Vangjush Mio

 

Fusha e Korçës, Vaj mbi kanavacë, 58.8 x 63 cm, Nr.Inv. 719
Dimer në Korçe, Vaj mbi kanavacë, 50.5 x 65 cm, Nr.Inv. 112
Tirana, Vaj mbi kanavacë, 65.5 x 85.5 cm, Nr.Inv. 218

 

Vangjush Mio (Korçë, 05.03.1891 – TIRANË 30.12.1957) Piktor.

Vangjush Mio ishte pjesë e artistëve realistë shqiptarë të gjysmës së parë të shekullit XX. Një nga figurat më të rëndësishme të arteve pamore shqiptare, peizazhist dhe portretist i shquar, i vlerësuar dhe i njohur si poeti i peizazhit shqiptar. Krijimtaria e Vangjush Mios luajti një rol të rëndësishëm në edukimin e brezave të artistëve shqiptarë në kushtet e izolimit kulturor të shtetit komunist, pasi ishte dhe shëmbulli më i qartë i një arti jashtë propagandës partiake dhe kornizave të realizmit socialist shqiptar. Vangjush Mio lindi në Korçë në një familje të mesme qytetare. Mësimet e para i bëri në qytetin e lindjes, shkollën e mesme nuk mundi ta mbarojë në vendlindje dhe vitin 1908 vëllai i madh Anastasi e merr me vete në Bukuresht, ku në vitin 1914 ai regjistrohet në Shkollën Kombëtare të Arteve të Bukura të Bukureshtit. Në koloninë shqiptare të Bukureshtit ndodheshin dhe shkrimtarët Asdreni (Aleksandër Stavër Drenova) dhe Lasgush Poradeci, me të cilët Mio takohej shpesh dhe merrte pjesë në veprimtaritë artistike në kor dhe teatër, duke luajtur si aktor. Lexo më tepër
Vizatimet dhe tablotë e Vangjush Mios, të realizuara në këto vite, shprehin qartë prirjen e tij drejt pejzazhit. Në vitin 1919 ai diplomohet dhe po në atë vit në Bukuresht hap ekspozitën e parë vetiake. Me punimet e sjella nga Rumania ai hapi në Korçë (1919) ekspozitë që vlerësohet si ekspozita e parë e arteve figurative e hapur në Shqipëri. Më 1920 u regjistrua në Institutin e Lartë të Arteve të Bukura të Romës dhe e mbaroi atë (1924) duke marrë diplomën e piktorit si dhe atë të piktorit restaurator. Gjatë viteve të qëndrimit në Itali, Mio vizitoi qëndrat më të rëndësishme të artit italian si: Firencen, Venecian, Bolonjën, Pizën e qëndra të tjera historiko-kulturore. Gjatë viteve 1924-1926 ai vizitoi përsëri Italinë. Prej këtyre viteve ruhet një koleksion i pasur vizatimesh dhe tablosh, ku vëmendjen e piktorit e tërheq kryesisht Roma e Venecia. Ai është admirues i realizmit italian të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX si dhe i impresionismit. Atmosfera e një lëvizjeje kulturore artistike e viteve 20 - të në Korçë solli edhe krijimin e “Shoqërisë së Arteve të Bukura”. Mioja është piktori i kostumeve të dramës “Vdekja e Pirros” e Mihal Gramenos. Ai në shtëpinë e tij krijoi studion ku punonte vazhdimisht si me vizatimet nga natyra, po ashtu edhe përfundonte pejzazhet e realizuara direkt nga natyra (plain - eir). Në Korçë, në vitin 1926, Vangjush Mio realizoI ekspozitën e dytë vetiake në Shqipëri. Në 1928 prezantohet me peizazhe të realizuara nga zona të ndryshme të vendit (Korça, Pogradeci, Elbasani, Durrësi, Tirana etj). Në këtë ekspozitë të hapur në kryeqytet, tashmë Vangjush Mio merr vlerësime të larta, gjë që vihet re në vendin që i lihet piktorit në ekspozitën e parë kombëtare të vitit 1931 (paraqitet me 29 punime). Në vitin 1932, në të njëjtën veprimtari ai vlerësohet me çmim të parë në pikturë. Pas një viti (1933) ai hap në Korçë përsëri ekspozitë vetiake me realizime të reja nga qyteti i Korçës dhe i Pogradecit. Më vonë Mion e shohim të marrë pjesë në ekspozitën e Barit - Itali (1938) dhe në Tiranë (1932). Në vitin 1934 ai emërohet mësues vizatimi në Liceun Francez të Korçës. Pas çlirimit të vendit, Vangjush Mio merr pjesë në Tiranë në shumë ekspozita kolektive, duke filluar që nga e para që u hap në muajin janar 1945. Në maj të vitit 1957 Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë organizoi një ekspozitë retrospektive të Vangjush Mios, që është dhe ekspozita e fundit personale sa ishte gjallë piktori dhe që vlerësohet si më e plota. Pas vitit 1949 ai punoi si skenograf e kostumograf në teatrin prefesionist të Korçës, ku ka realizuar mjaft punime në këtë fushë. Duke realizuar një peizazh në Berat, sëmuret rëndë dhe pasi shtrohet në spitalin e Tiranës ndahet nga jeta, më 30 dhjetor 1957. Veprimtaria artistike e Vangjush Mios është shumë e gjerë. Ai ka lënë një koleksion të madh veprash në gjininë e portretit, pejzazhit e më pak kompozime. Numërohen mbi 500 tablo të tij, 200 vizatime, si dhe 80 pllaka xhami fotografike, të cilat ruhen në studion Muze të piktorit (Korçë), në GKA, Tiranë, në GA, Korçë dhe në koleksionet e institucioneve të larta shtetërore dhe në koleksionet private.

Mio filloi të vizatojë që fëmijë por veprat e tij të ruajtura në koleksonin e familjes i përkasin vitit 1906. Ai vlerësohet si një nga piktorët e parë profesionistë në Shqipëri krahas Simon Rrotës, i cili në vitin 1915 kthehet nga studimet në Akademinë “Brera”së Milanos (Itali). Fillimisht Mio priret të bëjë vizatime me laps dhe sepia, duke realizuar portrete, figura, kompozime, nudo dhe peizazhe..Më pas realizoi kompozime nga jeta e përditëshme e njerëzve të thjeshtë, portrete familjare dhe portrete të ndryshëm, duke u dashuruar mbas peizazhit urban, baritor, liqeneve dhe detit. Ai vizatoi dhe pikturoi peizazhet e disa zonave të Shqipërisë, kala, site arkeologjike, pamje qytetesh në Romë, Venecia, Bolonjë, Piza, Firence, Durrës, Butrint, Ulqin, Tiranë, Shën Naum, Tiranë, Durrës, Vlorë, Sarandë, Pogradec, Shkodër, Përmet, Gjirokastër e Berat. Krijimtaria e gjerë e artistit Vangjush Mio në fushën e peizazhit dhe portretit realist, u bë shkollë e madhe për të gjithë artistët shqiptarë, pasi ai realizoi vepra me kualitet të lartë artistik, evidentoi dritën diellore mesdhetare të peizazhit shqiptar dhe u bë shëmbulli brilant i piktorit të natyrës. Mio krijoi imazhin e figurës së piktorit në Shqipëri, që i ofron publikut veprat e tij në ekspozita vetjake dhe në studio.Shumë piktorë të njohur që kaluan fëmijërinë në qytetin e Korçës, morën mësimet e para në pikturë nga mjeshtri Vangjush Mio.

Më 26 qershor 1989 parkut të madh të qytetit të Korçës i jepet emri i “Piktorit të Popullit” Vangjush Mio. Po atë vit, Galeria Kombëtare e Arteve botoi monografinë me titullin “Vangjush Mio”. Ai zë një vend të rëndësishëm në historinë e artit shqiptar, duke u vlerësuar si një nga piktorët realistë të gjysmës së parë të shekullit 20-të, krahas piktorëve të tjerë të Traditës si Kol Idromeno, Andrea Kushi, Simon Rrota, Ndoc Martini e Zef Kolombi. Krijimtaria e tij u bë pjesë e dhjetra ekspozitave vetjake dhe kolektive brenda dhe jashtë Shqipërisë, si në Itali, Rumani, Kinë, në Bienalen e Aleksandrisë, Greqi, Egjypt, Kosovë, Turqi, ish - Jugosllavi, Mal i Zi. Në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë ruhen pesëdhjetëeshtatë vepra të piktorit Vangjush Mio, ndërsa në Galerinë e Artve, Korçë ruhen trembëdhjetë vepra nga mjeshtri. Pas viteve 1990 shumë koleksionistë privatë blenë vepra të Mios nga vajza e tij Rozeta që trashëgonte në Korçë punimet e tij. Qendra Kulturore në Korçë mban emrin “Vangjush Mio”, ndërsa në vitin 2015 u botua në Tiranë Monografia e plotë për artistin nga historiania e artit shqiptar Suzana V.Kuka.

Ylli Drishti /  Studjues arti

Fshihi detajet

 

Biografia

05.03.1891                   Lindi në Korçë, në familjen e Thimi e Polikseni Mio. Thimi i jati I piktorit ishte me origjinë nga Vithkuqi I Korçës.Ata patën tre djem nga martesa e tyre.
1908                              Vangjush Mio, në moshën 17 vjeçare,  pasi kishte kryer shkollën fillore greke të djemve dhe dy vite gjimnaz në vendlindje, emigroi në Bukureht, Rumani,ku banonte prej disa vjetësh I vëllai I tij Anastasi.
1914-1919                  Kreu studimet e larta për pikturë në Shkollën Kombëtare të Arteve të Bukura të Bukureshtit.
1919                              Ekspozita personale në Rumani, në mjediset kulturore të Kolonisë Shqiptare, Bukuresht.
06.11.1920                   Hapet ekspozita e piktorit Vangjush Mios në shtëpinë e jetimores, me punimet e sjella nga Bukureshti. Mio ishte mësues vizatimi dhe i historisë së artit në Liceun Francez. Po këtë vit hapi studion e tij si piktor.
1920-1924                 Kreu studimet në Akademinë e Arteve të Bukura  në Romë (Itali) dhe fitoi dy diploma për pikturë dhe restaurim.
1924-1926                    Ndoqi Bienalesn e Venecias
Lexo më tepër
Qershor - korrik 1927 Ekspozitë personale në shkollën normale të vajzave
Shtator- tetor 1931    Ekspozitë personale në sallën e dr.Pandeli Glozhenit
24 maj 1931                Ekspozitë në grup e trembëdhjetë artistëve në Kafe Kursal, Tiranë, ku mori pjesë midis të tjerëve piktorët Vangjush Mio, Spiro Xega dhe fotografi Kristaq Sotiri.
Qershor 1932             Ekspozitë gjithëpërfshirëse nën mbrojtjen e naltë të N.S. Mbretërore Princeshës Ruhije, ku morën pjesë nëntëmbëdhjetë artistë, prej të cilëve dhe tre të huaj si: Mario Ridola, Giadomenico De Marchis dhe Nigro.Ekspozita u çel në sallat e Shkollës së Vizatimit, Tiranë dhe u ekspozuan 196 punime në pikturë, vizatim, karikaturë,tapiceri, skulpturë dhe pastel.
Vangjush Mio mori pjesë me 29 punime dhe fitoi Çmimin e Parë me medalje Vermael.
8 tetor 1933         Ekspozitë personale në Korçë, me dyzet punime të ndryshme.
1931-1938           Piktori udhëtoi e pikturoi peizazhin e disa qyteteve shqiptare: Gjirokastër, Përmet, Butrint, Sarandë, Durrës. Tiranë, Shkodër, Ulqin, Pogradec, Vlorë.
6 shtator 1939   Pjesmarrës në ekspozitën në Romë me rastin e Konkursit Kombëtar të Arteve për “Çmimin Albania”. Të  gjitha ishin subjekte shqiptare dhe në konkurs morrën pjesë 12 artistë shqiptarë dhe 26 artistë italianë. Morën pjesë piktorët: Androniqi Zengo, Shefqet Agalliu, Foto Stamo, Ibrahim Kodra, Qenan Mesarea, Mir Papajani, Qamil Reçi, Simon Rrota, Vangjush Mio, Nexhmedin Zajmi, Zef Kolombi, Vangjush Tushi. Pesë pikturat e V.Mios u ekspozuan në sallën VI/a. Mio fitoi “Çmimin Albania”.
Qershor 1942    Pjesmarrës në Konkursin Kombëtar dyvjeçar për pikturë, skulpturë dhe vizatim. Në konkurs morrën pjesë 22  piktorë dhe skulptorë. Vangjush Mio mori pjesë me pesë punime që u ekspozuan në sallën A. Vepra e tij “Fytyrë” (portret) u vlerësua me çmim të dytë.
5 janar 1945          Ekspozitë personale në shtëpinë e Gruas, Korçë
1945-1949             Pedagog vizatimi në shkollën e mesme “Raqi Qirinxhi”, Korçë
1949 -1957            Skenograf në Teatrin e qytetit të  Korçës.
29 Nëntor 1950    Pjesmarrës në Ekspozitën Kombëtare të Arteve Figurative, ku ishte fitues i Çmimit të Parë.
1951                       Vangjush Mio ishte pjesë e delegacionit shtetëror që vizitoi Moskën dhe Gjeorgjinë.
Maj 1957             Ekspozitë personale me tetëdhjetëetetë vepra (20 vizatime dhe 68 piktura) në një nga sallat e Shoqërisë së Miqësisë Shqipëri - Bashkimi Sovjetik .
Pjesëmarrës në Bienalen e Aleksandrisë (Egjypt)
Nëntor 1957       Pjesmarrës në Ekspozitën Kombëtare kushtuar 50 vjetorit të Revolucionit të Tteorit, ku mori pjesë me peizazhe nga Berati, Vlora dhe Drenova.
1960                    Botohet libri i autorit Vangjush Tushi me titull:  ”Vangjush Mio, 1981-1957”
1961                    Vlerësohet me titullin “Piktor i Popullit”
Janar 1963       Ekspozitë personale në RP të Kinës me 60 vepra të artistit.
Maj 1963          Ekspozitë personale me 118 vepra  të artistit.
23 maj 1983    Ekspozitë e dytë retrospektive e V.Mios
10 qershor 1983 Pjesëmarrës në një Ekspozitë Kolektive të Ditëve të Kulturës Shqiptare në UNESKO.
19 korrik 1983  Ekspozitë personale në Shtëpinë e Kulturës dhe Krijimtarisë Popullore, në Korçë
Korrik 1985       Ekspozitë personale me 48 punime të artistit, në Galerinë Shtetërore në Ankara (Turqi), në kuadrin e programit të shkëmbimeve kulturore midis RP të Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë.
18 gusht           Pjesëmarrës në Ekspozitë Kombëtare të Peizazhit në GA, Tiranë.
1989                 GA, Tiranë boton një katalog modest me ngjyra mbi V.Mion, me shkrimin e kritikut të artit Andon Kuqali
1993                 Ekspozitë personale në Bukuresht (Rumani).
12 nëntor 2004 Ekspozita e tretë Retrospektive e artistit
2011                  Ekspozohet vepra e Vangjush Mios “Venecia” (1924, GKA), krahas veprave të piktorëve S.Kaceli dhe K.Idromeno në Podgoricë, në Malin e Zi, në kuadrin e një ekspozite të artit modern të 10 vendeve të Europës Juglindore

Ylli Drishti /  Studjues arti

Fshihi detajet