Zef Kolombi

 

Autoportret, 1947, Vaj, 37 x 29 cm, Nr. Inv. 140
Djali në kopësht, 1941, 53.7 x 34.2 cm, Nr. Inv. 690
Rrush e pjeshkë, 1940, vaj, 66 x 84 cm, Nr. Inv. 43

 

Zef Kolombi (Sarajevë 03.03.1907 – Shkodër 23.01. 1949) Piktor

Zef Kolombi ishte një nga piktorët e rëndësishëm të artit realist shqiptar të gjysmës së parë të shekullit XX.  Kolombi, i mbetur jetim në moshën 4 vjeç, kthehet nga Sarajeva në Shqipëri dhe  rritet së bashku me motrën në shtëpinë e gjyshes në Shkodër, Më 1929 - 33 ishte student në Institutin e Arteve të Bukura në Romë. Pas kthimit në atdhe Kolombi caktohet mësues vizatimi në shkollën normale të Elbasanit (qytet në Shqipërinë qëndrore) dhe në vitin 1941 vendoset familjarisht në qytetin e Shkodrës. Lexo më tepër
Prej tij njihen rreth 50 vizatime dhe piktura duke filluar nga vepra e tij e parë e nënshkruar në vitin 1926. Shumica e veprave janë pa datë dhe të panënshkruara. Në veprat e Kolombit, që janë kryesisht peizazhe, portrete dhe natyra të qeta ndjehet prirja realiste për materializimin e objekteve. Si peizazhist Kolombi është piktor i natyrës, atë e tërheq  peizazhi i fshatit, ku ai evidenton fuqishëm dritën e diellit. Piktura e Kolombit është thellësisht realiste, ajo përshkohet nga një qetësi e thellë që shpesh herë ka trajtat e një melankolie. Në disa nga veprat e fundit të Kolombit (mbas viteve '40, si: „Tri rriska shalqinj“, 1940 (GKA, Tiranë); „Djali në kopësht“, 1941 (GKA, Tiranë);; „Portreti i Julianit“ 1946 (GKA, Tiranë) dhe „Autoportret“, 1947 (GKA, Tiranë) penelatat janë më ekspresive dhe ndjehet një prirje impresioniste. Në fondin e GKA, Tiranë ndodhet një koleksion prej 33 veprash të artistit Zef Kolombi (ndër të cilat dhe koleksioni i tetë vizatimeve me laps dhe tush të realizuara gjatë viteve të qëndrimit në Itali (1929 - 1933). Katër vepra ndodhen në  fondin e Galerisë së Arteve, Shkodër, një vepër e titulluar „Kostum shkodran“ (1947, vaj mbi kanavacë)  ka qenë ekspozuar në koleksionin e veprave të artit të selisë së Presidencës së Republikës së Shqipërisë (1992-2014). Disa vepra të artistit ruhen edhe në koleksionet e të afërmve të artistit. Krijimtaria e piktorit Zef  Kolombi është dëshmi e një krijuesi të tërhequr nga piktura e ditës dhe zhurma e jetës“. Kolombi priret drejt një pikture më elitare, gjë që ndjehet qartë në disa nga tablotë tij më të rëndësishme si: „Portret plake“ 1937 (GKA, Tiranë), „Tri rriska shalqinj“ 1940 (GKA, Tiranë) dhe „Rrush dhe dardhë“ 1940 (GKA, Tiranë). Kolombi me realizimin e natyrave të qeta krijoi traditën e lëvrimit të kësaj gjinije në historinë e artit shqiptar.

Ylli Drishti / Studjues arti

Fshihi detajet

 

Biografia e artistit

Zef Kolombi lindi në Sarajevë më 3 mars 1907. I jati Gjoni, i ardhur nga qyteti i Shkodrës si emigrant ekonomik, pronar ii një restoranti të vogël, ishte martuar me sllovenen Stefani Hajdovnik, me të cilën pati dy femijë: Verën (1905) dhe Zefin. Shumë shpejt Kolombi mbetet jetim, i vdesin të dy prindërit: nëna nga gripi spanjoll, më 1910 dhe pas një viti babai, i cili vritet aksidentalisht në lokalin e tij, duke ndërhyrë për të ndarë dy klientë që po grindeshin. Për dy femijët kujdesen dy tezet e tyre. Gjyshja, nga babai Nusha, vjen me qerre nga Shkodra në Sarajevë dhe pasi merr leje nga tezet për të ndenjur dy ditë me nipin  dhe  mbesën , "i rrëmben” të dy dhe kthehet  në vendlindjen  e babait, në Shkodër. Pas vdekjes së gjyshes për Verën dhe Zefin  u kujdes nuni i tyre Sokrat Shkreli.
Lexo më tepër
1913 - 1918. Kryen shkollen fillore jetimore të Shulbrydeve, në Shkodër të drejtuar  nga  klerikë  austriakë.
1918 Kryen tri vjet në shkollën e jezuitëve në qytetin e Shkodrës dhe përjashtohet si i padenjë. Që në vitet e shkollës Kolombi shfaqi prirje për artin figurativ,veçanërisht ai vizatonte mjaft bukur për moshën e tij. Një udhëtar italian pasi njihet me vizatimet e tij, e fton ta marrë me vehte në Itali, duke i premtuar arsimimin e metejshëm për pikturë, por fa tkeqësisht, ai (italiani) sëmuret gjatë rrugës  dhe  vdes  në Vlorë. Pas disa  kohësh  i mbetur  pa asnjë  përkrahje  dhe  mundësi  financiare  Kolombi  i ri vendoset në Romë, me premtimin e një pronari tjetër italian për ta futur në një shkollë arti. Ky premtim nuk u mbajt nga ana e tij dhe Kolombi ishte i detyruar të kryente punë të ndryshme e të rënda gjatë gjithë ditëve të javës. Në kohën e lirë, të djelave, Zefi vizitonte Galeritë, Muzetë dhe monumentet e Romës. Një grup të rinjsh italianë, duke e parë si vizitor i përhershëm i muzeve të artit, u njohën me pasionin e tij për pikturën dhe  e  ndihmuan  të rregjistrohej  në  një shkollë  nate . Nuk kaloi shumë kohe dhe padroni i pakënaqur nga Kolombi, ankohet pranë autoriteteve zyrtare italiane të kohës duke e etiketuar “vagabond". Si rezultat ai arrestohet nga policia dhe dërgohet në vendlindje, Sarajevë, në një shkollë edukimi.  Drejtori  i shkollës pasi njihet me historinë e Kolombit, e lejoi të largohej nga shkolla. Një i aferm i familjes e rregjistroi në një shkollë industriale ku Kolombi i pakënaqur e braktis dhe më pas punoi për rreth 3 muaj si çirak - këpucar. Më tej Kolombi ishte ndihmës dekorator pranë një punishteje, ku ai realizonte me lehtësi përvec lyerjes së sfondeve në telajo edhe dekoracione të ndryshme. Në këtë periudhë Kolombi vazhdoi studimet e mesme të lëna përgjysëm, por njëhkohësisht filloi të kopjonte vepra të klasikëve dhe të realizonte edhe ndonjë vepër origjinale.
1922 Vera, motra e piktorit martohet në Durrës me Vlash Ramën. Nga kjo martesë lindën: Kristaqi, dy binjakë Pavli dhe Pjetri (të cilët vdesin  i pari 6 muajsh  dhe  Pjetri 17  vjeç) dhe Violeta.Piktori Kolombi mbante lidhje të ngushta  me motrën e tij dhe shpesh kalonte pushimet në Durrës. Në fondin e GKA,Tiranë ruhen edhe disa vepra të realizuara gjatë pushimeve që Kolombi kalonte  në Durrës.
1923 Pjesëmarrës në ekspozitën e artistëve të qytetit të Shkodrës  të organizuar  nga Shoqata  artistike  "Rozafa "  të  drejtuar nga N.Topalli dhe E.Koliqi.
1925 - 1929 Më 1925, kthehet  në Shkodër dhe  punon  në Hotelin "Grand" të Sokrat Shkrelit dhe  gradualisht  merret vetëm  me realizimet e veprave në pikturë. Kësaj periudhe i përkasin  dhe  disa punime  në pikturë  (në teknikën e vajit) si: "Madona e Rafaelit" (1926, kopjim), "Ursus" (1927), "Darkë Pompejane" (1927), "Skënderbeu në lufte me persët" (1927). Veprat që ai realizonte në këtë periudhe i ekspozonte në hollin e hotelit, që  mund të konsiderohet dhe  si ekspozita e parë vetjake e piktorit, që  gjithnjë e  më shumë po terhiqte  vemëndjen  e  artdashësve  të kohës.
1929 - 1933 Kreu studimet për pikturë në Akademinë e Arteve në Romë, Itali, duke përfituar  një bursë studimi shqiptare nga Nëna Mbretëreshë. Edhe në Romë, Kolombi student, krahas realizimit të detyrave akademike, kopjonte veprat e klasikeve, vizatonte vazhdimisht dhe realizonte vepra origjinale ndaj të cilave kishte kerkesa për arritje  cilësore në vazhdimësi. Periudhës  së studimeve në Romë i përkasin dhe veprat: "Nudo" vaj (1931), "Pamje nga Roma" vizatim me penë (1931), "Grua nudo e shtrirë", vizatim me laps (1931) , "Grua  nudo e ulur " vizatim (1931).
1933 Kthehet në Shkodër në pritje të emërimit në punë. Me 20 shtator fillon realizimin e tablosë "Portreti i Pinës", që ishte dhe vepra e parë e realizuar në Shqipëri pas kthimit nga studimet  Akademike.
1933 - 1941  Emerohet mesues i vizatimit në Shkollën Normale - Elbasan. Krahas mesimdhënies Kolombi, hartoi dhe realizoi  një botim shkollor me titull  "Perspektiva vijësore  dhe projektuese", nga i  cili kanë mbetur  vetëm disa fletë.
Si piktor, Zef Kolombi, realizoi mjaft tablo me imazhe nga rrugët e qytetit të Elbasanit , zona fushore e tij si dhe tablo realiste me imazhe të peizazheve nga Durrësi (bregdeti dhe rrethinat e tij) , natyra të qeta, portrete të familjareve të miqve, që përbëjnë dhe koleksionin kryesor të krijimtarise së ruajtur të piktorit.Në këtë grup veprash të realizuara nga Kolombi, bëjnë pjesë tablo të tilla të njohura si "Portret plake" vaj (193 7), "Të korrurat" vaj (1940), " Tri rriska shalqinj" vaj (1940), " Tufë me trëndafila" vaj (1940) etj.
22  janar 1936 Martohet me mesuesen Liri Papamihali. Nga kjo martesë lindi Gjovalini
djali i tyre i parë. Pas disa vitesh e shoqja vdes dhe Kolombi rimartohet me 1939 me një vajzë shkodrane; Tonine Dema, me të cilën pati djalin e dytë, Julianin. Kolombi më 1941 realizoi portretin e djalit Julianit, e cila është dhe puna e fundit e realizuar gjatë qëndrimit në qytetin e Elbasanit.
1941 - 1949 Kolombi  jetoi  dhe krijoi në Shkoder,  duke  banuar  në një shtëpi një katëshe  në rrugën e Gurrazezëve. Kësaj  periudhe i përkasin portretet e djemve: "Portreti i Gjovalinit " vaj (1946), "Portreti i Julianit me shall pionieri " vaj (1946) si dhe portreti i së shoqes : "Portreti i Tonines " vaj (1947) , "Autoportreti" vaj (1948) dhe kompozimi "Masakrat" vaj (1948) i pambaruar.
Duke patur probleme serioze me shendetin (kishte marrë një bronko-pneumoni të rëndë), Kolombi në verën e vitit 1948, i kaloi pushimet në Bogë, ku shëndeti i tij pati një përmirsim të perkohshëm. Në muajin gusht ai realizoi dhe peizazhin e njohur "Gryka e lugjeve" (i pambaruar). Me kthimin nga Boga, Kolombi ishte i ftuar si pjesmarrës në Ekspozitën Kombëtare të Arteve Figurative, që do të çelej në muajin nëntor në Tiranë me rastin e festave të clirimit dhe Pavaresise. Piktori Zef Kolombi e filloi realizimin e tablose me teme nga lufta Nacionalclirimtare qe sapo kishte perfunduar me titull "Masakrat", e cila mbeti e paperfunduar plotesisht , pasi artisti u nda nga jeta me 23 janar te vitit 1949.
Ne Galerine Kombëtare të Arteve,Tiranë ndodhet një koleksion prej 33 veprash të autorit, ndërsa 4 vepra janë pjesë e koleksionit të Galerisë së Arteve, Shkodër. Me çeljen e Galerisë Kombëtare të Arteve,Tiranë, gjashtë vepra të Zef Kolombit ishin pjesë e koleksionit të parë të saj. Veprat e Kolombit janë ekspozuar në vazhdimësi në linjën muzeale të Galerisë Kombëtare së Arteve, Tiranë.
2007 U festua 100 vjetori I lindjes së artistit Zef Kolombi nga ana Galerisë Kombëtare të Arteve,Tiranë / Galerisë së Arteve, Shkodër duke çelur ekspozitë si në Tiranë dhe Shkodër (në Galeritë respective), ndërsa në Shkodër u organizua një simpozium mbi jetën dhe veprimtarinë e artistit, ku u shfaq dhe një dokumnetar kushtuar piktorit Kolombi realizuar nga RTSH. Ekspozita u shoqërua dhe me një Katalog kushtuar artistit të autorëve Suzana V.Kuka, Ylli Drishti dhe Zef Paci.

Ylli Drishti / Studjues Arti

Fshihi detajet