Safo Marko

 

Qymyrxhesha, Tempera mbi letër, 19 x 28.5 cm, Nr.Inv. 464
Portret i Petro Markos, Laps mbi letër, 35 x 45.5 cm, Nr.Inv. 493
Zgjimi,Vaj mbi fiber, 50 x 60 cm, Nr.Inv. 2132

 

Safo Marko (Selanik, Greqi 28.03.1925 - Tiranë 26.08.2012) Piktore
Safo Marko ishte pjesë e artistëve të rëndësishëm grafistë të shekullit të XX-të në artin pamor shqiptar. Ajo kreu shkollën e mesme në Instituttin Femëror “Nëna Mbretëreshë”, Tiranë, por nuk arriti ta mbaronte vitin e fundit pasi u lidh me lëvizjen antifashiste Nacional-Çlirimtare. Duke patur pasion pikturën Marko bashkëpunoi menjëherë pas çlirimit në disa organe të shtypit dhe të propagandës së viteve 1945-1960. Më tej rreth viteve ’70 ajo do të ishte piktore në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, Tiranë.
Lexo më tepër
Artistja ka realizuar gjatë krijimtarisë së saj mbi 1000 kopertina librash si dhe ka qenë një nga piktoret kryesore ilustratore të revistave për fëmijë “Fatosi”, “Pionieri”. Në gjininë e Pllakatit ajo ka realizuar me dhjetra e dhjetra pllakate për festat popullore, për ngjarje të rëndësishme politike si festimet e ndryshme me karakter politik, social, kulturor & propagandistik si “1 Maji”, “28 - 29 Nëntori”, “8 Nëntori”,  “1 Qershori”, “8 Marsi” etj. Në këtë gjini Safo Marko kontriboi duke i botuar pllakatet e saj në shtypin e kohës të zmadhuara në sheshet e Kryeqytetit si dhe të realizuara në disa prej qyteteve kryesore. Ajo sëbashku me piktorët e tjerë grafistë të pas viteve 1960 si Pandi Mele, Ibrahim Shehu, Zef Shoshi, Besnik Dizdari, Vlash Prifti, Franc Ashiku ku  realizuan pllakate të ndryshme në shërbim të propagandës partiake komuniste të kohës.
Në punimet e saj në pikturë Safo Marko ka lënë një koleksion me peizazhe kryesisht nga zona e bregdetit Jon, por edhe kompozime me figura femërore, ku ndjehet prirja e artistes për ti stilizuar figurat dhe për pasurimin e tablove me një kolorit me dritë. Safo Marko ishte pjesmarrëse duke filluar nga viti 1957 në ekspozitat kombëtare. Me punimet e saj ajo ishte pjesmarrëse në tri edicione të Bienales së Aleksandrisë në Egjypt. Duke qenë e martuar me shkrimtarin Petro Marko i cili u arrestua dhe dënua në vitin 1947, sigurisht ju mohuan shumë të drejta në fushën e artit. Kjo gjë ndodhi edhe në vitin 1975 kur ju arrestua i biri për agjitacion e propagandë. Piktorja Safo Marko deri në vitet e fundit të jetës mbeti bashkëpuntore e revistave për femijë si “Sirena e vogël”, “Mrekullia” etj. por gjithashtu ajo realizoi edhe kopertina dhe ilustrime për librat. Artistja vazhdoi të punoje deri vonë në moshë të thyer vepra në pikturë me motivet e bregdetit Jon. Safo Marko ndërroi jetë më 26 gusht 2012.
Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë ruhen njëzet vepra të artistes Safo Marko të viteve 1959-1998 ku mund të kujtojmë: “Qymyrxhesha” (1959), ”Portreti i Petro Markos” (1960), “Shitësja e luleve”(1960), “Autoportreti” (1960), “Fidanët” (1973), “Vajzat e Himarës (1998). Vepra të artistes ruhen në familjen Marko si dhe nga koleksionistë të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj.

Ylli Drishti /  Studjues arti

Fshihi detajet

 

Biografia.
Safo Marko lindi në Selanik më 28 mars 1925. Ajo ishte vajza e Shefqet dhe Shazije Çelos. I jati Shefqeti kishte mbaruar studimet në Stamboll dhe punonte në administratën shtetërore si Kryetar Bashkie në disa qytete të Shqipërisë deri sa u nda nga jeta në vitin 1942.
Safoja vazhdoi studimet e mesme në Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë”, Tiranë, por nuk arriti ta mbaronte vitin e fundit, pasi u lidh me lëvizjen antifashiste Nacional-Çlirimtare. Gjatë studimeve mësuesi i saj, piktori italian, Radoani Mario dhe skulptorja Kristina Hoshi e inkurajuan të zhvillonte talentin e saj për pikturë. Pati fatin të ketë si pedagog figura të shquara të arsimit si Prof. Ahmet Gashi, Hysni Babameto, Kristina Hoshi, Marie Kraja etj. Që në vitet e para të shkollës ajo u shqua si një vajzë e talentuar në pikturë e letërsi.
Lexo më tepër
Në vitin 1945 e në vazhdim Safo Marko, fillimisht punoi si spikere në Radio Tirana dhe gradualisht u aktivizua si piktore në disa organe të shtypit të kohës. U shqua në pllakatet festive që afishoheshin në kryeqytet dhe në të gjithë vendin. Ka punuar si piktore krijuese për abetaret e para dhe revistat për femijë që u krijuan, që nga numri i parë e në vazhdim me kopertina dhe ilustrime (“Fatosi”, “Pionieri”). Gjatë këtyre viteve ka punuar në kushtet e shtëpisë pa qenë në marëdhënie pune.
Në vitin 1957 u bë anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Në Pallatin e Pionierëve, Tiranë artistja rreth viteve 50’ drejtoi rrethin e pikturës. Ajo ka kontribuar si piktore në agjitacionin figurativ të Ministrisë së Bujqësisë, Kryqit të Kuq Shqiptar në vitet e para pas çlirimit.
Safo Marko filloi punën e rregullt si piktore krijuese në Shtepinë Botuese “Naim Frashëri” rreth viteve ‘70 dhe vazhdoi aty deri sa doli në pension. Nga duart e saj kanë dalë mbi 1000 kopertina origjinale librash të letërsisë për fëmijë e të rritur si dhe një numër i jashtëzakonshëm ilustrimesh. Ndërkohë Safo Marko vazhdonte bashkëpunimin me të gjitha organet e shtypit për pllakate festive e ilustrime për fëmijë e të rritur.
1956-1990 Pjesëmarrëse në të gjitha Ekspozitat Kombëtare të Arteve Figurative si dhe në disa ekspozita jashtë Shqipërisë të organizuara nga Ministria e Kulturës
1957 Pjesëmarrëse në Ekspozitën Kombëtare të Arteve Figurative, kushtuar 40 vjetorit të  Revolucionit të Tetorit.
1959 Pjesëmarrëse në Ekspozitën Kombëtare të Arteve Figurative, kushtuar 15 vjetorit të Çlirimit
1960 Pjesëmarrëse në Ekspozitën Kombëtare të Arteve Figurative, kushtuar portretit
1962 Pjesëmarrëse në Ekspozitën Kombëtare të Arteve Figurative, kushtuar 50 vjetorit të  Pavarësisë
1971  Pjesëmarrëse në Ekspozitën Kombëtare të Arteve Figurative, kushtuar  Klasës punëtore.           
1974 Pjesëmarrëse në Ekspozitën Kombëtare të Arteve Figurative, kushtuar 30 vjetorit të Çlirimit
1975 Pjesëmarrëse në Ekspozitën Kombëtare të Arteve Figurative, kushtuar 30 vjetorit të  krijimit të Armës së Kufirit dhe Policisë Popullore.
1977 Pjesëmarrëse në Ekspozitën Kombëtare të Arteve Figurative, kushtuar  bujqësisë.
1979 Pjesëmarrëse në Ekspozitën Kombëtare të Arteve Figurative, kushtuar 35 vjetorit të Çlirimit

Ekspozita Personale
1962   Ekspozitë personale në Klubin e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Vlerësime për artisten
1956    Çmim i Dytë për Pllakatin me rastin e 1 Qershorit, ditës Ndërkombëtare të fëmijëve
Çmim i Parë për ciklin me vizatime nga aksionet e rinisë.
1965    Çmimi i Republikës, për Pllakatin e ekspozitës me rastin e XX vjetorit të Armës së Sigurimit të Shtetit
1974   Çmimi i Parë në Ekspozitën Kombëtare të Arteve Figurative, kushtuar 30 vjetorit të Çlirimit
1975   Çmimi i Parë për kopertinën e Revistës “Fatosi”
1978   Çmimi i Parë në Pllakat “Kongresi i Gruas, 1978”
1979   Çmimi i Parë për kopertinën e Revistës “Fatosi”
1979   Çmimi i Parë për kopertinën e Revistës “Ylli”
Vepra të  artistes në koleksione private
1945 Realizoi tablonë “Vojo Kushi mbi tank”, dhuruar Enver Hoxhës nga lagja “Vojo Kushi”.
Portret i Mehmet Shehut- luftëtar i Spanjës Koleksioni i familjes Shehu.
Portreti i nënës së Mehmet Shehut, Koleksioni i familjes Shehu.
Portreti i Nexhmije Hoxhës, Koleksioni i familjes Hoxha.
“Delegatja”, Koleksioni i familjes Adil Çarçani.
Portreti i vajzave të Ramiz Alisë. Koleksioni i familjes Alija.
“Vjelja e portokalleve’ dhe “Lulja mbi gur”, Koleksioni i familjes së Hysni Kapos.
“Kthimi’, Koleksioni i familjes Todi Lubonja.
“Divjaka”, Koleksioni i familjes  Manush Myftiu.
“Peizazh himarjot”, Koleksioni i familjes  së doktorit Simon Çapeli
“Portret gruaje”, Koleksioni i familjes Mentor Përmeti.
“Vajza në sfond lule portokalli”, Koleksioni i familjes Zejnulla Hatibi.
“Margarita Tutulani”, Muzeu Historik,Vlorë. etj.

Ylli Drishti / Studjues arti

Fshihi detajet