Nexhmedin Zajmi

 

Nëna labe, 1955, Vaj mbi kanavacë, 49.2 x 39.5 cm, Nr. Inv. 100
Tregim për Luftën Nacionalçlirimtare, 1954, Vaj mbi kanavacë, 132,5 x 207 cm, Nr. Inv. 116
Kostum lunxhërie, 1951, Vaj mbi kanavacë, 125.2 x 95.2 cm, Nr. Inv. 15

 


Nexhmedin Zajmi (Trebinjë, Peshkopi  04.03.1916 -Tiranë 19.05.1991)  Piktor. Vlerësuar me titullin  “Piktor i Popullit”. 
Artisti Nexhmedin Zajmi ishte një nga studentët shqiptarë që studjuan në Akademitë Italiane në vitet ‚40 të shekullit XX. Ai ishte një nga piktorët e Realizmit Socialist. që realizuan kompozimet e para me temë nga lufta e dytë botërore që porsa kishte mbaruar („Tregim nga lufta nac.- çl“), duke çelur kështu serinë e tablove historike. Piktori Nexhmedin Zajmi, i mbetur jetim shumë shpejt, e kreu shkollën fillore në fshatin e lindjes (Trebinjë), nën kujdesin e gjyshes dhe vëllezërve më të mëdhenj. Filloi studimet në shkollën e mesme  teknike  në Tiranë, në degën bujqësore (1931). Në vitin e tretë, realizoi portretin e një shoku në skulpturë, gjë që krijoi mundësinë e kalimit të tij në degën e dekoracionit të asaj shkolle dhe më pas, të kryejë shkollën e vizatimit në Tiranë. Lexo më tepër
Ishte student i piktorit Carlo Sivieros (1882-1953) në Institutin e Arteve të Bukura  në Romë (1938 - 1943) dhe pas mbrojtjes së diplomës qëndroi edhe një vit në Itali. Pas kthimit në Tiranë, emërohet pedagog vizatimi në gjimnazin e shtetit në Tiranë (1945) dhe një vit më pas pedagog në Liceun Artistik „Jordan Misja“, Tiranë. Në vitet 1955 - 1956 ishte drejtor i Galerisë së Arteve, Tiranë. Zajmi kthehet përsëri  pedagog në Liceun Artistik dhe më 1963 emërohet pedagog në ateljenë e pikturës në Institutitn e Lartë të Arteve (sot Universiteti i Arteve,Tiranë).
Akademizmi i shkollës së Romës i shërbeu Zajmit të realizojë portrete psikologjikë, ku dallohet për zbërthimin e botës brendshme shpirtërore të personazheve të tij që ishin: partizanë, punëtorë, gra e nëna të zonave të ndryshme të Shqipërisë. Zajmi është një ndër përfaqësuesit më kryesorë të pikturës akademike të realizmit socialist në Shqipëri. Piktori Nexhmedin Zajmi ka realizuar tablo me temë historike, portrete e peizazhe sipas metodës së realizmit socialist.
Duke qënë pjesëmarrës në 27 ekspozita të rëndësishme kombëtare (që nga 17 prilli 1945) ai realizoi tablo me temë historike,me tematikë nga  jeta dhe puna së klasës punëtore shqiptare, por që do të shërbenin si shembull apo “model” imitimi për të gjithë brezat e rinj të krijuesve të asaj kohe. Nexhmedin Zajmi ishte ndër piktorët kryesorë të Relizmit Socialist në Shqipëri..
Ndër tablotë e viteve 1950 - 1970 mund të kujtojmë: ‘Kostum Lunxhërie” (1951),  “Tregim nga lufta nacional-çlirimtare” (1954), “Prita partizane” (1956), “Delegati” (1959), “Heroi i Popullit Bajram Curri” (1957), “Në piramidën e kufirit” (1959), “Diga e Drinit” (1969), “Marshim partizan (1964) “Grua labe” (1964),etj.
Akademizmi i shkollës së Romës në disa raste i shërbeu Zajmit të realizojë portrete ku synohet të jepet bota e brendëshme e personazhit si dhe kërkime në zbulimin e psikologjisë së portretit siç janë tablotë:”Malësorja” (1947), “Kostum lunxhërie” (1951), “Refugjatët” (1952), “Malësori”(1953),“Nëna labe” (1955), “Kostum shqiptar” (1955), “Heroi i Popullit Bajram Curri” (1957), “Portret Minatori” (1957), “Vjehra e piktorit” (1959), “Portret vajze” (1964) etj. 
Në harkun kohor të viteve 1960 - 1980 sidomos me tablonë “Diga e Drinit” (1969)  dhe në të tjerat pas saj “Aviatori” (1976) , “Në piramidën e kufirit” (1968), “Portret malësoreje”(1961), “Shëngjini’ (1969), “Skënderbeu” (1973), “Isa Boletini” (1978) etj, piktori Zajmi e konsolidon stilin e tij, duke krijuar një individualitet që vihen re nga tabloja në tablo. Zajmi ka realizuar në vite edhe një cikël peizazhesh nga natyra (Pogradeci, Tirana, Rusia, Shëngjini,Miniera e Mëzezit, Fierza, etj) si dhe disa natyra të qeta. Gjithashtu piktori Nexhmedin Zajmi ka realizuar portrete të ndryshme të njerëzve të thjeshtë, duke i realizuar ato me dritë diellore me model direkt në natyrë. Nga ky cikë lkujtojmë:”Rritësja e derrave”, “Nusja me vathë” (1969), “Djali me beretë”, “Portret m alësori” (1965)
Nga veprat e realizuara në vitet e shkollës  në Akademinë e Romës me shumë interes janë dy tablo të tij: pejzazhi “Kasolle në Itali” (1944) dhe “Brendi shtëpie të vjetër” (1944), të cilat janë të realizuara me mjeshtëri të lartë artistike dhe pasqyrojnë një kulturë artistike dhe profesionale që nuk përsëritet në ato nivele në krijimtarinë e mëvonëshme të piktorit. Nexhmedin Zajmi ka qënë pjesëmarrës në të gjitha ekspozitat kombëtare si dhe në veprimtari ndërkombëtare ku përfaqësohej Shqipëria si: Bienalja e Aleksandrisë, Egjypt  (1958,1960,1962,1964,1966), Bienalja e Bukureshtit, Rumani (1958 - 1960), në ekspozitat që shteti shqiptar çeli në: Sofje, Bullgari  (1958), në Vjenë, Austri (1970), në Shën Petërburg, ish BRSS (1957), në Kroaci, ish Jugosllavi (1972) etj.
Në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë ndodhen shtatëdhjetë vepra të piktorit Nexhmedin Zajmi, ndër të cilat edhe 2 tablotë e realizuara gjatë viteve ‘40 në Itali.

 Ylli Drishti, Studjues dhe kurator arti

Fshihi detajet

 

Disa nga ekspozitat kryesore të artistit.
1950  - Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative. Artisti merr pjesë me dy punime: “Stalini”, “Komandanti”
1952 - Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative. Artisti merr pjesë me një punim: “Tregim nga lufta nacional - çlirimtare”
1956  - Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative. Artisti merr pjesë me pesë punime: “Peizazh nga Tirana”; “Kostum Lunxhërie”; “Natyrë e qetë”, “”Turistët”; “Peizazh nga Lura”.
1957  -  Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative me rastin e 45 vjetorit të Pavarësisë. Artisti merr pjesë me 10 punime:”Bajram Curri”; “Shangai”; “Maminas”; “Në oborr”; “Në rrugë”; “Pamje në lagje”; “Kodrat e Tiranës”; “Në kooperativë - Manëz”; ‘Maminas”; “Rrugë p1%r në fshat”.
1959 - Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative me rastin e 15 vjetorit të çlirimit. Artisti merr pjesë me një punim: “Vjerra ime”.
Lexo më tepër
1961  - Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative me rastin e 20 vjetorit të themelimit të PPSH.. Artisti merr pjesë me pesë punime: 3 (tre) peizazhe dhe 2 (dy) portrete.
1962  - Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative me rastin e 50 vjetorit të Pavarësisë. Artisti merr pjesë me një punim: “Tregim nga lufta nacional - çlirimtare”
1971  - Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative”Portreti I klasës punëtore në AF”. Artisti merr pjesë me pesë punime: “Kantjeri I Vaut të Dejës”; “Në mbrëmje”; “Portret minatori”; “Kantjeri I Vaut të Dejës”; “Portret minatory”.
1973 - Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative”30 vjet Ushtri Popullore”. Artisti merr pjesë me katër punime:”Skënderbeu”; “Mëzezi”; “Partizani”; “Minatorët”.
1974  - Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative kushtuar 30 vjetorit të çlirimit. Artisti merr pjesë me një punim:”Fierzë”.
1975 - Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative.”30 vjetori I krijimit të Policisë Popullore dhe armës së kufirit” Artisti merr pjesë me katër punime:”Rregulli I trafikut”; “Rapsodi Demir Zykja”; “Posta kufitare”; “Në mbrojtje të bregdetit”.
1975 - Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative dhe fotografisë artistike, kushtuar 30 vjetorit të krijimit të Flotës Luftarake Detare.  Artisti merr pjesë me tre punime: “Portret marinara”; ”Në stërvitje”;”Nëndetëset”.
1977 - Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative e bujqësisë. Artisti merr pjesë me një punim:”Vjelja e pjeshkës”
1978 - Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative me rastin e 35 vjetorit të krijimit të Ushtrisë Popullore. Artisti merr pjesë me një punim: “Ecim në traditat tona”.
1978 - Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative me rastin e 100 vjetorit të Krijimit të Lidhjes së Prizrenit. Artisti merr pjesë me dy punime: “Luftëtari I Lidhjes”; “Isa Buletini”.
1978 - Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative me temë fshatin. Artisti merr pjesë me një punim: “Vjelja e pjeshkave”.
1979 - Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative kushtuar 35 vjetorit të çlirimit. Artisti merr pjesë me dy punime:”Proçes pune”; “Peizazh”.
1981 - Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative me rastin e 40 vjetorit të themelimit të PPSH... Artisti merr pjesë me njjë punim: “Minatorët”.
1982 - Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative me rastin e 70 vjetorit të Pavarësisë. Artisti merr pjesë me një punim: “Sami Frashëri”.   

 Ylli Drishti, Studjues dhe kurator arti

Fshihi detajet