Vilson Kilica

 

Brigadieret, Vaj në kanavacë, 185 x 138 cm, Nr. Inv. 1246
Piktorja e vogël, Vaj në fibër, 80 x 71.8 cm, Nr. Inv. 3610
Portret vajze, Vaj në kanavacë, 72.5 x 58.3, Nr. Inv. 520

 

Vilson Kilica (Vlorë 02.06.1932 - Tiranë 07.07.2016 ) Piktor

Piktori Vilson Kilica ishte një nga artistët më të rëndësishëm shqiptarë të Realizmit Socialist në vitet 1960-1990.  Artisti Kilica lindi në Vlorë, por familja e tij (Kilica) ishte me origjinë nga Voskopoja dhe në shekullin XVIII u vendosën me banim në Seman.
Kilica filloi hapat e para drejt artit figurativ i mbështetur nga vëllai i tij Janaq Kilica (dëshmor i atdheut), i cili e kishte pasion pikturën dhe gjithashtu nga daja i tij, ikonograf. Kilica kreu studimet e mesme me rezultate të shkëlqyera në Liceun AJM, Tiranë (1948-1952) nën drejtimin e pedagogut Sadik Kaceli. Piktori Vilson Kilica ishte një nga studentët shqiptarë që mbaruan studimet e plota me rezultate të shkëlqyera për pikturë në Institutin e Arteve I.E.Rjepin “në Shën Petërburg (1952 -1958). Lexo më tepër
Ishte studenti i parë shqiptar që merrte mësime në ateljenë e profesorit B.V.Joganson, një nga figurat më të rëndësishme të artit të realizmit socialist sovjetik, që ishte njëkohësisht edhe drejtor i muzeut, “Tretjakov” në Moskë. Më vonë në këtë atelje kanë studjuar piktorët Sali Shijaku dhe Zef Shoshi. Programi në këtë shkollë arti ishte akademik, synonte përgatitjen e artistëve në kopjimin e realitetit dhe modelimin, duke zbuluar dhe analizuar çdo detaj të objekteve dhe personazheve, modele si detyra shkollore. Por ish studentët e Shën Petërburgut kishin fatin të kishin si konsulentë të vazhdueshëm gjatë viteve studentore veprat e Leonardos, Rafaelit, Peruginos, Caravaggios, Correggios, Tizianit, Veroneses, El Grekos, Rubensit, Velaskes-it, Rembrand-it, Mone-së, Cesann-it, Pissarro-s, Picasso-s, Matiss-it, Kandiskij-t etj. që ndodheshin në sallat e Ermitazhit (një prej muzeve më të mëdhenj të botës). I ardhur nga një shtet i vogël dhe i varfër si Shqipëria e pas luftës së dytë botërore, ku akoma nuk ishte çelur muzeu i parë i artit, Kilica qëndronte me orë të tëra para kryeveprave botërore të artit klasik italian e më vonë si student, gjithmonë vizitonte dhe admironte pavionin e impresionistëve dhe postimpresionistëve francezë që e ndihmonin për tu çliruar sadopak në penelata dhe në kolorit në realizimin e punëve me kërkesa shkollore. Në krijimtarinë e tij të gjatë gati 50 (pesëdhjetë) vjeçare piktori Vilson Kilica ka realizuar tema historike dhe aktuale, portrete, peizazhe dhe natyra të qeta. Duke qënë se brezi i tyre si artistë në vitet 1960-1990 trajtoi më gjërësisht tablonë kompozicionale dhe si rezultat i një censure dhe autocensure të rreptë, në veprat e Kilicës, që janë pjesa më e madhe të realizuara sipas metodës së Realizmit Socialist, vihen re mjaft të zbehta ndikimet e artit europian perëndimor. Pas viteve ‘90 të shek.XX, artisti Kilica tashmë i çliruar nga censura e shtetit komunist, krijoi situata piktorike personale dekorative herë të intonuara e herë-herë me theks grafik. Duke patur një formim akademik të fortë, kulturë e formim artistik në vazhdimësi, një eksperiencë dhe realizime tablosh nga dimensionet më të mëdha (bashëkautor në mozaikun e fasadës së Muzeut Historik Kombëtar - 400 M2) deri tek tablotë e zhanrit, artisti Kilica ka krijuar koleksionin e madh të tablove historike-politike të artit të realizmit shqiptar, të realizmit socialist, por edhe vepra të tjera me kërkesa më formaliste e dekorative që sidoqoftë nuk i largohen imazhit real. Pas vitit 1991 artisti kryesisht ju kushtua realizimit të peizazheve dhe portreteve. Në këtë fazë të krijimtarisë artisti i kushtohet evidentimit të raporteve koloristike në peizazhet e tij, që shpesh kanë sens të fuqishëm grafik dhe janë inerpretime artistike larg natyralizmit e akademizmit. Veçanërisht Kilica ka pikturuar peizazhin e zonës së Fierit dhe Mallakastrës.
Vilson Kilica i përket brezit të artistëve të artit shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit të XX. Ai është vlerësuar në vite për krijimtarinë dhe kontributin që ka dhënë në edukimin e brezave të artistëve të rinj, si pedagog për shumë vite në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë. Artisti Kilica është vlerësuar  me “Çmimi i Republikës” i klasit të II (1962), “Çmimi i Republikës” i klasit të II (1964), me titullin “Piktor i Merituar”  (1969),  “Çmimi i Republikës” i klasit të II (1970), me gradën shkencore “Docent”, “Çmimi i Republikës” i klasit të II  (1979), i jepet titulli “Piktor i Popullit” (1987). Artisti Kilica ishte pjesëmarrës në të gjitha ekspozitat, konkurset dhe veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare të organizuara nga shteti shqiptar para viteve 1990, ndërsa mbi 80 vepra të autorit ndodhen në koleksione private në Itali, SHBA, Itali, Gjermani, Slloveni, Serbi, Francë, Greqi, Spanjë.

Ylli Drishti / Studjues arti

Fshihi detajet

 

Biografia

1948 -1952 Kreu Liceun Artitik “Jordan Misja”, Tiranë. Studjoi në një klasë me Sali Shijakun, Ksenofon Dilon dhe Dhimitër Kokoshin.
1958 -1960 Inspektor për artet në Ministrinë e Arsimit
1960          Pjesëmarrës në dy ekspozita Biennale pikture në Aleksandri, Egjipt
1960-1965 Drejtori i parë i Institutit të Arteve Figurative, dikur 2 vjeçar
1965-1969 Drejtori Institutit të Lartë të Arteve, tashmë 4 vjeçar
1969-1973 Ishte Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Në vitin 1974  u kritikua nga Pleniumi i 4-të i KQPPSH dhe u përjashtua nga drejtimi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë me motivacioni “Për ndikime borgjeze dhe revizioniste”.
Lexo më tepër
1974 Pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë
1975-1981   Transferohet në qytetin e Fierit (si masë ndëshkimore) dhe punoi si pedagog vizatimi në dy shkolla
1981-1991  Transferohet me banim në Tiranë dhe ishte pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë / udhëheqës artistik i Ateljesë së pikturës së kavaletit dhe asaj monumentale.
1991  I kushtohet vetëm pikturës, duke punuar në studion e tij në Tiranë
1993 Ekspozon ne galerin Te&Gi, në Galerinë Kombëtare të Arteve në ekspozitën   Ndërkombëtare “Onufri”
1996            Ekspozitë vetjake në “Hotel Europark” në Tiranë
1998            Ekspozitë e përbashkët me Sali Shijakun në Prishtinë, Kosovë
1999-2005 Merr pjesë në ekspozitat “Nëntor” 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 11, 12
2003            Ekspozitë vetjake në “Galerinë e Arteve” në Fier
2011            Ekspozitë vetjake në “Galerinë e Arteve” në Fier
2012           Vazhdon të ushtrojë veprimtarinë krijuese
07.07.2016 Ndahet nga jeta nga një sëmundje e rëndë

Bujana Demiraj (marrë nga Katalogu “Vilson Kilica - një jetë në krijimtari”)

Fshihi detajet