fshatin. Pjesmarrës me veprat: “Peizazh”, “Në token e lire”, “Bjeshkë”, “Baresha delegate”.
1979 - Ekspozita Kombëtare me rastin e 35 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë. Pjesmarrës me veprën: “Bisedë mes vëllezërish”.
1981 - Ekspozita Kombëtare me rastin e 40 vjetorit vjetorit të krijimit të Partisë së Punës së Shqipërisë.. Pjesmarrës me veprat: “Suhagora 1945”, “Në kohë pushimi”, “Kreshnikët”, “Fushë Kosova”.
1982 - Ekspozita Kombëtare me rastin e 70 vjetorit vjetorit të Pavarësisë. Pjesmarrës me veprat: “Tokë e përflakur”,”Legjenda e misrti”.
1984 - Ekspozita Kombëtare me rastin e 40 vjetorit vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë. Pjesmarrës me veprat:”Në kantieret e dritës”, “Vjeshtë”, “Dimri”.
1986 - Ekspozita Kombëtare me rastin e 45 vjetorit vjetorit të  krijimit të PPSH. Pjesmarrës me veprat:”Vajzat e fushës”, “Peizazh”.
2009 - Ekspozitë vetjake me titull “Retrospektivë” në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë,me rastin e 75 vjetorit të lindjes së artistit. U ekspozuan 150 punime të artistit, pjesa më e madhe e punimeve ishte nga koleksioni i familjes Lulani.
2017 - Ekspozita “Vepra të kthyera”.Pjesmarrës me veprën”Vjeshta”, 1984 (fondi i GKA,Tiranë).
Vlerësime artistike, dekorata të artistit në vite
1979  -   Vlerësohet me titullin "Piktor i Merituar"
1989   -  Vlerësohet me titullin "Piktor i Popullit".
Lulani është vlerësuar me urdhërin "Naim Frashëri i klasit të Parë".
1999   -   Në Bienalen e Romës për artet vizive, vlerësohet me çmimin e dytë dhe i jepet medalja e argjendë me tablonë "Ikja në Egjipt".
2003   -   Pas vdekjes së artistit qyteti i Shkodrës (Këshilli Bashkiak) e ka dekoruar Ismail Lulanin me titullin "Krenaria e Shkodrës".

Fshihi detajet