Jakup Keraj

 

Mjelsja,Vaj mbi kanvacë, 98 x 71.5 cm, Nr. Inv. 2784
Piktori Danish Jukniu, Vaj mbi kanavacë, 87 x 68 cm, Nr. Inv. 457
Autoportret, Vaj mbi karton, 35.5 x 31 cm, Nr. Inv. 3674

 

Jakup Keraj  (Shkodër 15.09.1933 - .07.12.1987)  Piktor.
Piktori Jakup Keraj ishte një nga piktorët e rëndësishëm shqiptar të portretit në gjysmën e dytë të shekullit XX. Ai edhe pse jetoi dhe krijoi larg kryeqytetit në vendlindjen e tij, Shkodër,  arriti të shquhet si një individualitet, që pati ndikim në pikturën realiste shqiptare. Pasi kreu Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë (1947-1951)  nën drejtimin e piktorit Abdurrahim Buza, Jakup Keraj ishte student i grupit të parë të artistëve që studjuan në Institutin e Pikturës, Skulpturës dhe Arkitekturës “I.E.Rjepin” (Shën Petërburg, ish BRSS) dhe u kthye në Shqipëri në fundin e viteve ’50 (1951-1957). Lexo më tepër
Të parët që u diplomuan në ish BRSS, në degën pikturë ishin Guri Madhi, Jakup Keraj dhe në skulpturë: Thanas Papa, Kristaq Rama e Shaban Hadëri. Imazhi i talentit të jashtëzakonshëm “të shqiptarit Keraj” do të “ndihmonte” të gjithë studentët që vijuan studimet në Institutin “Rjepin”. Në zyrën e Dekanit rus Orezhnikov, ndodheshin edhe  dy nudo me dimensione të mëdha të mbajtura në një sfond blu (2 x 1.5m ) të studentit të veçantë shqiptar Keraj. Piktori Keraj i porsadiplomuar, entuziast u kthye në vendlindjen e tij Shkodër dhe filloi punë si mësues i vizatimit teknik në një shkollë të qytetit, me “ëndrën” që të fillonte shumë shpejt si pedagog në Institutin e Arteve Figurative, që u çel në Tiranë më janar 1961. Keraj punoi si pedagog në disa shkolla të mesme të qytetit të tij (Shkodër). Piktori Jakup Keraj është vlerësuar nga kritika për ndjeshmërinë, koloritin dhe psikologjinë e veçantë në trajtimin tablove të tij (e veçanërisht të portreteve) që në fillimet e krijimtarisë së tij. Ndër veprat e para të artistit kujtojmë:  “Autoportreti” (1956), “Portreti i piktorit Danish Jukniu” (1959, GKA, Tiranë);  ”Kuvendi i Lezhës’ (1959, Muzeu “Gj.K.Skënderbeu”, Krujë); “Portret vajze” (1959). Artisti në punën e diplomës trajtoi temën historike shqiptare me titull “Çlirimi i grave nga turqit osmanë” (1957, GKA,Tiranë). Në historinë e pikturës realiste shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të XX, portreti për piktorët ishte gjinija më e lëvruar dhe sigurisht që Keraj duke ndjekur këtë traditë e pasuroi këtë “koleksion” me disa elementë shumë të rëndësishëm dhe të veçantë që ai zotëronte: natyrshmërinë e qëndrimit të personazhit të pikturuar, koloritin virtuoz, ekspresiv dhe me kontraste. Po këto cilësi të tij u evidentuan mjaft mirë edhe në tablotë e hershme kompozicionale si “Kuvendi i Lezhës” (1959). Penelata e shkathët e Kerajt krijonte “plastikë ekspresive” dhe “ajër”, një dukuri kjo e re për pikturën shqiptare të viteve 1960 – 1970, e cila gradualisht u bë pjesë e artit zyrtar të kohës  -  “realizmit socialist”. Në serinë e portreteve të Kerajt ndjehet një fill i hollë i vërtetësisë jetësore që piktori e prezanton natyrshëm, personazhet e tij janë të menduar e pa poza, ata të imponojnë me magjinë e një virtuoziteti realist. Sigurisht edhe piktori Keraj realizoi edhe vepra me përmbajtjen e kohës, por në trajtimin profesional të tyre edhe sot ndjehet se ishte mjeshtër dhe një talent i veçantë. Në Shqipëri Keraj, për krijimtarinë e tij është vlerësuar me titullin “Piktor i Merituar” (15.09.1986) dhe Urdhërin “Mjeshtri i Madh” (13.11.2002). Keraj ka marrë pjesë në ekspozita, konkurse lokalë, kombëtarë dhe ndërkombëtarë gjatë viteve 1957 - 1987. Gjatë 15 viteve (1969 - 1974) ai çeli katër ekspozita vetjake prej të cilave tri në vendlindje (Shkodër) dhe një në Tiranë. Në disa ekspozita dhe veprimtari arti ai ka marrë vlerësime të larta Në fondin e GKA,Tiranë ruhen 25 punime të artistit (ndër to dhe diploma e tij), 22 punime ndodhen në GA, Shkodër..Vepra artistike e piktorit arrin në mbi 260 punime (80 vepra në vaj, 30 akuarel  & pastel dhe 150 vizatime me laps). Veprat e tjera piktorit Jakup Keraj ndodhen në koleksionin e familjes Keraj, si dhe në koleksione private brenda dhe jashtë shqipërisë (Francë, Angli).

Fshihi detajet

 

Biografia
15 shtator 1933 Lindi në Shkodër në  familjen e Ahmet Kerajt pronar i një restoranti të vogël dhe ishte fëmija i parë nga 4 djemtë e tij. Mësimet e para mbi vizatimin dhe pikturën i mori nga piktori shkodran Simon Rrota dhe piktorja ruse, restauratorja e studjuesja e artit bizantin Viktori Puzanova dhe do të konsiderohej që fëmijë nxënësi “i veçantë” i saj.
1945 - 1951   Kreu Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë
1951 - 1957 Kreu studimet e larta për pikturë në Institutin e Pikturës, Skulpturës dhe Arkitekturës “I. E. Rjepin” (Shën Petërburg, ish BRSS) në ateljenë e pedagogut Viktor Oreshnikov. Mbrojti diplomën me tablonë “Çlirimi i Grave nga burgu turk” (GKA, Tiranë)
1957 - 1979   Mësues  i vizatimit në shkollën pedagogjike “Shejnaze Juka”
1979 - 1981    Mësues i viatimit në gjimnazin e Shkodrës “29 Nëntori”;, në shkollën “Salo Halili”  1981 -1987     Shkollën e mesme artistike “Preng Jakova”

Lexo më tepër
Vlerësime
1960               Vlerësohet me “Çmim të Parë” në gjininë e portretit.
1963               Vlerësohet me medalje bronzi në Bienalen e Aleksandrisë, Egjipt.
12.01.1970    Dekorohet me Urdhërin “Naim Frashëri I klasit III” (Nr Dekretit 4631)
15.09.1986   Merr titullin “Piktor i Merituar” (Nr. Dekretit 7068)
2008              Vlerësohet me titullin “Qytetar Nderi i Shkodrës”
13.11.2002   I jepet Urdhëri “Mjeshtër i Madh”.nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Alfred Moisiu (Nr.Dekretit 3555)

Ekspozita personale
1964              Ekspozoi në Shkodër me   88 punime në gjini të ndryshme (vaj, laps, akuarel, pastel)
1976              Ekspozoi në Shkodër me 100 punime në gjini të ndryshme
1984              Ekspozoi në Shkodër me 110 punime në gjini të ndryshme     
Shtator 1984   Ekspozoi në Pallatin e Madh të Kulturës, Tiranë ku paraqiti 96 punime të ndryshme (kompozime, portrete, peizazhe, natyra të qeta) nga të cilat 20 ishin vizatime (portrete dhe peizazhe)
Nëntor 1996   Ekspozitë me 30 punime të artistit në galerinë private “Dajti” (organizuar me punime të ndryshme nga familja Keraj)

Janar 2002     Ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë me 40 punime nga Koleksioni i GKA, Tiranë, GA, Shkodër, Koleksioni i familjes Keraj dhe e koleksionistëve private në Shqipëri.
Tetor - nëntor 2008 Ekspozita “Retrospektivë” në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë  me 54 punime nga Koleksioni i familjes Keraj.

Ekspozita kolektive.
1959.  - Ekspozita Kombëtare me rastin e 15 vjetorit të çlirimit (gjashtë punime)
1960.  - Ekspozita Kombëtare  e portretit (dy punime)
1961. - Ekspozita Kombëtare me rastin e 20 vjetorit të  themelimit të PPSH (dy punime)
1963. - Ekspozita Kombëtare me rastin e 20 vjetorit të  krijimit të Ushtrisë Popullore (tre punime)
1966 -  Ekspozita Kombëtare me rastin e 25 vjetorit të  themelimit të PPSH (një punim)
1976. - Ekspozita Kombëtare me rastin e 35 vjetorit të  themelimit të PPSH (një punim)
1978. - Ekspozita Kombëtare me rastin e 100 vjetorit të   Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (një punim)
Ekspozita Kombëtare me rastin e 35 vjetorit të  krijimit të Ushtrisë Popullore

Fshihi detajet



Shkrime mbi artistin

“…veprat e Jakup Kerajt nuk janë krijime “atraktive”. Ato natyrisht janë produkt i viteve të shkuara, i një kohe me kufizimet e njohura, të një jete të mbyllur figurative, kohë që e dëmtoi rëndë heterogjenitetin dhe larminë stilistike të shprehjes individuale në plan të gjerë e në raport e në marrëdhënie me artin modern të kohës. Gjithsesi përmes pasionit dhe pregatitjes rigoroze profesionale, përmes idealeve humane e kombëtare, artistët shqiptare mundën e ia dolën të krijonin një traditë në shumë fusha. Të tilla mbetën edhe veprat e piktorit Jakup Keraj, tablo jete me vlera morale, fisnike që burojnë së brëndëshmi   nga konstitucioni shpirtëror i shqiptarëve. Ato janë krijime plot ëndrra e pasione, ku artisti ndjehet bashkëudhëtar me subjektet e kohës së tij, me atë ç’ka i duket e përjetëshme…”

Ksenofon Dilo, pjesë nga artikulli me titull “Një zë i heshtur”, Gazeta “Drita”, 19.02.2002
Lexo më tepër


Jakupi ishte një talent i madh i pikturës shqiptare, në mënyrë të veçantë mjeshtër i madh I portretit. Dua të përmend dy nga arritjet më të mëdha të portretit shqiptar: Portretin e Piktorit Danish Jukniu dhe portretin e të vëllait Ruzhdi Keraj. Nuk do të lë pa përmendur edhe autoportretin e tij.

Sali Shijaku (marrë nga libri i autorit Ruzhdi Keraj me titull “Autopotreti”, Tiranë 2007)


“…Jakupi, sipas asaj që unë kam njohur nga krijimtaria e tij, është një nga artistët e vërtetë shqiptarë, që nuk mundet të lihet mënjanë pa e vendosur në radhën e atyre që përfaqsojnë traditën e pikturës shqiptare të mbasviteve pesëdhjetë të shekullit të kaluar. Nga natyra i qetë, i përmbajtur, por brenda me një temperament të fuqishëm, të cilin ia zbulonte piktura. Pikturonte shkathët për t’u admiruar, çka do të thotë se e njihte mirë mjeshtrinë…”

Edi Hila (marrë nga libri i autorit Ruzhdi Keraj me titull “Autopotreti”, Tiranë 2007)


Artist i lindur me përmasa të gjëra kreative. Kompozitor, vizatues dhe kolorist ekspresiv. Temperament i rallë dhe lehtësia në përdorimin e arsenalin e mjeteve shprehëse, e vendos Jakupin në një model të spikatur si model i artistit shqiptar.

Vilson Kilica   (marrë nga libri i autorit Ruzhdi Keraj me titull “Autopotreti”, Tiranë 2007)


Jakup Keraj është mjeshtër i kontrasteve dhe i ngjyrës, shquhej për plasticitetin e figurave dhe psikologjinë e personazheve të tablove.

Zef Shoshi    (marrë nga libri i autorit Ruzhdi Keraj me titull “Autopotreti”, Tiranë 2007)

Fshihi detajet