Sofia Papadhimitri

 

Autoportret, 1939, Vaj në kanavacë, 45 x 34 cm, Nr. Inv.602, Koleksioni i GKA
Portret gruaje, 1938, Vaj në kanavacë, 41 x 50 cm, Nr. Inv.398, Koleksioni i GKA
Portret plaku, Karbon në letër, 24.7 x 43.5 cm, Nr. Inv.2016 , Koleksioni i GKA

 

SOFIA PAPADHIMITRI
(Korçë 19.03. 1915 – Tiranë 13.06.1976)

Sofia (Zengo) Papadhimitri bën pjesë në grupin e artistëve të traditës në historinë e arteve pamore Shqiptare. Sofia ishte një nga shtatë vajzat e familjes Zengo.  Ajo që e vogël bashkë me motrën Androniqi dhe Thomaidha ndihmonin të atin në pikturimin e kishave dhe ikonave të zonës së Korçës. Ajo e shfaqi talentin e saj shumë herët  dhe mori mësimet e para në vizatim nga i ati Vangjeli dhe duke parë talentin e saj e dërgoi  Sofinë të merrte mësime pikture në studion e piktorit Vangjush Mio. Sofia kreu studimet e mesme në Korçë dhe më tej studimet e larta në Akademinë e Arteve të Athinës (Greqi) duke u dalluar në ateljenë e piktorit të njohur portretist grek Spiros Vikatos dhe etiketuar prej tij me emrin “Shqiptarja”.Lexo më tepër
Në punimet e saj shkollore në vaj por edhe në vizatim ndjehen qartë kërkesat akademike për realizimin me vërtetësi të modeleve së figurës së njeriut, kryesisht nudo, por më së shumti të portreteve, ku spikat prirja e artistes për ta konstruktuar portretin, për të evidentuar më qartë karakterin e secilit imazh piktorik apo dhe në vizatim në teknikën e karbonit. Në punimet e Sofisë në pikture, në vitet e Akademisë ndjehet më e theksuar ndikimi i mjeshtrit Vikatos si një piktor impresionist. Në disa nga portretet akademike të këtyre viteve penelatat e saj janë më të lirshme dhe më me ngjyrë e dritë. Në punimet e artistes, Papadhimitri pas viteve 1944, ndjehet largimi nga prirja impresioniste drejt një realizmi korrekt dhe pa asnjë ndikim nga rrymat moderne të shekullit XX.  Ndofta ky qëndrim i artistes ka të bëjë me lidhjen e ngushtë që artistja ka patur me ikonografinë, që në moshë të re, në pikturimin e ikonave dhe afreskave në zonën e Korçës, Elbasanit dhe Tiranës. Me përfundimin e studimeve e pas kthimit në Korçë më 1940,  Sofia realizoi kryesisht disa ikona në vitin 1941 për kishat e qytetit të lindjes, dy prej të cilave ruhen në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë. Në përgjithësi tek piktorja Sofia Papadhimitri dallohet një prirje drejt pasqyrimit me vërtetësi të portreteve të njerëzve të thjeshtë dhe peizazheve të bregdetit Jon (Saranda, Himara dhe Dhërmiu) dhe qyteteve muze si; Gjirokastra, Berati, Kruja, por edhe nga Pogradeci. Krijimtaria e saj mbi 35 vjeçare ka një vijimësi konstante në realizmin e portreteve, peizazheve dhe natyrave të qeta me lule.
Portreti, si gjini, tek Sofia Papadhimitri zë vendin kryesor në krijimtari dhe kjo dëshmohet edhe nga numri i tyre në koleksionin e veprave të saj që ndodhen në GKA, në Galerinë e Arteve, Korçë, në Galerinë e Arteve në Gjirokastër dhe në koleksionin e familjes Papadhimitri.Në ekspozitat e para ku Sofia mori pjesë sëbashku me të motrën Androniqi në vitin 1942 ajo u vlerësua nga shtypi vendas në radhë të parë si të parat piktore femra në Shqipëri, për talentin e tyre dhe motivet që ato paraqisnin. Sofia Papadhimitri gjatë jetës së saj ka qënë pedagoge vizatimi  në shkollat e mesme dhe 7 vjeçare në Tiranë, por ajo gjithashtu ka qënë pjesëmarrëse në nëntë ekspozita kombëtare që u çelën  në Tiranë nga Ministria e Kulturës dhe Lidhja e Shkrimtarëve  dhe e Artistëve të kohës (1945-1971).
Në vitin 1965, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve në Tiranë, organizoi 50 vjetorin e lindjes së artistes duke çelur ekspozitën e parë vetjake në një ndër sallat e saj. Ekspozita personale e Sofia Papadhimitrit e vitit 2015 në GKA, ishte e treta që u çel në Galeri, në kuadrin e 100 vjetorit të lindjes së artistes. Ajo u organizua me vepra të përzgjedhura  nga  punimet e fondit të GKA dhe të familjes Papadhimitri. me krijimtarinë e artistes  kryesisht në vitet studentore (1936-1939) dhe pas tyre duke evidentuar dukshëm prirjen e saj si portretiste. Artistja Sofia Papadhimitri ishte një piktore realiste dhe portretiste e rëndësishme në historinë e arteve pamore shqiptare të shekullit XX. Në muajin prill 2015, Këshilli Bashkiak i qytetit të Korçës, vlerësoi kontributin e piktores Sofia Zengo Papadhimitri duke e shpallur “Qytetar Nderi” të qytetit.

Ylli  DRISHTI
Studiues Arti

Fshihi detajet

 

Biografia
19 mars 1915: Lindi në Korçë dhe ishte e bija e Vangjel dhe Vasiliqi (Korçari) Zengos.
Mësimet e para për pikturë i mori në Korçë nga i jati Vangjeli dhe nga piktori Vangjush Mio. Në Korçë ajo kreu arsimin e ulët dhe të mesëm.
1934-1939: Kreu studimet në 5 vjet në Akademinë e Arteve në Athinë me rezultate të  larta. Nën drejtimin e pedagogëve si Spiros Vikatos (1878 -1960, piktor portetist i njohur grek) dhe Unvertos Argjiros (pedagogu i saj në vitin e fundit të studimeve).
1937: Gjatë pushimeve verore, kur ishte studente, Sofia sëbashku me të atin Vangjelin punuan për dekorimin e kishës së Shën Triadhës, Korçë.
1939: U vlerësua me çmimin e parë në portret.
Lexo më tepër
Prill 1940: Pas studimeve kthehet në qytetin e lindjes në Korçë.
1941: Realizoi dy ikona që ndodhen në fondin e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, Korçë me temë “Nënë Perëndie”, (Dhuratë prej Donika J.Vangjeli) dhe “Kryeëngjëlli Mihal” (Dhuratë prej Rafail Martini).
1942 - 1947: Zuri vëndin e të motrës, si mësuese vizatimi në Shkollën Femërore në Korçë.
1946: Anëtarësohet në Lidhjen e Shrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
1947: Martohet me skulptorin Akile Papadhimitri në Tiranë, me të cilin pati
dy djem (Jani dhe Evangjel) që u bënë artistë - violinistë të njohur në Shqipëri.
Filloi punë në  Tiranë si mësuese vizatimi në shkollat 7 vjeçare “Hasan Vogli” dhe  “Hoxha Tahsim” deri sa doli në pension.
13 qershor 1976: Sofia Zengo Papadhimitri ndahet nga jeta në Tiranë, pas një sëmundje të rëndë në moshën 61 vjeçare.

EKSPOZITA
1942: Ekspozitë pikture me të motrën Androniqi Zengo Antoniu në Tiranë, u ekspozuan 56 punime nga të  cilat 21 punime ishin të Sofia Zengos.
1942: Mori pjesë në Konkursin Kombëtar  “Premio Albania”,  në Tiranë , e organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Ministria e Kulturës Popullore. Në ekspozitën e çelur me këtë rast, morën pjesë 23 artistë   të arteve figurative. Sofia u paraqit me  punimin: “Portret” në vaj.
1944: Mori pjesë sëbashku me dy motrat e saj Androniqi dhe Sotiria, në pikturimin e kupolës së Mitropolisë së qytetit të Korçës (filloi në pranverën e vitit 1944  dhe mbaroi në verën e vitit 1945)
1945: Mori pjesë në ekspozitën e parë kolektive pas çlirimit të vëndit.
1947: Hapi ekspozitë në qytetin e Durrësit, me punime nga aksioni i rinisë në ndërtimin e hekurudhës Durrës-Rrogozhinë. Punimet ju dhuruan Komitetit të Rinisë së Durrësit.
1948: Sëbashku me të motrën piktoren Androniqi (Zengo) Antoniu morën pjesë për dy javë në fazën e dytë , të ndërtimit të hekurudhës Durrës-Rrogozhinë
1950: Ka realizuar “Portretin e kufitarit”, në fshatin Sopik, Gjirokastër. Punimi ju dhurua klubit të fshatit Sopik, Gjirokastër e cila ishte dhe vendlindja e bashkëshortit Akile Papadhimitri.
1950: Ekspozita e Arteve Figurative. Tiranë. Mori pjesë me punimet: “Punëtori” dhe “Kostum Pogoni”.
1952: Ekspozita e Arteve Figurative. Tiranë . Mori pjesë me punimet ”Kostum Gjirokastre”, “Nëna e dëshmorit Thanas Ziko”.
1957: Ekspozita Kombëtare vjetore e Arteve Figurative, Tiranë, organizuar në kuadrin e 40 vjetorit të Revolucionit  Socialist të Tetorit. Mori pjesë me punimet ”Gjirokastra”, ”Pamje e kalasë”, “Rrugë në Gjirokastër”, ”Pionieri.
1959: Ekspozita Kombëtare vjetore e Arteve Figurative, Tiranë organizuar në kuadrin e 15 vjetorit të çlirimit. Mori pjesë me punimet “Portret gruaje”, ” Natyrë e qetë”.
1961: Ekspozita Kombëtare vjetore e Arteve Figurative, Tiranë, organizuar në kuadrin e 20 vjetorit  të themelimit të PPSH. Mori pjesë me një punim në vaj.
1948 - 1960: Pikturoi në zona si Korça, Dardha, Gjirokastra, Himara, Dhërmiu, Saranda, Kruja etj, ku dhe hapte  hera herës ekspozita të momentit.
1960: Sëbashku me motrën e saj piktore Androniqi dhe skulptorin Akile Papadhimitri, pikturuan kishën e Palasës (Korçë).
8 mars 1960: Mori pjesë në ekspozitën e parë të arteve figurative të organizuar  për Gratë artiste, Tiranë, me rastin e 50-vjetorit të Ditës Ndërkombëtare të Grave.
1963: Pjesëmarrëse në Ekspozitën Kombëtare të Arteve Figurative, organizuar në kuadrin e 20 vjetorit të Ushtrisë Popullore.
1964: Pjesëmarrëse në Ekspozitën Kombëtare e Arteve Figurative, organizuar në kuadrin e 20 vjetorit të  Çlirimit të Shqipërisë. Mori pjesë me  punimin “Kasollja”.
1960 - 1970: Pikturoi në zonën e Shqipërisë së Mesme, kyesisht realizoi peizazhe dhe portrete të njerëzve të punës.
1964 - 1966: Sëbashku me motrën e saj piktore Androniqi dhe skulptorin Akile Papadhimitri, realizuan pikturimin , dekorimin dhe kapitelet e kishës së Evangjelismoit në Tiranë.
27.12.1965: Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë organizon ekspozitën e saj vetjake me rastin e 50-vjetorit të lindjes.  Ekspozita përmbante 58 punime si 23 peizazhe, 6 natyra të qeta, 2 autopotrete.
20. 02. 1966: Ekspozita vetjake me rastin e 50 vjetorit te Lindjes u hap edhe në qytetin e saj, në Korçë, në  Pallatin e Kulturës “Ali Kelmendi” si dhe mori pjesë në 2 ekspozita në Bienalen e Aleksandrisë, Egjypt. 
1968: Vepra me titull ”Shitësi i limonave”  (“Portret Plaku”) ishte pjesë e një emisioni filatelik të përgatitur dhe realizuar nga Posta Shqiptare sëbashku me 7 vepra të tjera të Galerisë së Arteve, Tiranë.
10.02.1971: Ekspozita  “Portreti I klasës punëtore” në  Arteve Figurative. Mori pjesë me punimin  “Portret minatori”.
1974: Mori pjesë në Ekspozitën fotografike “Diga për vaditje”, Berat.
1975: Realizoi peizazhin e fundit nga bregdeti i Sarandës.
18 mars 1985: Përurohet në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë,   Ekspozita Retrospektive me punimet e zgjedhura të Sofisë. me rastin e 90 vjetorit të lindjes të saj. Ekspozita përmbante 167 vepra, në teknikën e vajit dhe vizatime në karbon.
29 korrik  2005: Ekspozita Retrospektive e piktores Sofia Zengo Papadhimitri në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë me rastin e 90 vjetorit të lindjes të saj me 80 punime të zgjedhura nga fondi I GKA dhe koleksioni i djalit Evangjel Papadhimitri
30.04. 2015: shpallet “Qytetare Nderi” e qytetit të Korçës . (Vendimi nr.29 i Këshillit Bashkiak)
6 – 19 korrik  2015: Ekspozitë vetjakee piktores Sofia Zengo Papadhimitri  me vepra të zgjedhura nga fondi GKA dhe koleksioni i familjes Papadhimitri.

Fshihi detajet