Isuf Sulovari

 

Mjelsja, Vaj në kanavacë, 140 x 100 cm, Nr. Inv. 1132
Gjigandi i metalurgjisë, Vaj kanavacë, 172 x 134 cm, Nr. Inv. 1767
Kooperativistja e duhanit, Vaj në kanavacë, 60 x 73.5 cm, Nr. Inv. 1066

 

Isuf Sulovari   (Elbasan 15.07.1934 - Tiranë 26.01.2006) Piktor.

Piktori Isuf Sulovari ishte një ndër artistët e rëndësishëm shqiptarë të Realizmit Socialist. Ai vlerësohet për stilin e tij të veçantë piktorik që e dallonte nga të gjithë piktorët shqiptarë të kohës. Piktori Isuf Sulovari pas mbarimit të Liceut Artistik “Jordan Misja”, Tiranë, në klasën e piktorit Sadik Kaceli. Studjoi për dy vjet në vitet 1959-1961 në degën e pikturës, në Institutin e Arteve Plastike “N.Grigoresku”, Bukuresht (Rumani). Ai u diplomua në Institutin e Arteve, Tiranë në ateljenë e piktorit Vilson Kilica. Pas studimeve kthehet në qytetin e lindjes, Elbasan, ku fillimisht ishte mësues vizatimi dhe më tej pedagog i pikturës në shkollën e mesme artistike “Onufri”. Lexo më tepër
Pas vitit 2000 transferohet me banim në Tiranë dhe vazhdoi të realizonte temat e tij të preferuara, nga puna në bujqësi dhe ndërtuesit. Ekspozoi për herë të parë në Ekspozitën Kombëtare të vitit 1956.  Artisti Sulovari krijimtarinë e tij kryesore e zhvilloi si piktor i realizmit socialist. Ai ishte piktor i tablosë kompozicionale dhe realizoi temën e ditës, temën historike dhe portretin. Kryesisht artisti Sulovari vlerësohet për stilin e tij të veçantë piktorik i ndikuar nga piktori kubist francez F.Leger (1881-1955) dhe nga piktorë meksikanë të shekullit XX. Duke trajtuar temën e ndërtimit socialist, figurat e tablove të Sulovarit edhe pse ndryshe nga piktorët e tjerë shqiptarë, kishin ngjyra dekorative dhe forma të plota larg natyralizmit akademik. Ai i stilizon figurat, peizazhin dhe  objektet e kompozimeve duke evidentuar bukur format e mëdha, të figurave dhe peizazhit e duke preferuar sa më pak detaje. Kjo mënyrë pikturimi krijonte efekte piktorike interesante dhe mjaft individuale dhe e evidentoi shumë shpejt Sulovarin, si një individualitet në pikturën shqiptare.
Megjithatë Sulovari mbeti një piktor që edhe pas vite ’90 ishte i kufizuar në individualitetin e tij artistik, gjë që vërehet qartë në krijimtarine e tij. Një koleksion prej 12 (dymbëdhjetë) veprash të Isuf Sulovarit ndodhen në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë. Prej tyre mund të kujtojmë; “Aksionistja”, 1967; “Peizazh industrial”, 1969; “Kooperativistja e duhanit”, 1970; “Mjelësja”, 1971; “Gjigandi i Metalurgjisë”, 1974. Gjithashtu veprat e tij janë pjesë e Galerisë së Arteve në Elbasan dhe e koleksionistëve shqiptarë.
Piktori Isuf Sulovari ka marrë pjesë nga vitit 1956 - 1990 në të gjitha ekspozitat lokale dhe kombëtare. Sulovari gjithashtu ka qenë pjesmarrës në ekspozitat kolektive shtetërore të kohës në disa shtete të ndryshme si në Rumani, Grac, Austri (1972), RP.të Kinës (1971), Bienale të Aleksandrisë, ekspozita  “Piktorët disidentë” Austri, etj.

Ylli Drishti / Studjues arti

Fshihi detajet

 

Biografia
15 korrik 1934 Lindi në qytetin e Elbasanit, ku kreu arsimin fillor dhe 7 vjeçar.
1951-1955 Kreu Liceun Artistik “Jordan Misja” Tiranë, nën drejtimin e pedagogut Sadik Kaceli
1959-1961 Vazhdoi për dy vjet studimet e larta në Institutin e Arteve Plastike, Nicolae Grigorescu”, Bukuresht, Rumani në ateljenë e pedagogëve Tiberiu Kruz, Korneliu Baba
1961-1964 Vazhdoi studimet dhe mbrojti diplomën në Institutin e Lartë të Arteve Figurative, Tiranë

Punësimi në vite
1956-1958  Skicograf në Kabinetin Pedagogjik, Elbasan
Lexo më tepër
1958-1959/1964-1980 Mësues vizatimi në disa shkolla 8 vjeçare, Elbasan
1980-1989  Pedagog i pikturës në Shkollën e Mesme Artistike “Onufri”, Elbasan
1966 Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë
1993 Anëtar i Shoqatës Mbarëkombëtare të Artistëve Figurativë

Galeri dhe koleksione me vepra të artistit

Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë

1967 Aksionistja
1969 Peizazh industrial
1970 Kooperativistja e duhanit
1971 Mjelësja
1971 Pushim partizan
1974 Gjigandi i Metalurgjisë
1976 Furrënalta (nga Metalurgjia)
1976 Vinçieri i Furrënaltës
1976 Kantieri i Durrësit
1976 Kantieri i Durrësit
1977 Pionieri trim
1975-1980 Lopët në kullotë
Galeria e Arteve, Elbasan
1970  Transportimi i duajve
1982  Vjeshta
1983  Dashuria për shokun
1985  Gjirokastra

Shtëpia e Kulturës, Elbasan
1984
 Shote Galica
Vepra të artistiti në Koleksione private brenda dhe jashtë Shqipërisë
Tiranë, Elbasan, Francë, Zvicër, Angli, Gjermani, Itali, Belgjikë, Koreja e Jugur, etj.

Ekspozita personale
1968 Shtëpia e Kulturës, Elbasan
1968 Shtëpia e Kulturës, Gramsh
1974 Pallati i Kulturës, Tiranë, Ekspozitë Grafike
1993 Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë
1994 Rumani  (së bashku me dy artistë)

Fshihi detajet