Lekë Tasi

 

Shtëpi në një rrugë Tirane, 1958, Akuarel në letër, 27 x 20 cm, Nr. Inv. 303
Koncerti, 2001, Vaj në kanavacë, 31.5 x 40.5 cm, Nr. Inv. 4526
Brendi në Malësi, 2003, Akrilik në kanavacë, 42 x 37.6 cm, Nr. Inv. 4352

 

Lekë Tasi (Athinë 15.04.1929) Piktor
Lekë Tasi i përket piktorëve bashkëkohës modernë shqiptarë të pas viteve ‘90 në Shqipëri. Ai edhe pse e nisi jetën si muzikant (violinçelist), kishte pasion pikturën duke realizuar kryesisht peizazhe (vizatime dhe akuarele). Pas viteve 1990, Tasi ju kushtua plotësiht pikturës dhe realizoi  kompozime të ndryshme me temë nga qyteti dhe jeta urbane e Tiranës, ku ndjehet fuqishëm një sens ironie dhe sarkazme. Punimet e tij të para ishin realiste, por pas viteve ’70 të shekullit XX, ai ndikohet nga ekspresionizmi dhe nga mjeshtrit botërorë modernë dhe postmodernë. Në punimet e pas viteve ’90 artisti Tasi preferoi kompozime shumëfigurëshe, që paraqiten gjithmonë në lëvizje dhe brenda tyre ndjehen dhe lementë të dadaizmit. Tek punimet e tij ndjehet prirja për ti vizatuar figurat sipas imagjinatës së tij, të cilat përshkohen nga  transparenca koloristike edhe pse të realizuara me ngjyra vaji.Lexo më tepër
Lekë Tasi lindi në Athinë. I ati, Koço Tasi, ish-anëtar i Parlamentit shqiptar dhe i qeverisë së atyre viteve, por që kishte emigruar në Greqi në fund të vitit 1924, si opozitar i Zogut. Riatdhesohet më 1941. Leka, studioi muzikë (violinçel) dhe në periudhën l946-l967 punësohet në orkestrën e Radio Tiranës, më vonë në Filarmoninë e Shtetit dhe në Teatrin e Operas. Në vitin l975 internohet familjarisht në Grabjan të Lushnjës, ku kalon 15 vjet. Fryt i kësaj periudhe të vështirë është  libri i tij me titull “Grabjani rrëzë kodrave”, botuar në 2009. Me vendosjen e demokracisë në Shqipëri, më 1991 emërohet inspektor në Sekretariatin e Fesë në Këshillin e Ministrave, ku shërben deri në l998. Pas vitit 1998 jeton si artist i lirë ku merret me pikturë dhe letërsi.
Lekë Tasi pas viteve 1990 ka marrë pjesë në disa ekspozita kolektive si mund të kujtojmë; Ekspozita Ndërkombëtare “Onufri 2001”, “Onufri 2004”, Qëndra Ndërkombëtare e Kulturës, Tiranë, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë, etj. Si dhe ka çelur disa ekspozita vetjake; “Mbikalim”, 2012-Galeria ZETA, Tiranë dhe “Satirë në sheshin Skënderbej”, 2015-Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë. Ka botuar gjithashtu romanin “Korridori me vetratë” më 2004. Lekë Tasi që në moshën 25 vjeçare ekspozoi në ekspozitën kombëtare me rastin e 10 vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, si dhe në disa ekspozita të tjera në vitet 1954, 1955, 1974. Në vitin 1974 filloi të realizojë punimet e tij në teknikën e ngjyrave të vajit, teknikë që ai e preferon të punojë në vazhdimësi edhe aktualisht. Pikturat e tij kanë dritë dhe janë optimiste, edhe pse kanë sens ironik dhe trajtojnë temat sociale & politike. Në Galerinë Kombëtare të Arteve ruhen tre punime të artistit të viteve 1958 -2003. Tabloja me titull “Shtëpi në një rrugë të Tiranës”, akuareli i përket vitit 1958 dhe është nga punimet e para realiste të artistit.

Ylli Drishti / Studjues arti

Fshihi detajet

 

Biografia e artistit

Lekë Tasi  lindi më 15 Prill 1929 në Athinë (Greqi), por origjina e familjes Tasi është nga Përmeti.
1941 - 1945  Kryeu Gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë dhe merr mësime në pikturë dhe vizatim nga   Nexhmedin Zajmi dhe Abdurrahim Buza.
1943-1945 Merr mësime në violinçel
1946-1951 Kryeu Liceun Artistik “Jordan Misja” për violinçel
1946-1950 Punoi në orkestrën e Radio -Tiranës
1951-1953 Kryeu shërbimin ushtarak
1954-1957 Punoi në orkestrën e filarmonisë së shtetit
1957-1967 Punoi në Teatrin e Operas, Tiranë
Lexo më tepër
1965          Njihet me piktorin Llambi Blido dhe lidhi miqësi të gjatë me të
1967          Pushohet nga puna për arsye politike dhe si i persekutuar punoi në fermë
1967-1971 Përkthyes në Institutin e Tokave, Tiranë
1972-1975 Punoi si Punëtor bujqësie në Stacionin e farërave, Tiranë
1975-1990 I internuar politik në fshatin Grabjan të Lushnjes
1990          Punon si përkthyes
1991-1998 Specialist në Sekretariatin për Fenë në Kryeministrinë e RSH.
1998-prezent Del në pension, aktiv  në krijimtari
1942           Realizoi vizatimet dhe akuarelet e para
1945           I tregon punimet e tij piktorit  Vangjush Mio, në Përmet
1951-1953  I përkushtohet profesionalisht krijimtarisë në pikturë
1954          Ekspozoi për herë të parë në Ekspozitën Kombëtare të Arteve Figurative
1955-1956 Ekspozoi në Ekspozitën Kombëtare të Arteve
1957          Hiqen nga ekspozita dy punime të tij.
1974          Pjesmarrës në ekspozitën Kombëtare të Arteve
1974          Filloi të punojë në teknikën e vajit
1992          Ekspozoi në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës, Tiranë dhe në Galerinë   Kombëtare të Arteve, Tiranë. Njihet me piktorin Ksenofon Dilo, Emanuelle Sainte dhe Christiane Montecot
2001         Ekspozoi në Ekspozitën Ndërkombëtare “Onufri 2001”.
2004         EkspozoI në Ekspozitën Ndërkombëtare “Onufri 2004”
2005         Ekspozitë në grup në Galerinë “Jozef ”, Durrës
2010         Ekspozoi në veprimtarinë “Pranvera” në MHK

Ekspozita vetjake
2003         Ekspozitë vetjake në GKA, Kurator Edi Muka.
2004         Ekspozitë vetjake në Pejë, Kosovë
2004         Ekspozitë në Alba, Itali
2007         Ekspozitë vetjake në GKA, kurator Suzana Varvarica Kuka
2012         Ekspozitë vetjake në “ZETA” Galeri, Tiranë; kurator  Stefan Çapaliku
2015         Ekspozita vetjake “Satirë në Sheshin Skëndërbej”, kurator Suzana Varvarica Kuka. (shoqëruar me katalog, botim i GKA,Tiranë)

Bujana Demiraj
(marrë nga Katalogu “Satirë në Sheshin Skëndërbej”, të kuratores  Suzana Varvarica Kuka,  botim i GKA,Tiranë)

Fshihi detajet