Maks Velo

 

Nudo në dritare, 2010, Vaj në kanavacë industriale, 63.3 x 95 cm, Nr. Inv. 4586
Derhani Korçe, Tush me ngjyra-lavi, letër vizatimi, 31.5 x 43 cm, Nr. Inv. 4569
Fshati primitiv, 2015, Vaj në kanavace, 120 x 85 cm, Nr. Inv. 4593

 

Maks Velo (Paris 31.08.1935) Piktor / arkitekt
Artisti Maks Velo përfaqëson një figurë komplekse të një intelektuali, arkitekti, piktori, studjuesi, analisti, publicisti dhe shkrimtari. Ai ka patur një jetë mjaft të vështirë pasi në artin e tij të viteve 1960-1978, pasqyroi ndikimin e artit modern dhe postmodern evropian duke u cilësuar si dekadent dhe armik i partisë dhe shtetit komunist. Për krijimtarinë e tij artistike Velo u kritikua rëndë dhe u dënua me burg në minierat e kampit të Spaçit, jetë të cilë e përshkruan më vonë pas viteve 1990 në botimet e tij të ndryshme memorial & publiçistike.  Lexo më tepër
Maks Velo lindi në Paris (Francë), në familjen e doktor Sotirit, i cili kishte mbaruar studimet për mjekësi të përgjithshme në Athinë, (Greqi) dhe ishte specializuar për okulistikë në Francë. Nëna Ani Poro, ishte e bija e një emigranti nga fshati Dardhë (Korçë) me shtetësi amerikane. Familja Velo kthehet në Korçë, Shqipëri (1939) dhe Velo i ri kreu mësimet deri në vitin e dytë në gjimnazin “Raqi Qirinxhi”, duke qënë nxënës i piktorit Vangjush Mio. Figura e Velos është shumëplanëshe dhe mjaft e veçantë.  Ai qe një fëmijë mjaft intiligjent e kurioz. Që në moshë të re përveçse vizatonte mjaft bukur, i binte pianos, lexonte në disa gjuhë të huaja (frëngjisht, italisht, rusisht etj.) dhe ëndëronte të bëhej arkitekt. Pasi familja e tij në vitet ’50 transferohet  me banim në Tiranë, Velo i mbaroi dy vitet e fundit të shkollës së mesme në gjimnazin “Qemal Stafa” (1952) e më tej ndjek studimet e larta në degën e inxhinjerisë së ndërtimit - arkitekturës. Pas diplomimit caktohet si arkitekt në byronë e projektimit të Komitetit Ekzekutiv të Kryeqytetit. Eshtë autor i mjaft ndërtesave publike, shoqërore e kulturore. Në këto vite pasioni për pikturën dhe veçanërisht për vizatimin e tërheq dhe ai ka një krijimtari të pasur, gjë që e shtyn Velon të dalë para publikut të kryeqytetit me ekspozitat e tij të para vetjake (1958, Durrës); dy ekspozita në Tiranë (1959 – 1961). Në vitin 1960 ai do të marrë pjesë në Ekspozitën  e  Artit Shqiptar që çelet në Erevan, Moskë dhe Bukuresht. Krahas artistëve të formuar në Akademitë e Lindjes në ekspozitat dhe Konkurset Kombëtare të Arteve Figurative në vitet 1968–1972, Velo ishte prezent në pesë prej tyre. Që kur studjonte për inxhinjeri ndërtimi – arkitekturë, Velo ishte i prirur të vrojtonte e më pas të studjonte me mjaft vëmëndje krijimtarinë artistike të krijuar në shekuj nga mjeshtërit popullorë anonimë si: figura e Skënderbeut, maskat, gurrët e varreve, figurat në dyll të ngjyrosura për pashkët, trokitëset metalike të dyerve, forma e shqiponjës dykrenore, krraba të gdhendura të barinjve etj. Pleniumi i 4-të i KQPPSH e kritikoi Velon si mbartës i ndikimeve të huaja më krijimtarinë e tij artistike dhe nga shtatori 1973 deri më 1978, ai  transferohet me punë në fshatin Ndroq, 15 km larg Tiranës si masë dënuese nga ana e shtetit komunist të Enver  Hoxhës. Më 14 tetor 1978, a rrestohet dhe dënohet me 10 vjet burg politik (lirohet në vitin 1986 dy vjet para mbushjes së dënimit të plotë nga ligji i amnistisë). Pas daljes nga burgu kthehet në Tiranë dhe punon si punëtor i thjeshtë në Uzinën e gurëve abrasive (1978–1991). Maks Velo merr statusin e të burgosurit politik dhe më 1992 bëhet shtetas amerikan.. Krijimtaria e Velos  / piktor  ndahet në dy periudha: atë nga fillimet deri në vitet 1978 (kur i sekuestrohen dhe digjen nga policia me vendim Gjykate 468 vepra të ndryshme arti) dhe periudhën nga vitet ’90 e në vazhdim ku “rregjistrohen” mbi 40 ekspozita vetjake. Periudha e parë fatkeqësisht nuk njihet për shkak të eleminimit fizik të veprave të cilësuara nga pushteti  komunist i kohës si “dekadente”, “me ndikime të artit perëndimor”, vepra të cilat u bënë dhe aktakuza kryesore e dënimit të Velos me 10 vjet heqje lirie. Nga ky koleksion kanë shpëtuar vetëm 35 vepra që u dërguan fshehurazi në Paris dhe ju kthyen autorit pas viteve ’90. Një njohje mbi këtë veprimtari pjesërisht mund të merret edhe me anë të cikleve të vizatimeve që Velo publikonte në revistën periodike të kohës “Shqipëria e Re”. Këto vizatime mund të vlerësohen veçanërisht për linjën e shkathët, stilizimin e figurave, kompozimin jo të zakonshëm dhe jashtë skemave e kanoneve të artit të realizmit socialist. Ato ishin vizatimet më moderne të kohës të publikuara në shqipëri. Në periudhën e dytë piktori Velo ka realizuar disa cikle piktorikë që titullohen: druvarët; lebërit; instrumentistë popullorë, njeriu dhe trau duke realizuar në një hark kohor rreth 17 vjeçar, dhe të paraqitura në mbi  40 ekspozita vetjake, shumica e të cilave jashtë Shqipërisë. Ndër këto ekspozita mund të veçonim:  Ekspozita vetjake (1991, GKA, Tiranë); një seri me ekspozit, më 1992 si:  Figeas (Lot),Francë. “Le Centre Artistique Bretoneaux” dhe “Cite International Des Arts”, Paris, Francë; Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë; Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë. Në  vitet 1994  - 2003 ai do të çelë ekspozitat e tij vetjake në  “The Katherine e Nash Gallery”, Minneapolis, Minnesota, SHBA; në GKA, Tiranë, në “SMILE”, Paris, Francë; “Chateau De Gevrolles Dans l’Aube”, Francë; “Galerie Enzo Pulli “ Die (Drome), Francë; Galerie “Za Branka”, Poznan, Poloni; etj.etj. Punimet e piktorit Maks Velo janë vlerësuar për individualitetin, tematikën e imazhin e jashtëzakonshëm; ku veçanërisht evidentohet aftësia e autorit për stilizimin e figurave dhe kthimin e tyre në elementë dekorative magjikë. Në  këto tablo është sintetizuar në formën e një kodi piktorik me shenja, gjuha artistike me të cilën piktori komunikon me publikun, element ky që Velo e ka evidentuar që në veprat e periudhës së parë, por që aktualisht  ka marrë formë më të kristalizuar e që shpalos në vazhdimësi freski koloristike dhe të papritura interesante që ofron gjithmonë një artist në kërkim e me fantazi të jashtëzakonëshme. Velo ka aftësinë e krijimit brenda tablove dekorative ajër dhe thellësi.Si arkitekt veprat e Velos i përkasin objekteve sociale (kinemaja e ish Pallatit të Pionierve – Tiranë; ish ATSH (Bul “Zogu I I”); Hotel Arbana (sot Drejtoria e Përgjithëshme e Policisë); Kinemaja – Laprakë; Shkolla e gjuhëve të huaja”Asim Vokshi”,Tiranë; shkolla “Emin Duraku”, Tiranë; Pallati ku jetoi në Tiranë deri në vitet 1990 shkrimtari Ismail Kadare (Rruga e Dibrës) dhe disa objekte industriale (fabrika e shkrepseve, Tiranë, uzina mekanike Peshkopi dhe Kukës, Instituti i Studimeve Gjeologjike). Velo / studjues ka botuar një varg artikujsh shkencorë në revistën “Monumentet” mbi krijimtarinë popullore, mbi gdhëndjet në banesën shqiptare  etj.(mbi figurën e Skënderbeut. zogu dhe gjarpëri, maskat, gurrët e varreve etj).Velos shkrimtar & publicist i përkasin një varg botimesh memorjale e publiçistike si: “Vizatime mbi arkitekturën shqiptare”, 2001; “Jeta ime në figurë”, SHB. “Marin Barleti; “Velo – Portrete”. 2003; Albumi”Nënë Tereza” 2004 (SHB.55) dhe “Grafika e realizmit socialist në Shqipëri”, 2014. Maks Velo është autor i disa  romaneve: "Kokëqethja", "Palltoja e burgut", "Thesi i burgut", “Spaçi”, “Hetimi” (2010). Në fondin e GKA,Tiranë ndodhen 11 vepra të piktorit Maks Velo, kryesisht peizazhe, të periudhës 1958-1971. Në vitin 2015 artisti Maks Velo  u ftua nga Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë të çelte ekspozitën e tij retrospektive (10 shtator - 4 tetor).
Nga koleksioni i ekspozitë dhe ai i studios  së tij artisti i dhuroi Galerisë Kombëtare të Arteve pesëdhjetëekatër punime  (rapidograf, tush, vaj, pastel, lami, mix) të viteve 1956-2015 .Në këto punime ndodhen disa cikle me peizazhe nga qyteti I Tiranës, Korçës, Gjirokastrës, Vlorës, Beratit si dhe kompozime të viteve 1960-2015.

Ylli Drishti / Studjues arti

Fshihi detajet

 

Biografia e artistit
1957: Diplomohet në Fakultetin e Ndërtimit të Institutit Politeknik, Tiranë
1959 - 1961: Hap dy ekspozita personale me vizatime në Tiranë
1960: Merr pjesë në pesë Ekspozita Kombëtare për grafikë
1969: Pranohet si Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
1962 - 1972: Merr pjesë në pesë ekspozita Kombëtare pikture në Tiranë
1971 - 1972: Merr  pjesë në dy ekspozitat e pranverës në Tiranë
1978: Arrestohet e dënohet me 10 vjet heqje lirie për krijimtarinë e tij  në kundërshtim me parimet e e realizmit socialist,  I etiketuar si i  ndikuar  nga piktura moderne / dekadente perëndimore.  Digjen me vendim të Gjykatës 246 punime të tij.
Lexo më tepër
20 korrik - 4 gusht 1991 Merr pjesë në një ekspozitë të 10 piktorëve shqiptarë në Qëndrën Kulturore “Il Campo” në Campomarino, Itali
7 dhjetor 1991 - 5 janar 1992: Ekspozitë retrospektive personale organizuar nga Galeria Kombëtare Arteve, Tiranë
11 prill 1992: Ekspozitë personale në Qëndrën Artistike “Ephemere 2 “ në Paris, Francë
11 - 18 korrik 1992: Ekspozitë personale në “Cite Internazionale des Arts” në Paris, Francë
Tetor 1992: Merr pjesë në Ekspozitën kolektive organizuar nga Fondacioni “Soros”,Tiranë.
Mars 1993: Punët e tij ekspozohen në Koleksionin Nensi Sulmont në “Saga” në Grand Palais, Paris, Francë
30 mars - 12 prill 1993: Ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare  të Arteve në Tiranë
10 shtator - 4 tetor 2015: Ekspozitë retrospektive në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Ekspozita u shoqërua me Katalog.

Bujana Demiraj

Fshihi detajet