Kol Idromeno

 

Motra Tone, 1883, vaj në kanavacë, 75.5 x 61.5 cm, Nr. Inv. 37
Dasma shkodrane, 1924, vaj në kanavacë, 94.5 x 133.5 cm, Nr. Inv. 378
Autoportret, 1938, Vaj në kanavacë, 56.5 x 41 cm, Nr. Inv. 563

 

Kol Idromeno (Shkodër 15.08.1860 – 12.12.1939)
Piktor, arkitekt, urbanist, skulptor, fotograf , muzikant,  skenograf. Mban titullin “Piktor i Popullit. Piktori Kol Idromeno është themeluesi i shkollës realiste të pikturës shqiptare të shekullit XIX - XX. Ishte djali një marangozi dhe projektuesi me origjinë nga Parga (Çamëri). i cili më 1856 vendoset me banim në Shkodër. Arseni (i jati)  dhe Roza Saraçi (nëna) patën dy fëmijë: Kolën dhe Tonia Idromeno. Pietro Marubi (piktor,arkitekt dhe fotograf) - një emigrant italian me banim në Shkodër, ka qënë mësuesi i parë i Idromenos. Vizatimet dhe akuarelet e para (të njohura) të Idromenos i përkasin viteve 1871-1874. Në vitin 1875 Idromeno ishte student për gjashtë muaj në Akademinë e Arteve në Venecia, por pas shkëputjes prej saj, nuk largohet nga qyteti dhe qëndroi si ndihmës në studion e një piktori venecian për tre vjet. Lexo më tepër
Kur u kthye në Shkodër, mori pjesë në lëvizjen antiosmane për pavarësinë e Shqipërisë duke qënë në rrethin e intelektualëve të kohës (poetë e shkrimtarë). Në vitin 1883 realizoi tablonë "Motra Tone" që është dhe vepra e parë e rëndësishme realiste në pikturën  shqiptare të periudhës së Rilindjes dhe Pavarësisë. Idromeno ishte një figurë interesante dhe komplekse: i pëlqente muzika, luante në trompë në bandën muzikore të qytetit, realizonte dekoret e shfaqjeve teatrale dhe ishte për disa vjet piktori i karnavaleve (1917 - 1936). Më 1885 hapi studion   e tij fotografike në Shkodër “Dritëshkronja e Kolës”, më 1912 solli për herë të parë në Shqipëri aparatin për shfaqje filmash duke patur marrëveshje me vëllezërit francezë Lumiere. Idromeno ishte urbanisti dhe arkitekti projektues i mbi 60 ndërtesave publike, sociale dhe vila (projektuar dhe zbatuar nga Idromeno), ndërmjet tyre mund të përmëndim, „Vila e Shirokës“ (1925–26), „Centrali elektrik“ (1928), „Banka e Shtetit“ (1930), „Kinemaja Rozafat“(1935),  „Kafja e madhe“(1935) etj. Ekspozoi në Romë, Budapest, Vjenë, Bari, New Jork (gjatë viteve 1898 - 1939).Piktori Idromeno përdori në tablotë e tij një penelatë uniformë koloristike, pa shumë kontraste, duke shpërndarë në tablo një dritë të qetë. Idromenos i pëlqente realizmi fotografik, në tablotë e tij, përveç portreteve të familjes, gjejmë të realizuara portrete të  miqve dhe shtresës së pasur të qytetit  të tij të veshur me kostumet tradicionale shqiptare. Pas tablove të para me temë fetare “Dy rrugët” (1896), "Fluturimi i Zojës"(1890 - 96) etj. Idromeno pikturoi tema nga historia, jeta dhe zakonet tradicionale të popullit si: “Portreti i Skënderbeut”, “Dasma Shkodrane”, “Plaku i Postribës”, “Oborr shtëpie shkodrane” etj. duke hapur kështu i pari rrugën e pikturës realiste laike në Shqipëri. Idromeno ishte piktori më i rëndësishëm i pikturës realiste shqiptare të gjysmës së pare të shekullit XX. Në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë ndodhet dhe koleksioni më rëndësishëm i artistit ndër të cilët mund të kujtojmë: “Motra Tone” (1883(, “Pamje nga Ulqini” (1897 – 1898), “Portreti i së shoqes” (1931), “Portreti i mbesës – Orselina” (1932), “Oborr i shtëpisë shkodrane” (1933). Në Drejtorinë e Përgjithëshme të Arkivave të Shqipërisë,, Tiranë ruhen vizatimet e tablosë “Dasma shkodrane”, koleksioni i negativave të tij si fotograf ndodhet në arkivin e Qëndrës Albanologjike, Tiranë. Veprat kryesore të Idromenos duke fillluar nga viti 1954, (kur u përurua Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë) e në vazhdim kanë qënë gjithmonë në linjën ekspozicionale të saj.Fshihi detajet

 

Historia e veprës „Motra Tone“
Tabloja “Motra Tone” (1883) u realizua nga artisti në moshën 23 vjeçare. Ajo u  punua në teknikën e vajit mbi kanavacë dhe paraqiste portretin e motrës së artisiti të veshur me kostumin tradicional shqiptar. Historia e krijimit të tablosë “Motra Tone”, sipas studjuesit Mikel Prenushi (Monografia “Kol Idromeno“, jeta dhe vepra, SHB”8 Nëntori”,1984), i përket fillimit të muajit janar 1883, kur …”për 7 - 8  ditë me radhë motra Tone e veshur me kostumin kombëtar, pozoi në familjen e babait të saj dhe portreti më vonë qe përfunduar me sukses…”, pra përfundoi siç e ka nënshkruar piktori më 2 Febbraio (shkurt) 1883. Nënshkrimin e tablosë piktori e kryen në pjesën e sipërme majtas të tablosë mbi sfondin e errët në dy rrjeshta me kaligrafi dore mjaft elegante: Fillimisht me gërma të një ngjyre të kuqe në portokalli është shkruar emri i tij i plotë në gjuhën italiane: „Nicolo“, gërma e parë „A“ i emrit të Babait - Arsen dhe mbiemri „Idromeno“ dhe në rrjeshtin e poshtëm me të njëjtën ngjyrë është shënuar data e përfundimit të veprës 1883.Lexo më tepër
Piktori Idromeno në moshën 23 vjeçare, krijoi për herë të parë në Shqipëri një portret që realizohej direkt nga natyra me model. I ndikuar nga piktura e rilindjes italiane, Idromeno, e vendosi modelin e tij ulur, në pozicion përballë e me duart e ngritura lart duke mbajtur shaminë e bardhë tranparente që i mbështillte kokën. Lëvizja e lehtë e kokës majtas, shikimi i përqëndruar diku jashtë anash tablosë dhe mbulimi i paksa i portretit me shami (degermijë), i japin tablosë një „tension“ artistik mjaft interesant dhe figurës një bukuri të jashtëzakonshme.Vajza e re që pozonte ishte motra e piktorit Tonia, e cila edhe pse në jetën e përditëshme vishej me veshje të modës perëndimore, kishte preferuar të pozonte si model, veshur me kostumin e gruas qytetare katolike shkodrane. Teknikisht Idromeno në tablo  kishte përdorur velatura që i japin tablosë freski koloristike, transparencë duke krijuar në këtë mënyrë një tablo me bukuri magjike. Idromeno nëpërmjet qëndrimit të figurës dhe lëvizjeve të duarve të saj e ka kthyer këtë vepër veç të tjerash në një simbol të gjendjes sociale të gruas shqiptare në fundin e shekullit të  XIX. Teknikisht penelata e Idromenos në këtë tablo proçedon herë me velatura transparente e herë me ngjyra pastoze. Portreti i Tones, e veçanërisht shikimi i saj (sytë) i japin veprës një fuqi psikologjike të veçantë dhe e dallojnë si portretin realist më të bukur në artin shqiptar të shekullit XX. Kjo tablo vlerësohet dhe si dhe një nga kryeveprat e artit realist shqiptar, duke hapur i pari një epokë të re në historinë e artit shqiptar: fillimin e artit laik realist shqiptar. Tabloja “Motra Tone” fillimisht ju dhurua motrës nga artisti e cila ishte e martuar e me dy fëmijë, por pas shtatë vjetësh, pas realizimit të veprës, Tonia fatkeqësisht u nda nga jeta. Piktori e mori veprën dhe e mbajti si kujtim në studion e tij. Vepra „Motra Tone „ u ekspozua për herë të parë për publikun në vitin 1954 në Galerinë e Arteve, në Tiranë.
Në Panairin e Barit (1937) u ekspozuat vepra „Dasma Shkodrane“ (e cila u realizua gjatë viteve 1917-1924) dhe më  1939 ajo (vepra) u ekspozua në ekspozitën Ndërkombëtare të New Yorkut (SHBA) dhe  kthehet në Shqipëri në vitin 1954 me interesimin e qeverisë Shqiptare (sot ndodhet në fondin e GKA, Tiranë).

Ylli Drishti /  Studjues arti

Fshihi detajet